SHBA ka reaguar ndaj sulmit me agjent nervor të ish-spiunit rus në Britani për të cilin është fajësuar Rusia, duke dëbuar 60 diplomatë rusë për të cilët Washingtoni ka thënë se kanë punuar si oficerë të inteligjencës dhe duke urdhëruar mbylljen e konsullatës ruse në Seattle.
Rusët e përjashtuar përfshijnë 48 punonjës të ambasadës dhe 12 individë që punonin në misionin rus në OKB, konfirmoi një zyrtar i lartë i qeverisë për gazetarët në kushte anonimiteti. Ata kanë shtatë ditë për t’u larguar nga SHBA.
Konsullata në Seattle është mbyllur për shkak të afërsisë me një bazë amerikane të nëndetëseve, tha një zyrtar tjetër.
“Masat e sotme i bëjnë Shtetet e Bashkuara më të sigurta duke reduktuar aftësinë e Rusisë për të spiunuar amerikanët dhe për të kryer operacione të fshehta që kërcënojnë sigurinë kombëtare të Amerikës”, tha zyrtari.
Gjermania dëbon 4 diplomatë rusë
Gjermania ka dëbuar 4 diplomatë rusë për shkak të helmimit të agjentit të dyfishtë Sergey Skripal.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas në një deklaratë nga llogaria e tij zyrtare në rrjetin social Twitter ka thënë se “Gjermania sot ka dëbuar 4 diplomatë rusë për shkak se Rusia ende nuk po kontribuon në zbardhjen e rastit të helmimit në Salisbury”.
Maas thotë se me këtë kanë dërguar sinjalin se solidarizohen me Britaninë e Madhe. Ai shtoi se ky vendim nuk është marrë lehtë.