Familja Heqimi nga qyteti i Fierit, sërish ka përjetuar dhembje. Kësaj radhe armët që shkrepën në qytetin e Fierit, i morën jetën vëllait të tretë të familjes Heqimi, që në qytet njihet si një ndër më të mëdhatë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Lulëzim Heqimi është vrarë mbrëmjen e sotme ndërsa ndodhej pranë një lokali në lagjen “Liri”, bënë të ditur burime nga policia e qytetit. Hakmarrja dyshohet se është shkaku kryesor i vrasjes së një 45-vjeçari.
Emri i tij është i lidhur ngushtë me atë të të vëllait, Arben Heqimit, i cili ka qenë një nga kapo-bandat e Fierit e që është vrarë në vitin 1998.
Vite më vonë, zija ra përsëri mbi familjen Heqimi kur në 2005 plumbat i morën jetën vëllait tjetër, Rivelinos. Ndërkohë, mësohet se 45-vjeçari që u ekzekutua sot kishte dalë nga burgu pak ditë më parë pas një akuze për drogë, transmeton Shqiptarja.
Familja Heqimi ka pasur 6 djem: me viktimën e sotme shkon në 3 numri i vëllezërve të vrarë ndërsa një tjetër ka ndryshuar jetë për shkaqe natyrore. Dy vëllezërit e mbetur ende në jetë janë Agim dhe Bilbil Heqimi. Ky i fundit cilësohet nga burimet policore si numri një që drejton dhe bizneset e familjes, e cila njihet në Fier për lidhjet e hershme dhe trafikun voluminoz të lëndëve narkotike.kohaislame