-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Drejtori i spitalit kapet me ryshfet në xhep

Më të lexuarat

Xhavit Hajdari, drejtor i Spitalit Rajonal të Gjilanit, është arrestuar nga policia e krimeve ekonomike. Ai dyshohet se ka kryer vepra penale korruptive dhe se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke i shkaktuar dëme të mëdha spitalit që ka menaxhuar.
Policia e krimeve ekonomike në Gjilan ka arrestuar të enjten paradite drejtorin e Spitalit Rajonal të Gjilanit, Xhavit Hajdari, konfirmuan burimet nga policia për “Gazetën Jeta në Kosovë”.

Atij i janë zënë 2.000 euro në xhep nga policia, pasi ia kishte kërkuar një biznesmeni në mënyrë që ai të fitonte një tender. Hajdarit i është caktuar paraburgimi prej 48 orësh, me akuzën “marrje ryshfeti dhe shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit”.

Ismet Hashani, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjilanit, tha se një person nga Spitali Rajonal është arrestuar të enjten para dreke, nga njësia e krimeve ekonomike në Gjilan, duke mos bërë publike detajet e arrestimit.

Por, një burim nga Policia e Kosovës në Prishtinë konfirmoi për gazetën se bëhet fjalë për drejtorin Xhavit Hajdari.

“Ai po hetohej për një kohë të gjatë, lidhur me vepra si korrupsioni, shpërdorimi me detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të paligjshëm”, tha burimi në kushte anonimiteti.

Periudha e menaxhimit të Xhavit Hajdarit si drejtor është manifestuar me shpërdorime të shumta, kanë thënë burime të tjera. Në Repartin e Gjinekologjisë, në dhjetor të vitit të kaluar, janë ndërruar dritaret. Aty, janë vendosur 34 dritare si dhe dy dyer, pa u kryer asnjë procedurë tenderuese. Këto dritare besohet se janë blerë nga kompania “Agro Hermes”, thotë një zyrtar i lartë nga spitali.

Pas kritikave që janë bërë nga punëtorët e spitalit lidhur me blerjen e këtyre dritareve, drejtori ishte arsyetuar se këto dritare ishin dhënë si donacion. Mirëpo, ato donacione nuk ishin protokolluar.

Dosje tjetër me të cilën besohet se po hetohet Hajdari është blerja e 5 makinave të vjetra rrobalarëse për nevoja të spitalit. Ato makina janë blerë në vitin 2009. “Gazeta Jeta në Kosovë” ka siguruar faturën e pagesës dhe aty shihet se për to janë paguar hiq më pak se 29.990 euro. Ato sot e kësaj dite qëndrojnë në korridor, të papërdorura, kurse janë çregjistruar si mjete pune të spitalit. Kështu, pastaj janë blerë edhe tri makina të reja.

Drejtori i SR të Gjilanit, Xhavit Hajdari, ka punësuar pa konkurs 22 persona. Kurse, ka shpallur konkurs së fundmi dhe besohet se në dy pozita ka punësuar si elektricist vjehrrin e djalit të tij, Ruzhdi Hajdinin, si dhe një mekanik, që është Fatos Sadiku, djali i avokatit Abdylaziz Sadiku (mbrojtës i Hajdarit).

Në këtë periudhë kohore të menaxhimit nga Hajdari, spitali i ka hedhë në mbeturina 2.500 infuzione, kurse spitali ka pasur në vazhdimësi mungesë barnash, thekson burimi. Po ashtu, gjitha dritaret e vjetra të aluminit, të reparteve të Gjinekologjisë, Pediatrisë dhe Laboratorit janë ngarkuar në një kamion dhe janë shitur për alumin në Fushë Kosovë. Kurse, fatura për shitjen e tyre besohet se është marrë në Ferizaj. Vlera e dritareve të aluminit të shitura dyshohet të jetë afër 10 mijë euro, thotë burimi i mirinformuar.

Po ashtu, dyshimet ku është implikuar drejtori Hajdari janë ngritur edhe lidhur me kolektorët solarë të gjinekologjisë. Ato nuk janë aktivizuar kurrë, kurse kontrata e mirëmbajtjes së tyre ka kaluar. Në gjinekologji, gjatë renovimeve janë zhdukur edhe dy shporete me kapacitete ngrohëse prej 1.280 kilovatë si dhe dy ngrohës të ujit (bojlerë) me kapacitete prej 5.000 litrash.

Spitali i Gjilanit ka shpenzuar 6.000 euro për hapjen e dy puseve në oborr, ndërsa nuk janë shfrytëzuar asnjëherë.

Avokati Sadiku nuk ka komentuar nëse ka bazë ligjore për arrestimin e klientit të tij.

“Ai tani po merret në pyetje dhe nuk mund t’iu them asgjë në këtë fazë”, tha Sadiku.

Kurse, u.d. i sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, ka thënë se deri në mesditë, të enjten, nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga policia se është arrestuar ndonjë zyrtar i spitalit të Gjilanit.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit