-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Donacionet turke për Serbinë përmirësojnë marrëdhëniet dypalëshe

Më të lexuarat

Ekspertët thonë se zhvillimi kulturor dhe siguria rriten kur vendet rajonale ndihmojnë njëri tjetrin.

Organizatat turke që dhurojnë fonde dhe materiale për institucionet e Serbisë po mbështesin zhvillimin sociale e kulturor, po kapërcejnë problemet ekonomike dhe po përmirësojnë marrëdhëniet midis të dy vendeve.

Agjencia turke e Bashkëpunimit dhe Bashkërendimit është një nga donatorët më të mëdhenj turq në Serbi, që ndihmon rritjen arsimore, mjekësore e kulturore.

Agjencia shpenzoi 6 milion euro (16,6 milion TL) në Serbi në 2012, ndërsa 10 milion euro (27,9 milion TL) janë caktuar për vendin ballkanik në 2014 për të ndihmuar institucionet kulturore, shkollat, spitalet dhe bujqësinë. Agjencia operon në pothuajse 100 vende anembanë botës dhe ka zyra në rreth 30 prej tyre.

Shkolla fillore Qamil Sijariç në Novi Pazar u ndërtua dhe u pajis nga agjencia. Kjo është një nga disa dhjetra institucione arsimore e kulturore që kanë marrë pajisje, fonde rindërtimi dhe materiale edukative nga agjencia.

Agjencia dhuroi shtatë ambulanca për gjashtë komuna në Sanxhak, pajisje mjekësore për spitalin në Subotica dhe ndihmoi rindërtimin e qendrës mjekësore Dragisha Mishoviç në Beograd. Me qëllim që të nxisë bujqësinë, ajo dhuroi shtretër të nxehtë dhe kombajna për disa qytete në Serbinë jugore, qendrore dhe perëndimore.

“Të gjithë ne do të përfitojmë nga kjo sepse kjo rrit sigurinë dhe parrezikshmërinë në një nivel të përgjithshëm, që përmirëson klimën për investitorët. Për më tepër, bashkëpunimi si ky përmirëson marrëdhëniet e qeverive dhe miqësinë e vendeve,” i tha SETimesEmrah Ustaomer, bashkërendues i zyrës së Agjencisë turke të Bashkëpunimit dhe Bashkërendimit në Beograd.

Ustaomer tha se kur organizata vendos se çfarë projekte të ndërmarrë në Serbi, ajo konsideron rekomandimet e zyrtarëve.

“Ata theksojnë nevojat dhe kërkojnë ndihmë në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë dhe në kualifikimin e disa profesioneve,” tha ai.

Ai tha se qëllimi i projekteve të agjencisë është të unifikojë grupet etnike në fushat ku ai operon.

“Nëpërmjet projekteve që mbështesin kulturën, ne mbledhim kombësi të ndryshme që pasojnë gjithashtu të njëjtat programe kulturore. Duke dhuruar pajisje për bujqësinë, ideja jonë është t’u japim shpresë njerëzve me një shans për të prodhuar diçka dhe për të siguruar një të ardhur,” i tha Ustaomer SETimes.

Një tjetër organizatë që është financiarisht aktive në Serbi është Miqtë e Sanxhakut. Grupi jo-zyrtar përbëhet nga biznesmenë dhe politikanë që e kanë origjinën nga Sanxhaku, një rajon me popullsi mbizotëruese myslimane në Serbi.

Kohët e fundit grupi dhuroi 80.000 euro (223.000 TL) për djemtë e Sanxhakut që ata të marrin pjesë në Synet, rituali masiv i synetit për djemtë e rinj.

Djemtë myslimanë duhet të kalojnë nëpër bërjen synet kur janë nën 12 vjeç, idealisht midis 2 dhe 6 vjeç, sipas fesë së tyre. Por shumë nuk mund ta përballojnë operacionin që kushton 50 euro. Përveç kësaj ka kosto për festimin, veshjet dhe dhuratat.

“Kjo është me të vërtetë e rëndësishme për familjet si dhe për ne, si përfaqësuesit e tyre zyrtarë,” i tha SETimesSaedetin Mujezinoviç, një anëtar i këshillit të qytetit të Novi Pazarit.

Altan, 9 vjeç dhe Shamed, 7 vjeç, qenë midis 180 myslimanëve që morën pjesë në Synet në shtator, në Novi Pazar, qyteti më i madh në Sanxhak. Të dy djemtë qenë marrës të donacionit nga Miqtë e Sanxhakut, pasi familja e tyre nuk i përballonte dot kostot.

“Ne pamë një thirrje për aplikim në televizionin lokal dhe vendosëm ta provojmë, pasi përmbushnim të gjitha kushtet, përfshirë atë që të dy ne, unë dhe ime shoqe jemi të papunë e pa të ardhura dhe ne qemë në merak pasi është pak von për Altanin që është 9 vjeç,” i tha .SETimesRamiz Boguçanin, i ati i fëmijëve.

Mujezinoviç tha se donacionet nga të gjitha organizatat janë të rëndësishme.

“Kjo ndihmë ka kuptim të posaçëm për marrëdhëniet dypalëshe të Serbisë dhe Turqisë dhe është një hap përpara në marrëdhëniet qeveritare gjithashtu. Rezultati përfundimtar duhet të jetë ardhja e biznesmenëve turq dhe hapja e punëve të reja,” tha Mujezinoviç.

Cilët sektorë të tjerë mund të përfitojnë nga donacionet rajonale? Na thoni mendimet tuaja më poshtë./set

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit