0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Dua divorc nga burri zullumqar, por ai s’pranon…

Më të lexuarat

Divorce documents in a court. Separation and alimony.

Pyetja:
Kam bërë kurorëzim para 26 viteve me burrin në Gjermani, në xhami, dhe i kemi 33 vite martesë. Por jetën me të e kam pasur shumë të vështirë. Burri ka qenë nëpër burgje shumë vite. Tash ai është në Kosovë e unë në Gjermani dhe, thënë të drejtën, ndihem e liruar prej tij dhe nuk dua të jetoj më me të bashkë, se shumë kam hekë prej tij. Ka qenë zullumqar, na ka sëmurë mua dhe fëmijët, me terapia jemi. Mirrej me drogë, me kafe të natës, me femra të tjera etj., prandaj dua të ndahem nga ai dhe të martohem me dikë tjetër.

Zyrtarisht s’kemi bërë kurorëzim me burrin, vetëm në xhami e kemi bërë. Doja t’ju pyesja: a duhet ta bëjmë shkurorëzimin në xhami? Nëse po, atëherë e kam të pamundur të shkoj me të, se ai po më kërcënon dhe nuk pranon. Në këtë rrethanë, a duhet ta bëj shkurorëzimin vetë në xhami para se të martohem me dikë tjetër?

***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Motër e nderuar, padyshim se martesa është institucioni më i rëndësishëm në shoqërinë njerëzore, andaj për t’u realizuar qëllimi i martesës, kërkohet që të dy bashkëshortët të shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Për këtë arsye Pejgamberi ﷺ ka këshilluar burrat muslimanë që të përzgjedhin një bashkëshorte të kapur për feje, kurse gruas muslimane nuk ia kanë lejuar që të martohet me burra jomuslimanë, gjithë kjo për të ruajtur bilancin dhe mbarëvajtjen e shoqërisë Islame dhe për të mundësuar edukim të mirëfilltë të brezave të rinj brenda komunitetit Islam.

Duke u mbështetur në gjërat që ti e ke cekur në pyetjen tënde dhe gjithmonë duke besuar se të gjitha këto që i ceke janë krejtësisht të vërteta, themi se në këtë rast arsyeja është fortë që ju të kërkoni divorc nga burri, dhe kjo në dy aspekte:

  1. Burri e ka obligim edukimin e familjes në Islam, sipas hadithit të Profetit të mëshirës, Muhamedit ﷺ, i cili thotë se: “Secili prej jush është bari (mbikëqyrës). Burri është bari në familjen e tij,”– e deri në fund të hadithit. Së këndejmi, një burrë i cili nuk ndjen kurrfarë përgjegjësie për edukimin e familjes së tij, madje vepron të kundërtën – bëhet modeli i tyre për një jetë të shthurur e të pamoralshme –, nuk meriton të jetojë bashkë me një grua e cila nuk dëshiron gjëra të tilla por dëshiron një jetë të mirë e të moralshme.
  2. Burri nuk e ka të lejuar t’i bëjë zullum e padrejtësi gruas së tij, e nëse gruaja bëhet e padëgjueshme sa u përket gjërave të lejueshme e të moralshme të cilat burri i kërkon prej saj, atëherë ligji Islam i ka sqaruar edhe metodat e gjetjes së një zgjidhje rreth kësaj. Ia vlen këtu të përmendet fjala e Pejgamberit ﷺ drejtuar Ebu Mesud Ensariut, i cili vetë tregon: “Teksa po e rrihja një rob timin, dëgjova një zë nga mbrapa: “Dije o Ebu Mesud! Se Allahu është më i fuqishëm ndaj teje, sesa ti ndaj këtij.” Unë u ktheva, kur ja ai ishte i Dërguari i Allahut ﷺ . Në atë rast thashë: “O i Dërguari i Allahut!, po e liroj për hir të Allahut.” Pejgamberi ﷺ tha: “Sikur të mos veproje kështu, do të të prekte Zjarri (i Xhehenmit).” Andaj, nëse kështu qenka puna me sjelljen e pronarit ndaj robit të tij, çfarë të themi për një burrë që sillet keq me familjen e tij.

Motër e nderuar, duhet ta kesh parasysh se për t’u marrë një vendim i tillë të cilin ti po e kërkon, patjetër duhet të dëgjohet edhe pala tjetër, në këtë rast burri yt. Në Islam burri është ai që e ka në dorë divorcin dhe për t’ia kaluar këtë kompetencë gruas ose ai vetë duhet t’ia lejojë këtë gjë gruas me shprehje të qarta drejtuar asaj ose organit kompetent, ose gruaja duhet të ketë arsye të pranueshme për të kërkuar divorc duke iu drejtuar organeve kompetente si gjykata Islame, e nëse nuk ekziston atëherë institucioni kryesor fetar i vendit ku ti jeton apo një hoxhë i mirënjohur në popull për drejtësi dhe fe të mirë.

Për kushtet e kërkimit të divorcit nga gruaja ktheju nëse dëshiron edhe artikullit në faqen tonë: https://pergjigje.net/kur-lejohet-te-kerkohet-divorci-nga-gruaja/

Për fund, ju këshillojmë që të drejtoheni tek hoxha më i njohur i vendit ku ti jeton, t’ia shpjegoni atij gjërat në hollësi, t’i jepni argumente dhe fakte të sakta se ajo që ju po e pohoni është e vërtetë, t’i jepni një numër kontaktues të burrit tënd, apo kontaktin e dikujt prej familjarëve të burrit që njihet për mirësjellje, besueshmëri dhe drejtësi, për ta pyetur në lidhje me burrin tënd, të jeni e sinqertë para Allahut dhe të keni qëllim të pastër se kërkimi juaj i divorcit është vetëm me qëllim të përmirësimit të jetës së familjes tënde e jo për shkaqe tjera materiale apo arsye tjera përfituese të kësaj bote, të jeni e drejtë në akuzën tuaj ndaj burrit dhe në përshkrimin e gjendjes suaj dhe të fëmijëve të tu, gjithmonë duke pasur parasysh që Allahu është Ai që sheh dhe dëgjon çdo gjë, dhe Ai është që sjellë zgjidhjet dhe suksesin, furnizon robërit e Tij me mirësi dhe, nëse ia kanë frikën vetëm Atij, ai sjell lehtësime pas vështirësisë dhe u sjell atyre zgjidhje prej nga nuk e presin fare.

Allahu e di më së miri!

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!

Hekuran Helshani
Pergjigje.net

 

 

 

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit