2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Domethënia e marrëveshjes amerikano-afgane e partneritetit strategjik

Më të lexuarat

Qeveria afgane dhe ajo amerikanë kanë nënshkruar marrëveshjen e partneritetit strategjik. Marrëveshja siguron mbështetjen amerikane ushtarake dhe financiare për popullin afgan për të paktën një dekadë pas vitit 2014, afati i fundit për tërheqjen e shumicës së trupave të huaja luftarake.

Trupat amerikane dhe forcat afgane të sigurisë kanë luftuar në vijat e para të frontit dhe kanë punuar për të krijuar ushtrinë dhe policinë afgane ndërkohë që miliarda dollarë janë derdhur në vend për t’i dhënë shtytje ekonomisë.

Tani marrëveshje e re për partneritet strategjik i tregon Afganistanit se Shtetet e Bashkuara nuk do të tërhiqen plotësisht nga vendi pas vitit 2014.

“NATO dhe partnerët e saj nuk mund dhe nuk do ta braktisin Afganistanin pas 2014-tës. Mbështetja jonë e vazhdueshme do të jetë e rëndësishme për të ruajtur dhe forcuar arritjet e deritanishme”.

Vendet perëndimore po negociojnë shumën që do të shpenzojnë për të mbështetur forcat afgane të sigurimit pas vitit 2014.

Analistët thonë se ciladoqoftë kostoja, ajo do të jetë shumë më pak se 100 miliardë dollarët e shpenzuar këtë vit.

Lisa Curtis është specialiste e Azisë Jugore në Fondacionin Heritage.

“Le të themi se për mbështetjen e forcave afgane të sigurimit do të duhen 2 deri 3 miliardë dollarë në vit pas 2014-tës, shumë kjo mjaft e arsyeshme për t’u siguruar që Shtetet e Bashkuara nuk do të sulmohen përsëri, se ne nuk do të përjetojmë një sulm si i 11 shtatorit 2001”.

Ligjvënësi amerikan, Dana Rohrabacher, një kritik i ashpër i qeverisë afgane, kohët e fundit u ndalua nga presidenti Hamid Karzai që të shkonte në Kabul. Ai thotë se marrëveshja e partneritetit strategjik është pranim i faktit se përpjekjet e një dekade të tërë për ndërtimin e Afganistanit nuk kanë funksionuar.

“Një prej arsyeve që nuk jemi në pozita të mira dhe kemi humbur kaq shumë njerëz është se kemi dislokuar trupa luftarake në përpjekje për ta detyruar popullatën lokale që të pranojë qeverinë e Kabulit si një fuqi legjitime. Madje Kabuli administrohet nga një regjim i korruptuar nën zotin Karzai”.

Por zyrtarë të ushtrisë amerikane thonë se do t’u duhet të qëndrojnë në Afganistan edhe pas vitit 2014 për të trajnuar forcat lokale të sigurimit.

Gjeneral Majori John Toolan e ka kaluar vitin e fundit në krye të trupave në Afganistan.

“Këto trupa duhet të qëndrojnë në Afganistan për sa kohë që do t’u duhet forcave afgane të sigurisë, veçanërisht policisë, që të vendosin sigurinë në vend dhe të krijojnë besueshmërinë mes popullatës”.

Më parë zyrtarët nënshkruan marrëveshje lidhur me çështje të vështira rreth sulmeve gjatë natës nga ana e forcave amerikane si dhe dorëzimin e qendrave të burgimit autoriteteve afgane.

Analistët thonë se marrëveshja e partneritetit strategjik i dërgon një mesazh të fuqishëm Pakistanit dhe talebanëve se amerikanët nuk do ta braktisin regjimin, siç vepruan nga fundi i viteve 1990-të pas tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani.

“Mendoj se kjo marrëveshje tregon se Shtetet e Bashkaura nuk janë të dëshpëruara për të arritur paqe me talebanët. Me siguri që Shtetet e Bashkuara do të dëshironin një marrëveshje paqeje, që do të përfshinte edhe talebanët, por Uashingtoni thjesht nuk është i dëshpëruar për të arritur një marrëveshje të tillë në dy vjetët e ardhshëm”.

Një forcë ushtarake pas vitit 2014 mund të sigurojë trajnim, mbështetje ajrore, shkëmbim të informacioneve të zbulimit dhe operacione kundër terrorizmit në partneritet me ushtarët afganë.VOA/kohaislame

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit