9.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Dosje-Besimtarët myslimanë në Mal të Zi filluan agjërimin për Muajin e Shenjtë të Ramazanit

Më të lexuarat

Krye Imami i Bashkësisë Islame në Ulqin Ali Bardhi duke folur për Muajin e shenjtë të Ramazanit, në një intervistë për “Zërin e Turqisë” thotë se ky muaj ka një rëndësi të veçantë për myslimanët. Në këtë muaj të shenjtë ka filluar dhe shpallja e Kuranit Famë lartë, andaj duke u veçuar nga muajt e tjerë ai është më i madhëruar nga Zoti. Sipas Z. Bardhi, Muaji i Ramazanit ka një sërë të mirash ashtu siç vetë Profeti jonë na njofton se është muaji i mëshirës, begatisë dhe shpëtimit. Andaj gjatë këtij muaji duhet të kryhen obligimet fetare siç janë: falja e namazit të teravihve, këndimi i Kuranit dhe dhënia e sadakas së fitrit.

Nisur nga kjo z. Bardhi thotë se në të gjitha xhamitë e komunës së Ulqinit janë bërë përgatitjet dhe janë gati për besimtarët. “ Natyrisht se do të kemi aktivitete ku do të shfrytëzojmë momentet e iftarit. Do të kemi një Iftar shumë të madh që shtrohet nga shoqata ISKED dhe ky do të jetë një rast që të organizojmë ndonjë aktivitet. Do të jenë të ftuar rreth 700 persona në mënyrë që edhe të shfrytëzohet iftari por edhe të kemi ndonjë program. Para namazit të teravihve në të gjitha xhamitë e Ulqinit do të ketë ligjërata “.

Iftare dhe pritje nga Ambasadat dhe shoqatat bamirëse

Prej vitesh, gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit është bërë traditë që Ambasada e Republikës së Turqisë në Podgoricë dhe TIKA të organizojnë Iftare ku ftohen personalitete të korit diplomatik, përfaqësues të autoriteteve vendore dhe personalitete nga bota e artit, shkencës dhe kulturës. Iftare shtrojnë dhe disa ambasada të tjera siç është ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Emirateve por edhe disa shoqata bamirëse. “ Sa i përket ambasadave ato organizojnë iftare ku ftohen përfaqësues nga të gjitha qytetet e Malit të Zi. Ambasada e Turqisë ç’do vit e organizon iftarin në Podgoricë, ambasada e Emirateve vitin e kaluar e ka organizuar në Qendrën Islame në Tivar, por për momentin mund të veçoj vetëm iftarin e madh që është paralajmëruar nga shoqata ISKED shoqatë kjo që po ndërton Medresenë në komunën e Ulqinit”.

Ambasada e Turqisë edhe këtë vit do të ndihmojë familjet në nevojë

Gjatë Muajit të Ramazanit vend i veçantë i kushtohet edhe ndihmave që jepen për familjet në nevojë:

“ Si çdo vit qoftë me donacione të brendshme qoftë me donacione të jashtme, Ambasada e Turqisë shpërndan ndihma për familjet në nevojë. Janë gjithsej 30 familje që do të fitojnë pako ushqimore. Ndihma do të ofroj edhe ambasada e Emirateve të Bashkuara si dhe besimtarët tanë të cilët kanë mundësi të japin ndihmë përmes organizatës bamirëse “Bereqeti”.

Qendra e madhe Islame – shpejti në Fushën e Ulqinit

Krye Imami i Bashkësisë Islame të Ulqinit Ali Bardhi në mikrofonin tonë përmend dhe investimet e shumta në objektet fetare që janë duke u realizuar në Komunën e Ulqinit, ku Turqia jep një ndihmë të konsiderueshme.” Një pjesë e madhe e objekteve fetare tashmë janë restauruar ndërkohë që disa të tjerë janë në restaurim e sipër qoftë në qytet apo edhe në rrethinë . Në lokalitetin e Pinjeshit pranë varrezave po ndërtohet në faltore shume me rëndësi që do të jetë në shërbim të besimtarëve për raste të ndryshme. Së shpejti do të vazhdojnë punimet në ndërtimin e Medresesë e në plan kemi të ndërtojmë edhe një qendër të Madhe Islame në fushë të Ulqinit. Për ndërtimin e kësaj qendre janë siguruar edhe lejet e duhura. Është realizuar projekti i cili parashikon ndërtimin e objektit në disa faza”.

Mbahen zgjedhjet për emërimin e Kryetarit të Bashkësisë Islame të Ulqinit.

Z. Bardhi ndalet dhe flet edhe për zgjedhjet e fundit për organet drejtuese në Bashkësinë Islame të Ulqinit.

“ Kemi pasur zgjedhjet e këshillave në të gjitha xhamitë ku besimtarët kanë pasur mendësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe drejtuesit që do t’i udhëheqin ata në një periudhë 4 vjeçare . Prej tyre do të zgjidhet këshilli prej 15 anëtarëve. Mendoj që nga xhemati janë zgjedhur njerëzit duhur dhe se ky këshillë do te ketë fatin që në mandatin e tij të inauguroj një sërë objektesh të rëndësishme fetare për Bashkësinë Islame të Ulqinit”.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera Alibegu Katana

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit