3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Drejtësia dhe barazia si vlera autonome morale – Redi Shehu

Më të lexuarat

Drejtësia dhe barazia si vlera autonome morale

Redi Shehu

Nëse ka një çështje ku qenia njerëzore, në mënyrë të vazhdueshme, ka demonstruar dështime të njëpasnjëshme, është padyshim çështja e drejtësisë dhe e barazisë brenda realitetit ku ai jeton. Pavarësisht se këto janë dy nga termat më të përdorur në çdo fushë, më të folurat, më të premtuarat, përsëri zbatimi i tyre në një ekuilibër dhe ekuivalencë të plotë, është akoma larg horizontit të normalitetit. Kjo edhe për faktin se konceptet e drejtësisë dhe barazisë shpesh kuptohen si të ndara dhe si atribute mekanike, të cilat duhet çuditërisht të zbatohen brenda një gjeometrie e simetrie precize ndaj miliona individualiteve pavarësisht atributeve të posaçme që ata zotërojnë. E gjitha ndodh për shkak se barazia e papërshtatshme është materializimi perfekt i padrejtësisë. Njerëzit janë të barabartë në të drejtat universale që secilit i takon, por ama janë të ndryshëm dhe të diferencuar në kontributet që ata japin në një shoqëri, por edhe më gjerë. Kjo ka bërë që shumë pyetje të ngrihen lidhur me domethënien e marrëdhënieve mes drejtësisë dhe barazisë, sa ato ndikojnë njëra-tjetrën? A janë ato të integruara brenda një koncepti të njëjtë apo secila prej tyre përcakton tjetrën?

Shoqëria e sotme postmoderne ka bërë hapa përpara në zbatimin gjerësisht të drejtësisë dhe barazisë së shtresave të ndryshme sociale, por ajo fatkeqësisht është kujdesur ta bëjë këtë vetëm në dimensionin mekanik duke gjeometrizuar në forma simetrike aplikimin e tyre e, për pasojë, duke lënë jashtë kështu metafizikën e të kuptuarit të drejtësisë. Si shoqëri që kujdeset vetëm për të jashtmen e njeriut, pa njohur dhe pa ndërtuar as edhe një marrëdhënie me të brendshmen e tij, ajo refuzon proporcionalitetin e barazisë si koncept, dhe, duke objektifikuar individët si produkte identike, përpiqet që po në mënyrë të parafabrikuar të pretendojë barazinë mes tyre.

Drejtësia një detyrë morale

Që në fillesat e historisë së mendimit njerëzor, drejtësia është konsideruar si koncepti më i rëndësishëm moral dhe politik. Sfondi moral vjen padyshim nga kultura e transcendencës e cila thotë se njeriu në vetvete është i paaftë të përcaktojë se cilët janë kufijtë e drejtësisë, ashtu siç është i paaftë të përcaktojë se cilët janë kufijtë e moralit. Ai vetë është i paaftë të shpjegojë se përse lind bashkë me një software të instaluar në ndërgjegjen e tij të këtyre kufijve moralë, ku padyshim bën pjese edhe drejtësia. Ky sfond flet për faktin sa i drejtë është ai veprim që është moralisht i duhur. Ndërsa filozofët më në zë, të cilët u morën me drejtësinë, artikuluan duke thënë se natyra e drejtësisë është njëkohësisht një virtyt moral, por edhe një cilësi e dëshirueshme për një shoqëri politike. Platoni e shikonte drejtësinë si një virtyt për të vendosur një rend racional ku secili të ketë rolin e tij pa ndërhyrë në funksionet e pjesëve të tjera të shoqërisë. Aristoteli e konsideronte drejtësinë si diçka të ligjshme dhe drejtësisht të ndershme, ku me këtë të fundit nënkuptonte një shpërndarje të barabartë në shoqëri me qëllim që të korrigjonte pabarazitë.

Në mendimin e krishterë, Agustini konsideronte se virtyt themelor i drejtësinë është që t’u japësh njerëzve atë që u takon, ndërsa Akuinas-i mendonte se drejtësia është mjeti racional mes anëve të kundërta të padrejtësisë e që realizohet përmes shpërndarjes dhe transaksioneve reciproke. Në mendimin e mendimtarëve dhe dijetarëve myslimanë, drejtësia është qëllimi kryesor në një shoqëri, bazuar në drejtësinë e urdhëruar nga Zoti. Ajo është një drejtësi e cila nuk zbret thjesht si një barazi e thatë, por është përtej saj. Mbi të gjitha, ajo bazohet në ekuivalencën ndaj burrave, grave, fëmijëve dhe grupeve të ndryshme shoqërore, të cilat duhet të trajtohen në mënyrën më të vërtetë të mundshme, bazuar kjo më shumë në natyrën e tyre.

Ndryshe nga mendimi i krishterë dhe mysliman, të cilat bazohen në transcendencën, filozofë të tjerë, si p.sh. Hobbes, mendonin se drejtësia është një virtyt artificial i domosdoshëm për shoqërinë civile dhe kontratën sociale. Ndërsa Hume mendonte se drejtësia më shumë është një mjet publik në funksion të mbrojtjes së pronës. Kurse kur fjala vjen tek Kanti, ai e konsideronte drejtësinë një virtyt me anë të të cilit respektojmë pavarësinë e lirisë dhe dinjitetit, duke mos ndërhyrë ndaj të tjerëve përsa kohë ata nuk e dhunojnë këtë pavarësi. Mill, po ashtu, e shikonte drejtësinë si një emërtim kolektiv të rëndësishëm për të nxitur dhe për të mbrojtur lirinë njerëzore. Ndërsa filozofë bashkëkohorë, si Rawls dhe të tjerë pas tij, por që ndajnë të njëjtin mendim me të, e mendojnë drejtësinë si maksimumin e barazisë së lirisë kur bëhet fjalë për të drejtat themelore të anëtarëve të shoqërisë.

Thënë krejt shkurtimisht, në mendimin botëror, drejtësia padyshim që shihej si një virtyt themelor që përcakton marrëdhëniet ndërpersonale mes anëtarëve të shoqërisë, në mënyrë që të garantohej stabiliteti jo vetëm social, por edhe politik i saj në zhbërjen e çdo tiranie të mundshme. Duke vështruar mendimin botëror lidhur me drejtësinë, gjëja e përbashkët që del është se parimi themelor i drejtësisë bazohet në idenë e moralit dhe se ky moral është i pavlerë nëse nuk ka një komunitet që ta zbatojë atë. Ky komunitet duhet patjetër të gëzojë vetinë e të qenurit i moralshëm apo një komunitet i moralshëm burrash e grash të cilët për shkak të kësaj bindjeje, e kthejnë parimin themelor të drejtësisë në një detyrë morale për t’u zbatuar. Ky komunitet i moralshëm e ndërton bindjen e tij ndaj drejtësisë bazuar në faktin se një shoqëri ka më shumë për të fituar nëse nuk arrin të dëmtojë kënd, sesa të kundërtën e kësaj. Nëse drejtësisë i heq këtë parim moral, për më tepër edhe këtë komunitet moral, atëherë ajo që ngelet mund të jetë gjithçka tjetër, por jo drejtësi. Drejtësia është e transhenduar nga jashtë njeriut për njeriun, ngase njeriu, me paaftësitë, mangësitë dhe dobësitë e tij, e ka të pamundur ta përkufizojë vetë drejtësinë, për më tepër edhe kundër dëshirave apo interesit të tij vetjak.

Shteti, i ndërtuar si një autoritet i cili rregullon marrëdhëniet mes njerëzve, e zbaton drejtësinë mbi parimin e të mirës së përbashkët, por ama duke qenë i vetëdijshëm se e mira e përbashkët nuk është gjithmonë qëllimi i përbashkët i çdo anëtari të shoqërisë. Prandaj, është parimi moral i një komuniteti të moralshëm ai që ndan të mirën e përbashkët nga disa qëllime që janë në kundërshtim me të. Për të arritur këtë, shteti përmes ligjit duhet të përshkohet nga motive morale që e kthejnë në detyrë rolin e tij për të qenë burim i të mirës së përbashkët dhe këtë me koston e të qenurit i paanshëm nga hakmarrja shtetërore apo favorizimi shtetëror. Sa më i shëndoshë të jetë komuniteti moral i një shoqërie, aq më burimore dhe e pastër është drejtësia e saj institucionale, sa më larg të qenurit një komunitet i moralshëm, aq më e deformuar është drejtësia e asaj shoqërie.

Pyetja që ngrihet është se si ka mundësi që shoqëri të cilat kanë relativizuar, individualizuar, atomizuar konceptet morale, pra janë komunitete heterogjene morale, kanë një drejtësi institucionale të lavdërueshme. Po ashtu, ka shoqëri që janë kompakte moralisht ndërkohë që drejtësia institucionale e tyre lë shumë për të dëshiruar. Në të dyja rastet, moraliteti i komunitetit nuk reflektohet në institucionet e shtetit. Në rastin e parë, shteti aplikon drejtësinë si detyrë morale e ardhur nga inercia historike e konceptit të drejtësisë me një simetri gati mekanike, pavarësisht heterogjenitetit moral të individëve të saj, në rastin e dytë institucionet korruptohen për shkak se homogjeniteti moral i shoqërive nuk arrin të ndikojë në mekanizmat shtetërorë, sepse këto të fundit janë të imponuara dhe jo të zgjedhura nga vetë këto shoqëri.

Thelbi i kësaj drejtësie është abstenimi nga e keqja si në aspektet individuale, ashtu edhe kur bëhet fjalë për shtetin në raportet e tij me nënshtetasit i cili e ruan këtë thelb përmes detyrës morale për të qenë i drejtë. Kjo drejtësi pastaj transformohet në dobi publike. Që kjo dobi publike të jetë e përhershme dhe e paluhatshme, duhet që koncepti i drejtësisë të jetë i emancipuar nga shkaqet dhe influencat, pra, me pak fjalë, drejtësia duhet të pavarësohet nga ndikimet, të jetë autonome përtej rrethanave dhe personave, dhe i vetmi fenomen që ia garanton drejtësinë këtë, pra e bën autonome nga rrethanat, është aureola morale e tij.

Barazia merr kuptim vetëm në një shoqëri të lirë

Vështirë të mendosh për barazinë dhe në ndërgjegje ky term të mos njësohet me ëndrrën. Në fund të çdo përpjekjeje, barazia ka si qëllim ndërtimin e marrëdhënieve cilësore mes njerëzve dhe proceseve me qëllim zbritjen e saj nga ëndrra në realitet. Që të vendoset kjo barazi duhet që cilësia e njësive krahasuese të ketë disa pika të përbashkëta. Dallimi që duhet bërë në këtë rast, është se barazia nuk është të gëzuarit e vetive identike, për më tepër barazia është mundësia e të vendosurit në një rrafsh të njësive të ndryshme edhe pse kanë cilësi identitare të ndryshme, por që kanë natyrë të njëjtë. Nëse do të përdornim vetëm procesin mekanik të njësimit në emër të barazisë, pa respektuar natyrën e njerëzve, atëherë me kalimin e kohës e gjitha do të transformohej në një padrejtësi të madhe. Pra barazia duhet kuptuar si proces që nxit ngjashmëritë më tepër sesa njëshmëritë apo përputhshmëritë absolute. Komunizmi, për shembull, si shpërndarësi i barabartë i punës, ishte prodhuesi më i madh i padrejtësisë, duke i vënë njerëzit, gjinitë, moshat dhe natyrat e tyre në një plan të rrafshët barazie, por duke vrarë në anën tjetër dallueshmëritë, talentet, dhuntitë, mjeshtëritë, sensualitetet, ndjenjat e shumë tipare të posaçme të natyrës njerëzore.

Në të gjithë spektrin e mendimit botëror, barazia është konsideruar si shtylla kryesore e drejtësisë. Është vështirë të shpjegohet drejtësia nëse nuk përkufizohet barazia në të. Ky përkufizim është i natyrës, siç Aristoteli theksonte, numerike dhe proporcionale. Barazia numerike ka të bëjë me shpërndarjen në mënyrë identike të disa lloje të të mirave dhe të drejtave, kurse barazia proporcionale është trajtimi i personave në sajë të përkatësisë së tyre. Në të gjitha rastet, ashtu si drejtësia, edhe barazia ka nevojë për konceptin moral që ta realizojë një gjë të tillë. Barazia e njerëzve para Zotit dhe respekti për dinjitetin e tyre, daton që në fetë abrahamike dhe sot përfaqësohet nga koncepti i të drejtës natyrore i cili përbën edhe esencën e sotme të drejtave universale të njeriut. Ndërsa në kuptimin e barazisë formale të barazisë ligjore, secili njeri duhet të ketë liri të barabartë në raport me mundësitë sociale dhe institucionale ku fuqia dhe autoriteti duhet të shpërndahen në mënyrë të barabartë. Kjo, arrihet në një shoqëri që në thelb të saj ka përzgjedhjen e lirë. Pra, barazia e mundësive ku secilit i ofrohet një start i barabartë por që rezultati dhe shpërblimet variojnë nga kapacitetet individuale si dhe rrethanat sociale.

Ka një problem në aspektin moral të barazisë, me faktin se shpërndarja vetëm mekanike e të mirave mes individëve nuk merr parasysh dallimet individuale dhe kontekstet sociale të këtyre dallimeve. Nëse njerëz të caktuar duan gjëra të ndryshme, do të ishte e pa kuptim t’u shpërndahen të njëjta të mira materiale. Barazia në shpërndarjen e këtyre të mirave pa i kontesktualizuar ato sjell pabarazi në të kënaqurit e njerëzve. Mohimi i dallimeve etnike, kulturore, gjinore dhe racore mund të interpretohet si paaftësi për të lexuar dallimet mes njerëzve. Përpjekja për t’i konsideruar këto dallime si të parëndësishme është ikje nga realiteti dhe ndërtimi i një barazie fiktive. Barazi reale është ajo që duke marrë në konsideratë këto dallime vlerore, gjen mekanizmat për të garantuar shpërndarje proporcionale, meritore të të mirave. Imagjino sikur të varfrit dhe të pasurit të trajtoheshin të barabartë në dhënien e bamirësisë, kjo vetëm sa do ta shtonte më tepër pabarazinë. Po ashtu, imagjinoni sikur gratë dhe burra të merrnin pjesë ne luftë në mënyrë të barabartë, apo në punët më të rënda të trajtohen njësoj, apo sikur burrat të kishin të njëjtën pjesëmarrje në profesionin e mamisë, sa shoqëri e pabarabartë do ishte. E njëjta gjë ndodh sikur njerëz punëtorë dhe inovatorë të trajtoheshin në mënyrë të barabartë me dembelët dhe parazitët e një shoqërie. Regjimi komunist e çoi pabarazinë në emër të barazisë deri në absurd, ku gra në ara, furrnalta dhe kantiere, pikturoheshin me trupa bodybuilding që turpëronte çdo mashkull.

Nga ana tjetër, çdo individ, pjesëtar i një shoqërie të lirë, gëzon të drejtën e pjesëmarrjes në pasurinë kombëtare, nëntokësore e mbitokësore, nga nafta, gazi, ari, diamantet, metale të tjera të rralla e kështu me radhë. Kjo pjesëmarrje e barabartë në pasurinë e përbashkët është një formë e shpërndarjes numerike të barazisë për të ndërtuar një ekuilibër dhe mirëqenie sociale. Këto pasuri i kthehen qytetarit nga administrimi i drejtë i pasurive në formën e shërbimeve dhe standardit të lartë të jetesës. Çdo monopolizim, personalizim apo abuzim me pasuritë publike është cenim i drejtpërdrejtë i sensit të barazisë dhe paradhoma e padrejtësisë. Aksesi në shërbime, mundësi dhe në pasuritë kombëtare, duhet të jetë i barabartë, ashtu siç është e barabartë përgjegjësia para ligjit dhe përfitimet nga të drejtat universale të njeriut. Ndërkohë që diferenca, dallimi në mes njerëzve qëndron në formën dhe masën se si ata i shërbejnë shoqërisë.

Proporcionaliteti i barazisë si akt drejtësie

Jo çdo akt barazie nënkupton automatikisht një akt drejtësie. Padyshim që barazia është mekanizmi kryesor përbërës i drejtësisë, por ka raste kur barazia mekanike, simetrike të prodhojë padrejtësi. Ajo që ka rëndësi është arritja e një përfundimi apo rezultati të drejtë edhe pse metoda e ndjekur mund të duket jo e barabartë. Kjo bën që mes drejtësisë dhe barazisë të ketë një dallim cilësor mes tyre. Është tjetër gjë të pohojmë shpërndarjen e barabartë të drejtësisë dhe është tjetër gjë të konstatojmë shpërndarjen e barabartë të padrejtësisë. Regjime të cilat në thelb nuk kanë zgjedhjen me vullnet të lirë, janë të dënuara të garantojnë shpërndarje të barabartë të padrejtësisë, e kur është kështu, atëherë heshtja është akti më i padrejtë i mundshëm. Nga ana tjetër shpërndarja e barabartë e drejtësisë është procesi që garanton siguri, paqe dhe rend në një shoqëri.
Në përgjithësi, drejtësia dhe barazia i shërbejnë njëra-tjetrës, i japin kuptim secila tjetrës me qëllim që të arrijnë në një përfundim të përbashkët. Çfarë kuptimi do të kishte barazia nëse do t’i hiqnim drejtësinë, po ashtu çfarë kuptimi do të kishte drejtësia nëse komponent thelbësor të saj nuk do kishte barazinë. Çfarë kuptimi ka sot koncepti i imunitetit politik të disa politikanëve nëse pranojmë se secili është i barabartë para ligjit, pavarësisht racës, etnisë, gjinisë, shtresës apo përkatësisë fetare? Po ashtu, çfarë kuptimi do të kishte barazia simetrike nëse nuk do të përshkohej nga përshtatshmëria në përputhje me natyrën e qenies njerëzore? Një shpërndarje numerikisht njësoj i detyrimit për të luftuar si tek burrat dhe tek gratë, do të ishte padrejtësi ndaj gjinisë femërore, sepse bie në kundërshtim me statusin natyral të saj. E njëjta gjë ndodh me shtresa të ndryshme të shoqërisë, si fëmijët, të paaftit të sëmurët, invalidët etj. Proporcionaliteti, edhe pse në vështrimin e parë duket si një akt pabarazie, ajo në fund i shërben një qëllimi madhor, vendosjes së drejtësisë mes natyrave të ndryshme të njerëzve.

Sot, vlerat e dhe koncepti i drejtësisë dhe barazisë, po i nënshtrohet një ndryshimi të vazhdueshëm, sidomos në shoqëritë perëndimore. Këto vlera, duke ndryshuar vazhdimisht sipas ligjeve, ideologjive që vijnë në pushtet, e kanë hutuar individin e sotëm i cili po humb referencën transcendente të këtyre vlerave dhe gjendet para shumë dilemave. Ai po harron se kulmi i drejtësisë, është ta trajtosh tjetrin korrekt duke shfaqur drejtësi edhe ndaj atyre që ai i urren, apo edhe ndaj atyre që e kanë dëmtuar atë me pa të drejtë. Lëvizjet e ndryshme politike, grupet e interesit, lobimet e pafund, kanë instrumentalizuar konceptin e barazisë sipas agjendave të tyre duke futur në kolaps vetë rolin natyral të individit në mjedisin ku ai jeton. Vetëm një rikthim i drejtësisë dhe barazisë si vlera autonome morale, mbi ideologjitë, politikën, loginjet etj., e pavarëson atë nga kurthi i rrethanave dhe bën atë referencë të pandryshueshme.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit