14.7 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Dr. Ismail Lutolli: Në shumë spitale tona sot për një kontroll mund të presësh edhe me javë apo muaj, kjo është absurde

Më të lexuarat

Dr. Ismail Lutolli është një kuadër i rrallë i fushës së shëndetësisë. Studimet bazike i ka përfunduar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Ai ka specializuar në fushën e pediatrisë në Sarajevë në vitin 2014-të, kurse gjatë këtij viti e ka kryer sub-specializimin në fushën e dietologjisë (nutricionizmit), gjithashtu në Sarajevë. Është po ashtu në përfundim e sipër të sub-specializimit në fushën e hematologjisë, onkologjisë, duke qenë gjithashtu kandidat në studimet e doktoraturës në Universitetin e Sarajevës. Trajnimet e shumta në fushat përkatëse, e bëjnë atë një vërtetë një profesionist të kërkuar. Prandaj ai është pjesë e ekipit të ngushtë për transplantimin e palcës kockore tek fëmijët me sëmundje malinje.
Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re, Lutolli u është pyetjeve që kanë të bëjnë me imunitetin e fëmijëve, përdorimin e antibiotikëve, duke e ndarë shqetësimin e madh me qytetarët për gjendjen e sistemit shëndetësor në Kosovë. Veç tjerash, në këtë intervistë, ai ka dhënë edhe disa sugjerime të vyera, jo vetëm për lexuesit, por edhe për zyrtarët e institucioneve.

GER: Z. Lutolli, duket që jeni njeri i papërtueshëm. Kjo vihet re sidomos me detyrat që ia keni vënë vetes, pas themelimit të portalit Familja dhe Shëndeti, platformë kjo nëpërmjet së cilës ofroni këshilla shëndetësore falas për të interesuarit, e veçanërisht për prindërit. Pse vendosët ta merrnit një hap të tillë?
Lutolli: Kishte vite që e mendonim dhe e analizonim një projekt që do ta përfshinte çdo familje. Kishte kohë që na shqetësonte aspekti i degradimit të pozicionit të mjekut si humanist dhe njeri në shërbim të të tjerëve. Gjendja e përgjithshme tek ne, prej kohësh reflekton zhgënjim total ndaj sistemit shëndetësor. Mjeku, ai që do të duhej të shihej si njeri i shpresës, njeri që ofron shërim, buzëqeshje e gjallërim, perceptohet si njeri i korrupsionit, si materialist i skajshëm, që si bëhet vonë për shëndetin e askujt. Prandaj, me një grup vullnetmirësh e profesionistësh nga fusha të ndryshme (ku do ta veçoja Dr. Jeton Zenunin,Mr.Ph Laureta Berishën,Dr.Besa Vranovci me të cilët jemi në koordinim qysh nga hapat e parë), pasi e menduam dhe e analizuam gjatë, vendosëm të dalim me një platformë elektronike informuese, që nuk ka ekzistuar më parë, të cilën e quajtëm me emrin “Familja dhe Shëndeti”. Nëpërmjet saj synuam ta rikthejmë shpresën e humbur tek populli ynë, besimin e zhdukur ndër vite ndaj profesionit të mjekut dhe humanizmit në përgjithësi. Synuam të rikthejmë ndihmën aq të nevojshme për popullin tonë, ndihmën në 24 orë.

Si rrjedhojë, për një kohë rekorde grumbulluam rreth këtij projekti mbi 150 mjekë e profesionistë të fushave të ndryshme nga çdo cep i Evropës e më gjerë. Startuam edhe me uebfaqen dhe sot aty kemi dhjetëra shkrime shkencore të dobishme për çdo familje. “Familja dhe Shëndeti“ sot ka afro 100 mijë anëtarë, ku mund të gjeni: këshillat për shëndet dhe udhëzime e ndihmë konkrete… Aty do të gjeni gjithçka që i duhet një familjeje duke u nisur nga planifikimi i shtatzënisë së shëndetshme, rritjes së mbarë të fëmijës, edukimit, rritjes dhe zhvillimit normal, si dhe gjithçka rreth shëndetit dhe jo vetëm.

Nëse sot synoni një familje të shëndoshë ka një rrugë dhe një emër: “Familja dhe shëndeti”. Ata që trokasin në këtë portë do ngelen të kënaqur. Unë vetëm bëra punën time së bashku me një ekip të mrekullueshëm, aq sa te kjo platformë, arrita për t’i ofruar diçka të dobishme popullit tim dhe për këtë jam i lumtur. Kjo është pak nga ajo që synojmë. Ngelet që në të ardhmen të realizohet edhe më shumë nga ajo që planifikojmë.

GER: Sa jeni i njohur me realitetin kosovar, për çka mendoni që ka më së shumti nevojë sistemi ynë shëndetësor?

Lutolli: Sistemi ynë shëndetësor ka nevojë për reformë të thellë në të gjitha aspektet. Ka nevojë për rikthimin e besimit në institucionin shëndetësor, ka nevojë për shërbim cilësor në spitalet shtetërore dhe mbi të gjitha ka nevojë për ndarje të qartë e ligjore të aspektit të punës shtetërore dhe private.
Në shumë spitale tona sot për një kontroll mund të presësh edhe me javë apo muaj, kjo është absurde! Për një egzaminim MRI duhet pritur edhe deri në 12 muaj, për një analizë patohistologjike duhet të paguash, për një intervenim kirurgjik prapë duhet pritur me javë e qe besa edhe me muaj – kjo tregon deri ku është katandisur shëndetësia në Kosovë. Madje, madje, edhe nëse jeni i hospitalizuar brenda institucionit spitalor shumicën e barnave, deri te shiringat e thjeshta, duhet të shkosh t’i blesh, nëse do të shërohesh. Kjo gjendje është skandaloze dhe duhet hapa të shpejtë për të ndryshuar.

Me të drejtë thoshte një mik i imi, po ashtu mjek: nëse dëshiron që një i afërt të mos vuaj shumë por të ketë vdekje të shpejtë, duhet shtrirë në një nga spitalet tona dhe gjithçka do të përshpejtohet. Ekziston një boshllëk i madh i përfshirjes në trajtim sidomos të moshës pediatrike dhe moshë së tretë. Pra kemi mungesë totale edhe të besimit në vet institucionin e mjekut. Në anën tjetër kemi një pozicion “mjerues” të mjekut sa i përket pagës mujore. Ai nënçmohet, bashkë me stafin tjetër shëndetësor. Ata nuk trajtohen me dinjitet, ata sulmohen e nënçmohen nga të gjithë. Thjesht, është shumëçka siç nuk duhet të jetë. Kuptohet nuk po them që nuk ka tendenca apo përpjekje për ndryshime pozitive.

GER: Le të kalojmë në diçka më konkrete, siç mund ta merrni me mend, tek ne, prindërit e shqetësuar, shpeshherë ngarendin drejt përdorimit të antibiotikëve, kur fëmijët e tyre atakohen nga ndonjë sëmundje virale, grip, ftohje apo thjesht skuqje e rrugëve të frymëmarrjes. Në disa artikuj, ju i keni këshilluar ata, që të mos nxitojnë në përdorimin e tyre. A mendoni që kjo ka të bëjë edhe me mendësinë dhe kulturën tonë kjo punë?

Lutolli: Mendësia dhe kultura jonë në fushën e shëndetësisë ka rolin kryesor. Pra jemi të gjithë fajtorë, në këtë rol negativ, nuk amnistohen as mjekët e në veçanti firmat farmaceutike. Një sistem i ngritur imunitar, i siguron fëmijës një mbrojtje të fortë natyrale nga sëmundjet. Një sistem i qëndrueshëm imunitar, nënkupton më pak brenga gjatë sëmundjeve si dhe më pak vuajtje të vet fëmijës. Synimi jonë kryesor si prindër, duhet të jetë që gradualisht t’ua forcojmë imunitetin fëmijëve, në mënyrë që organizmi të ketë aftësinë të përballet suksesshëm me sëmundjet e ndryshme e jo të vrapojmë pas antibiotikëve dhe preparative tjera. Sistemi imun mbron organizmin nga mikroorganizmat (bakteret, viruset, kërpudhat, parazitët), të cilët shkaktojnë sëmundje të ndryshme. Fëmijët janë të ekspozuar ndaj një numri të madh virusesh dhe bakteresh në mjedisin e tyre të përditshëm. Ndërsa, tek disa fëmijë sistemi imunitar me sukses lufton kundër një shumëllojshmërie të mikroorganizmave, të tjerët kanë më shumë gjasa të sëmuren, qofshin nga probleme më të zakonshme si: gripi, ftohjet, alergjitë apo ato serioze, të shkaktuara nga disbalansimet e gjata imunitare. E tërë kjo nënkupton sëmundje të shpeshta.
E tërë kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton se për sëmundjet virusale duhet bërë përdorimi i antibiotikeve. Mos përdorni antibiotikë pa arsye të qartë, është një ndër masat preventive që gjendja të mos vijë deri te dëmet në sistemin imunitar. Pjesa dërmuese e sëmundjeve në moshën e fëmijërisë janë të shkaktuara nga infeksionet virale. Çdo përdorim i panevojshëm i antibiotikëve, vetëm do komprometoj sistemin imunitar dhe do të krijojë rezistencë ndaj antibiotikëve në të ardhmen.
për të përmbledhur më qartë: evitoni përdorimin e panevojshëm të antibiotikëve, mos e vrisni të ardhmen imunitare të fëmijëve tuaj. Insistoni nga mjeku të dini arsyen e saktë të përdorimit të antibiotikëve dhe kjo të dokumentohet më analiza ose ekzaminime përkatëse.

GER: Nëse jo përdorimi i antibiotikëve për sëmundjet e zakonshme, cilat janë masat tjera që në shtojmë imunitetin tek fëmijët tanë ?

Lutolli: Ka shumë rrugë për ngritje të imunitetit në mënyrë natyrale, por këtu dua ta vë theksin te disa ndër më të rëndësishmet: 1. Qumështi i gjirit, faktor shumë i rëndësishëm. (Qumështi i gjirit mund të përmirësojë ndjeshëm imunitetin dhe të mbrojë fëmijën nga inflamacionet e fytit, diarretë, alergjitë, infeksionet e traktit urinar. Qumështi (kolostrum – i dendur i verdhë), i cili është i sekretuar në ditët e para pas lindjes, është jashtëzakonisht i rëndësishëm, me përbërës siç janë imunoglobulina, leukocitet dhe antitrupa kundër viruseve dhe baktereve, që mbrojnë fëmijën nga infeksionet.) 2. Ushqimi i mirë dhe cilësor, dietë e ekuilibruar. Një dietë e ekuilibruar siguron një sistem të fortë dhe të shëndetshëm imun. Deficiti nutritiv, mund të shpie tek problemet kronike imunitare, meqë bakteret dhe viruset e kanë më të lehtë zhvillimin, nëse mungojnë disa nutritivë të cilët stimulojnë sistemin imun. Është e rekomanduar, që në dietën e përditshme, të përfshihen fruta të freskëta dhe perime (përmbajnë karotenoide-substanca natyrore që stimulojnë sistemin imunitar), drithërat, arra dhe fara. Ushqimet që kontribuojnë në forcimin e imunitetit janë: limoni, grejpfruti, bananet, pjepri, boronica, luleshtrydhe, kajsia, mango. Gjithashtu edhe perimet si: qepë, hudhër, domate, spinaq, brokoli, patate e ëmbël, kungull i njomë, karota, lakër, fasule dhe produkte soje (të gjitha këto ushqime janë shumë të pasura me nivele të larta të vitaminave, mineraleve, enzimave dhe antioksidantëve që forcojnë sistemin imunitar). 3. Sigurohuni që fëmija juaj të ketë gjumë të qetë dhe të mjaftueshëm, aktiviteti fizik i domosdoshëm gjithashtu, shumë kujdes mos i ekspozoni fëmijët tuaj tek pirja pasive e duhanit 4. Pakësimi i marrjes së ëmbëlsirave dhe sheqerit dhe sigurohuni që fëmija të merr lëngje mjaftueshëm si dhe marrja e acideve yndyrore të pangopura 5. Marrja e vitaminave dhe mineraleve të nevojshme si :

Vitamina C – kryeson listën, kur bëhet fjalë për forcimin e imunitetit. Dozën e nevojshme ditore të vitaminës C është më mirë ta merrni nga ushqimet natyrale, se sa si suplement.Frutat janë një burim i mirë i saj si: limoni, portokalli, papaja, kivi, luleshtrydhet, apo perimet, sidomos specat, brokoli dhe lakra. Kjo vitaminë, për shumë arsye gjendet në majën e listës të nutrientëve imunogjenë.
Vitamina D – sistemi imunitar nuk mund të aktivizohet pa praninë e saj.
Vitamina E – është një antioksidant i rëndësishëm, që kontribuon në forcimin e imunitetit tek fëmijët.
Zinku –, Magneziumi Vitaminat B- këto vitamina përbëjnë grupin e 8 vitaminave të lidhura mes vete, të cilat në natyrë ndodhen në burime të bimëve dhe të kafshëve. Burime të pasura me vitamina B janë: perimet me gjethe të gjelbërta, drithërat integrale, patatet, bishtajat, arrat, mëlçia dhe mishi i thatë.
GER: Ju përpos pediatër jeni edhe subspecialist dietolog e nutricionist, sa e ndihmojnë njëra tjetrën këto fusha e disiplina?

Lutolli: Ndërlidhja e këtyre fushave është esenciale dhe me një rol të veçantë. Për mua një pacient fëmije ose i rritur si fillim trajtohet nga aspekti mjekësor, pra merrem me gjetjen e faktorëve organikë për procesin apo sëmundjen që kalon. Pasi përjashtojë faktorët e tillë apo sjell dijagnostifikimin e faktorëve të tillë, merrem me shërimin e tyre. Në anën tjetër merrem ngushtesisht me fushën dietologjike si një proces shumë ndihmues, e në ca raste esenciale, në aspektin e shërimit.
Marrim shembull një fëmijë apo të rritur me mbipeshë. Ky pacient nuk ka mundësi të shërohet vetëm me këshilla dietologjike siç ndodh tek ne në Kosovë. Ky pacient ka nevojë për trajtim mjekësor dhe dietologjik. Pra ka nevojë për të dy aspektet shumë të rëndësishme. Unë në punën time i kombinojë të dyja këto aspekte dhe rezultatet i kam shumë të kënaqshme. Marrim edhe një shembull tjetër; një e sëmurë me gjëndrren tiroide nuk mund të humbas peshën edhe me 100 plane dietologjike nëse nuk e bëjmë si fillim korrigjimin me terapi të mungesës së hormoneve të gjëndrës tiroide. Pra duhet kombinim i dy aspekteve shumë të rëndësishme. Janë të gjitha këto arsye që më kanë shtyrë që pas speciualizimit tim të bëjë edhe një subspecializim pikërisht në fushën Dietologji dhe Nutricionizëm.
Duhet të sqaroj që në Kosove e Shqipëri kemi një problem me perceptimin e termit dietolog dhe nutricionist. Nuk duhet harruar se nutricionisti është një këshillues i thjeshtë i mirëushqyerjes, ndërsa një dietolog është në një shkallë shumë më të lartë në formimin profesional. Një dietolog klinik apo një mjek dietolog nuk bënë vetëm dieta për të humbur apo për të shtuar peshë, përkundrazi, dietologu ka kompetencën e plotë dhe autoritetin profesional për të marrë përsipër përcaktimin e regjimit ushqimor të njeriut në të gjitha fazat e jetës apo edhe në të gjitha patologjitë e ndryshme. Një dietolog harton dieta për humbjen apo shtimin në peshë, dieta për parandalimin e sëmundjeve kronike, sëmundjeve malinje, dieta për kontrolle efikase te diabetit, të sëmundjeve inflamatore, reumatizmale etj, etj. Një dietolog është shtylla kryesore e ndihmës në procesin e shërimit të suksesshëm të sëmundjeve të traktit digjestiv, sëmundjeve malinje etj. Një dietolog formon plane individuale për sportistët për performancën e tyre drejt suksesit. Këtë mund ta bëje vetëm një dietolog klinicist e jo një nutricionist.
Pra dietologjia është shkencë që jo vetëm ndihmon por shpeshherë ka rolin kryesor në procesin e ruajtjes e promovimit të shëndetit të mirëfilltë. Tek unë i gjen të kombinuara disa fusha si pediatri, dietologji – nutricionizem, hematologji, onkologji e me raste edhe gastroenterologji. Të gjitha e ndihmojnë njëra tjetrën për shërimin efikas te pacienteve që kam.

GER: Për do kohë patën qarkulluar disa informacione të dyshimta, që disa nga vaksinat të cilat i marrin fëmijët në moshën e hershme, mund të shkaktojnë autizmin, cili është opinioni juaj për këtë?

Lutolli: Së pari duhet të kuptojmë nga ku rrjedh filli i tërë këtij debati, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite. Mjeku britanez, Andrew Wakefield besoi që kishte zbuluar lidhjen në mes vaksinës MMR dhe autizmit, por faktet e mëvonshme e rrëzuan këtë pretendim.

Gastroenterologu britanik, Andrew Wakefield me 1998 publikoi në revistën mjekësore “The Lancet”, shkrimin “Ileal-lymphoid hyperplasia, non –specific colitis, and pervasive developmental disorder in children”, që bazohej në konstatimin që vaksina MMR shkakton inflamacionin intestinal dhe për pasojë peptidet, të cilat zakonisht nuk kalojnë në rrymën e gjakut, translokohen dhe me pas mbërrijnë në tru, ku sjellin dëmtime të theksuara që prekin direkt zhvillimin e fëmijës. Me një fjalë sjellin tek një sërë çrregullimesh mbi të gjitha autizmin. Studimi u zhvillua në fëmijë me shenja dhe ankesa gastrointestinale tek të cilët endoskopia zbuloi hiperplazimodularelimfoide. Te të gjithë këta fëmijë shfaqen shenjat e autizmit një muaj pas marrjes se vaksinës MMR. Më vonë nga rrethet shkencore ky shkrim u kontestua dhe u hodh poshtë si pretendim i pasaktë kërdisa arsye. Mungesa e grupit të kontrollit për të parë nëse shfaqja e autizmit ishte koincidencë apo kishte shkakun e pretenduar.

Në kohën kur ndodhi studimi rreth 50.000 fëmijë në Angli merrnin vaksinën MMR (fruthit, shytave dhe rubeolës), në moshat 1 deri 2 vjeç dhe duke ditur që prevalenca e autizmit ishte 1 në 2000 fëmijë ishte e pashmangshme që 25 fëmijë në muaj vetëm nga shanci të diagnostikoheshin me autizëm pas marrjes së MMR-së. Shenjat gastrointestinale nuk i paraprijnë autizmit në shumicën e fëmijëve dhe kjo bie në kundërshtim me nocionin që pretendohej në studim, ku inflamacioni intestinal lehtësonte invazionin e gjakut dhe peptideve drejt SNQ-së. Peptidet encefalopatike të akuzuara që udhëtojnë nga zorrët drejt trurit nuk kanë arritur që të identifikohen asnjëherë. Më vonë u bënë edhe një sërë studimesh që nuk arritën të mbështesin lidhjen në mes MMR vaksinës dhe autizmit. Për shembull në Kanada u pa se shifrat e autizmit u rritën, të cilat koincidonin me uljen e numrit të të vaksinuarëve kundër MMR. Në fakt, do të duhej të ndodhte e kundërta nëse do të mbështeteshim në pretendimin e mjekut anglez.
Po ashtu janë bërë edhe studime retrospektive në Danimarkë, Finlandë, dhe SHBA që u theksuan më lart dhe nuk është gjetur diferenca në mes fëmijëve autikë të vaksinuar dhe atyre të pavaksinuar për sa i përket moshës dhe rrezikut për shfaqjen e autizmit.

GER: Pra ju i hidhni poshtë teoritë që “vetëm” vaksinimi ka rolin kryesor në sëmundjen e autizmit?

Lutolli: Mendoj se çdo pretendim që autizmin e ndërlidh vetëm me vaksinimin është jo saktë dhe jo korrekt. Ka synime që ta ndërlidhin vetëm me aspektin gjenetik apo vetëm me aspekte të tjera të ngjashme. Dikur autizmi ishte 1 në 10.000 persona, sot është 1 në 130. Diçka serioze dhe alarmante është duke ndodhur. Asnjëherë nuk ka ekzistuar epidemi gjenetike.

Sot kemi rënie të kurbës së vaksinimit dhe nëse vaksinimi do ishte shkaku kryesor do të duhej të kishim edhe rënie të kurbës së shfaqjes së rasteve me autizëm, por po ndodh e kundërta, pra kemi shpeshtim drastik të rasteve me autizëm. Ngelet që në vitet në vijim të bëhen studime shkencore dhe të analizohet ndërlidhja e autizmit me sëmundjet malinje, astmën, artritisin e disa sëmundje të tjera në rritje, si dhe me të gjithë faktorët që na rrethojnë. Në rend të parë duke filluar nga ushqimi si faktori më i rëndësishëm, pastaj mënyra e jetesës, ekspozimi ndaj faktorëve kancerogjenë, vaksinimi, përdorim i panevojshëm i antibiotikëve, etj.

GER: Për fund, le të kujtojmë një insert nga karriera juaj. Para disa vitesh keni qenë pjesëmarrës në një procedurë të ndërlikuar që është kryer në Sarajevë, me ç’rast bëhej fjalë për transplantimin e qelizave të palcës kockore, çka mendoni, a ka kapacitete Kosova për realizimin e rasteve të tilla të ndërlikuara?

Lutolli: Për t’u bërë punë të mëdha duhet vullnet dhe mbështetje institucionale. Është e vërtetë se bëj pjesë në stafin e ngushtë apo ekipin e transplantimit të palcës kockore. Në fazën e studimeve në subspecializim në fushën hematologjike dhe onkologjike, gjithashtu kam pas fatin të jem i lidhur direkt në ekipin e transplanteve të palcës kockore (transplantimin autolog i palcës kockore). Një intervenim i tillë këtu ku unë punoj është realizuar edhe tek fëmijët 1.5 vjeç (neuroblastoma). Është procedurë që rrit në masë të madhe gjasat e shërimit tek të sëmuret me malignitet. Në një pjesë të fazës sime të edukimit, jam aftësuar për sa i përket bërjes pjesë së ekipeve të tilla, dhe këtë e kam mbaruar në Turqi. Vitet e fundit mjekësia në Turqi ka treguar suksese të mëdha në transplantin e palcës së kockave dhe është renditur e 4-ta në Evropë. Pra për t’iu përgjigjur pyetjes se a mund të bëhet diçka e tillë edhe tek ne në Kosovë? Mendoj se në një të ardhme, nëse ekziston vullneti i duhur, mund të behet dhe do të ishte shpëtim si për familjaret me të sëmurë malinje e gjithashtu edhe për buxhetin e Kosovës. Mos të harrojmë se shërimi apo transplanti i një të sëmuri nga Kosova në Turqi apo kudo tjetër kushton rreth 200 mije euro e në ca raste shifrat dyfishohen. Pra bëhet fjalë për shuma marramendëse.
Unë nuk do hezitoja për asnjë moment që të rikthehesha në vendin tim dhe të kontribuoja sadopak që një ditë të sëmurët me leukemi, por edhe sëmundje tjera malinje, t’i shërojmë në Kosovë.
Shpresoj që do të vijë ajo ditë, s’ka asnjë arsye të ndodhe e kundërta. Jam shumë optimist se përmes platformës ‘Familja dhe Shëndeti’, do të ndodhin gjëra shumë të rëndësishme në Kosovë.
E posedojmë potencialin e duhur dhe një ekip të përkushtuar që t’i realizojmë edhe projektet që deri tani nuk janë dëgjuar në Kosovë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit