Ditë më parë doli nga shtypi një libër i rrallë i njërit prej dijetarëve më të njohur islamë, Ibn Rexheb el-Hanbeli (nxënës i Ibn Kajjim el-Xheuzijje).
Përmes këtij libri ju mund të mësoni këshilla shumë të dobishme rreth një hadithi madhështor të pejgamberit alejhisselam, shkruan RTV Pendimi.
Libri bën fjalë, në mënyrë shumë tërheqëse, rreth shpjegimit të hadithit të pejgamberit alejhisselam: “Dy ujq të uritur që futen në mesin e dhenve, nuk u bëjnë më shumë dëm atyre sesa që i bën dëm njeriut lakmia e tij për pasuri e famë”.
E në mënyrë të detajuar gjeni shpjegimin e këtij hadithi në librin “Qortimi i lakmisë për pasuri dhe famë”, i cili tashmë është në shitje edhe në libraritë islame në Prishtinë.
“Qortimi i lakmisë për pasuri dhe famë” i autorit Ibn Rexheb el-Hanbeli, vije me përkthim në gjuhën shqipe nga profesori Jahja Hondozi, përcjell RTV Pendimi.
Më poshtë gjeni një pjesë të shkurtër dhe shumë frymëzuese nga libri i sapo botuar:
“Dije – Allahu të mëshiroftë – se gjëja më e vlefshme tek njeriu është zemra. Është pikërisht zemra ajo që e njeh Allahun, punon për të, vrapon tek Ai dhe është afër Tij, kurse gjymtyrët e trupit e pasojnë atë dhe i bëjnë hizmet. Zemra i shfrytëzon ato ashtu siç i shfrytëzojnë mbretërit robërit e tyre.
Pandaj, kushdo që e njeh zemrën e vet, e njeh edhe Allahun, përderisa shumica e njerëzve janë xhahilë karshi zemrës dhe nefsit të tyre, e Allahu ndërhyn mes njeriut dhe zemrës së tij, ndërhyrje kjo e cila e pengon atë nga njohja dhe mbikëqyrja e zemrës, sa kohë që njohja e zemrës dhe cilësive të saj paraqet ajkën e fesë dhe është themel i rrugës së salikëve.
Feja islame nuk është thjesht kryerje e veprave “të thata” nëpërmjet gjymtyrëve të trupit, por ajo nënkupton punë paralele me dëshirë të sinqertë, nijet të mirë dhe dije të atyre gjërave që i prishin veprat, siç janë: cytjet e epshit dhe sëmundjet e zemrës dhe shpirtit.
Kjo është ajo që njihet me emrin Fikhu i veprave të zemrës (fikhu a’mali-l-kulub), të cilin nuk e njohin muslimanët e kësaj kohe, dhe si rrjedhojë bëjnë vepra, të cilat nga jashtë janë ibadete, kurse nga brenda – adete.
E sikur ta kuptonin vlerën, rëndësinë dhe superioritetin e tij që e ka ndaj fikhut të veprave të gjymtyrëve (fikhu a’mali-l-xhevarih), nuk do të kishin rënë në gjendjen në të cilën janë sot.
Prandaj, një numër i madh dijetarësh iu rrekën punës së hartimit të librave që nxisin punët e hajrit dhe i motivojnë ato, trajtojnë tema të zbutjes së zemrës së ngurtë, largimit nga grumbullimi i tepruar i dunjasë dhe paralajmërimit nga rënia në gjynahe dhe gjëra të tjera shkatërruese. E tërë kjo për të nxitur shtimin e punëve të zemrës dhe rrënjosjen e tyre.
Mirëpo, në këtë art u dalluan vetëm një numër i paktë i tyre, në krye të të cilëve janë Imam Ibnu-l-Kajjim el-Xheuzijje dhe nxënësi i tij gjenial, autor i këtij libri, Shejhu-l-islam Ibn Rexheb el-Hanbeli.
(Ibn Rexheb el-Hanbeli, Qortimi i lakmisë për pasuri dhe famë, f. 7-8)”