-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Dosje 2000 faqe për Ahmet Shalën

Më të lexuarat

Hiç më pak se 44 institucione vendore e ndërkombëtarë që funksiojnë në Kosovë, e kanë në sirtarët e tyre një dosje prej më shumë se 2000 faqesh, ku protagonisti kryesor i saj është Ahmet Shala, ambasador aktual i Kosovës në Japoni.

Në dosje zënë vend edhe kryetari aktual i komunës së Suharekës Blerim Kuçi, por edhe zyrtarë të tjerë, që kanë qenë pjesë e pazarit të ndërmarrjes Bujqësore Industriale “Suhareka”, në po këtë qytet.

Njëra prej dosjeve më voluminoze në vend ka arritur të bjerë edhe në duar të kryeprokurorëve jashtë shtetit të Kosovës. Ajo është dërguar në gjykatat; në Itali, Angli, Francë, Gjermani, por edhe disa prokurorëve të shteteve tjera, me që shtetasit e tyre shërbejnë si punëtorë të misionit ndërkombëtar të sundimit të ligjit EULEX.

Ish- punëtorë të NBI “Suhareka” akuzojnë rëndë ish- drejtorin e privatizimit Ahmet Shala për manipulime e keqpërdorime, sipas të cilëve janë bërë gjatë procesit të privatizimit të kësaj ndërmarrje.

“Suhareka” ka në pronësi më shumë se 1600 hektarë tokë, si dhe bodrumin e verës, i cili gjendet në mes të qytetit të Suharekës.

Fazli Morina, drejtor i vreshtarisë NBI “Suhareka”, thotë se ndërmarrja në të cilën ai ka punuar për vite të tëra, është privatizuar përmes metodës së spin-ofit special, ku blerësi është dashur të ketë përvoje në këtë drejtim. Mirëpo, edhe në të ardhmen, ai është dashur të mos e ndryshojë destinimin e kompanisë.

“Gjatë bisedave në atë kohë me Ahmet Shalën, ai neve na bindi që të gjithë punëtorët së bashku të konkurrojmë në këtë tender. Ne e dëgjuam atë, u mblodhëm të gjithë dhe hymë në garë, e ku së fundi ne kishim ofruar rreth 15 mijë euro me pak se blerësi aktual. Por, ne kishim premtuar rreth 400 mijë euro më shumë investime, por edhe pese punëtorë më shumë”, rrëfen Morina për gazetën “Zëri”.

Por, pak ditë pasi që u bë i ditur blerësi, ai thotë se ka marrë informacione se në atë kohë Ahmet Shala kishte bërë pazare rreth shitjes së ndërmarrjes në Trevisa të Italisë, e ku përveç tij në takim kishin qenë edhe dy zyrtarë tjerë të lartë të vendit.

Ai tregon se blerësi i ri në të kaluarën ishte marrë më shitje të dyerve e dritareve, e që sipas Morinës në kushte normale ata nuk kanë pasur fare të drejtë të konkurrojnë në këtë tender.

Dokumentet tash sa kohë në prokurori

Morina më tej thotë se kur e kuptuan se Ahmet Shala është pjesë e pazareve për privatizimin e ndërmarrjes, ai iu drejtua gjykatave, por sipas tij nga ajo kohë e deri më tash drejtësia po rri në gjumë karshi një skandali të madh.

“Ndërmarrjen e mori në dorë mafia. Kjo është një prej krimeve më të renda ekonomike në vend. Nuk e di pse drejtësia po mbyll sytë. Para pak kohësh unë dy herë kam qenë në prokurori ku ata më kanë marrë në pyetje prej më shumë se 6 orësh. Ata më thanë se hetimi është drejt fundit, por deri më tash nuk ka asnjë rezultat. Sipas informacioneve që kam unë nga prokuroria edhe Ahmet Shala është marrë në pyetje, pasi që ka më shumë se 2 muaj që ai është duke qëndruar në Kosovë”, rrëfen më tej ai.

Sipas tij në dosjen që ia ka dorëzuar prokurorisë, në mënyrë të detajizuara ka shpjeguar çdo detaj që nga dita e parë e privatizimit e deri më tash.

Më tej Morina thotë se çdo ditë e më shumë po zbardhin fakte të reja rreth një skandali të madh, ku është i përfshirë direkt ish- drejtori i privatizimit.

Prona shitet pa tender

Në njoftimin për hedhjen në privatizim të kësaj ndërmarrjeje, e të cilën e posedon edhe gazeta “Zëri”, nuk ishte paraparë që të privatizohej edhe drejtoria e ndërmarrjes e cila ka objektin dhe rreth shtatë hektarë tokë, në periferi të qytetit të Suharekës.

Morina shton se para pakë kohësh brenda natës kjo pronë ka kaluar në pronësi të një biznesmeni që ka lidhje direkte me ambasadorin Shala.

Në njoftimin për privatizim edhe sipërfaqja e vreshtave është dukshëm më e vogël se gjendja reale e tyre.

“Ndërmarrja jonë ka 1680 hektarë tokë, e ndërkaq në njoftimin për privatizim në atë kohë është thënë se ndërmarrja ka 1000 hektarë. Këtu Ahmet Shala me kompaninë e tij kanë vjedh në mënyre automatike më shumë se 650 hektarë tokë të cilat tashmë po tentohen të shiten si parcela ndërtimi”tha ai.

Fazli Morina, drejtor i vreshtarisë në ish- ndërmarrjen NBI “Suhareka” thotë se për t’i bllokuar punët e drejtësisë kohë më parë policia e Kosovës, së bashku me investitorin e kësaj ndërmarrje, e që zyrtarisht është Aziz Tafa, e kanë paditur atë për kërcënim e uzurpim të pronës private.

“Padia është e motivuar. Kjo ka vetëm një qëllim që ta zbehë procesin. Mirëpo përfundimisht ata nuk ia kanë arritur qëllimit. Drejtësia edhe pse e vonuar është drejtësi. Ahmet Shala duhet të ulet në bankën e të akuzuarit dhe duhet të japë llogari për krimet ekonomike që ka bërë e jo të përfaqësojë shtetin e Kosovës në Japoni”, tha Morina. Ai thotë se sa herë kanë marrë ndonjë informacion se Ahmet Shala po tenton të ikë ambasador në një shtet, ai i është drejtuar atij shteti më dokumente rreth veprimtarisë së Ahmet Shalës.

“Ne po ashtu i kemi dërguar dosjen edhe ambasadës së Japonisë në Shqipëri për t’i kallëzuar se çfarë krimineli ka dërguar Kosova në atë shtet. Mirëpo, ata kanë heshtur. Po ashtu dosjen e ish- drejtorit të privatizimit ne ua kemi dërguar edhe Qeverisë japoneze”, rrëfen më tej ai.

Gazeta ka tentuar gjatë gjithë ditës të kontaktojë me ambasadorin e Kosovës në Japoni Ahme Shala, por kontakti më të ka qenë i pamundur. Gazeta po ashtu atij i ka dërguar sms në telefonin e tij zyrtar, por ai nuk është përgjigjur fare. Po ashtu, kontakti ka qenë i pamundur edhe me biznesmenin Aziz Tafaj. Ndërkaq ai që ka dashur të flasë shkurt rreth kësaj çështjeje ka qenë kryetari i komunës së Suharekës, Blerim Kuçi.

Ai përmes telefonit ka konfirmuar se vitin e kaluar është kontaktuar nga prokuroria rreth çështjes së privatizimit të kësaj ndërmarrjeje, por prej asaj kohe ai mohon të jetë kontaktuar sërish.

“Për këtë çështje kam fol 125 herë dhe më nuk po dua të flas”, ka thënë shkurt ai përmes telefonit./zeri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit