Sot u mbajt mbledhja e radhës e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Anëtari i këtij komisioni nga radhët e AAK-së, Prof. Shemsedin Dreshaj, përmbledhi në disa pika qëndrimet e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për situatën aktuale shëndetësore në vend. Dreshaj deklaroi se shëndetësia duhet të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës, duke pasur parasysh ballafaqimin me pandeminë COVID-19.
“Qeveria duhet sa më parë t’a hartojë dhe dorëzojë në Kuvend strategjinë legjislative në mënyrë që ne si Komision të fillojmë të punojmë mbi bazën e asaj strategjie. Kritikojmë mungesën e vaksinave për qytetarët tanë. Vaksinimi masiv duhet të ndodhë deri në fund të qershorit ose rrezikojmë të hyjmë në bllokadë totale. Nëse vaksinimi nuk ndodh atëherë ekziston rreziku që të gjitha vendet e rajonit do të bllokojnë Kosovën dhe kjo duhet të jetë jashtëzakonisht shqetësuese për ne”, është shprehur Dreshaj.
Në lidhje me kërkesën që është dorëzuar në Komision nga ana e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës për përkrahje financiare, Dreshaj deklaroi që kjo kërkesë është tërësisht legjitime.
“Mjekët nuk duhet të jenë heronj vetëm në letër por duhet të jenë heronj në vepër. Duhet të rriten subvencionet për personelin shëndetësor dhe jo të ndodhë e kundërta siç ka ndodhur. Madje, rritja e subvencioneve duhet të jetë vetëm zgjidhje afatshkurtër sepse ne duhet të insistojmë që sa më parë të vije në Kuvend Ligji i Pagave, dhe përmes këtij ligji personelit shëndetësorë t’u ofrohet zgjidhja që e meritojnë”, tha ai.
Kërkesë e deputetit Shemsedin Dreshaj ishte po ashtu që Komisioni për Shëndetësi të mbajë mbledhje çdo javë e në bazë të nevojës dhe të mblidhet më shpesh.