-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Drecun: Veseli u ka dhënë instruksione shqiptarëve të Luginës

Më të lexuarat

Kryetari i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën (ish raportues special i RTS-it ngjatë luftës në Kosovës dhe bashkëpunëtor i besueshëm i shërbimit sekret ushtarak jugosllav), Milovan Drecun, ka vlerësuar se prapa “qëndrimit jashtëzakonisht të ngurtë” të përfaqësuesve të shqiptarëve në jug të Serbisë lidhur me çështjen e përmendores së luftëtarëve të vrarë të UÇPMB-së, qëndrojnë autoritetet në Tiranë dhe në Prishtinë.
Ata, sikurse ka deklaruar Drecun për mediat serbe, dëshirojnë destabilizimin e atij rajoni, ndërkombëtarizimin e problemit jo ekzistues dhe çmilitarizimin, respektivisht shkuarjen e xhandarmërisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë nga jugu i shtetit.

“Tirana në marrëveshje me Prishtinën dëshirojnë të nxisin destabilitet në jug të Serbisë”, ka thënë Drecun dhe ka shtuar se ka informatën se dora e djathtë e Hashim Thaçit, “ish shefi i Shërbimit Sekret ilegal të Thaçit, Kadri Veseli, dje ka pasur bisedime intensive me disa drejtues politik shqiptarë nga jugu i Serbisë”. Ai ka cekur se Veseli atyre u ka dhënë instruksione si të sillen.

“Ekziston rreziku që sipas direktivës nga Prishtina të përpiqet vetorganizimi i shqiptarëve dhe të shkaktohet radikalizmi, e unë besoj se ky ka qenë instruksion kyç që Veseli ua ka dhënë disa përfaqësuesve të shqiptarëve në jug të Serbisë – që të shkaktohet konflikti eventual me pjesëtarët e forcave tona të sigurimit”, ka thënë Drecun, transmeton RTK.

Sipas tij, pastaj do të kërkohej jo vetëm ndërkombëtarizimi i problemit inekzistent, veç çmilitarizimi, respektivisht largimi i xhandarmërisë, dhe ka shtuar se “ky është qëllimi shumëvjeçar i atyre që veprojnë në atë territor në anën shqiptare”.

Drecun ka cekur se Prishtinës nuk i konvenon iniciativa e fuqishme e Serbisë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe destabilizimi i mundshëm i jugut të Serbisë është i ndërlidhur direkt me miratimin e Rezolutës mbi Kosovën.

“Përmendorja është ngritur ekskluzivisht me qëllim të nxis destabilitetin e atij territori dhe ngecje në dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

Destabilitetin e situatës po e dëshirojnë, planifikojnë dhe po punojnë aktivisht në të, përfaqësuesit e regjimit në Tiranë, të institucioneve të vetëshpallura në Prishtinë dhe disa përfaqësues politik shqiptar, dhe kjo nuk është rrugë e mirë për zgjidhjen e problemit”, tha Drecun.

Kur është fjala për heqjen e përmendores, ai ka nënvizuar se Serbia duhet patjetër të reagoj si edhe të gjitha shtetet në botë dhe ka shtuar se “heqja e përmendores nuk është e thënë të jetë me dhunë. Nuk është e thënë të rrënohet, thjeshtë mund të largohet, sepse në atë vend as që ka qenë”, ka theksuar Drecun.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit