5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Dokumentari për ujgurët myslimanë të lumtur kundërshtohet nga aktivistët

Më të lexuarat

Një i ri i përkatësisë etnike ujgure ka hapur një kafene në zemër të qytetit të vjetër historik Kashgar dhe në këtë mënyrë e ka realizuar një ëndërr të tij.

Një grua e re myslimane është zhvendosur nga fshati në qytet për një “pagë më të mirë”, që i ka mundësuar asaj të sigurojë një jetë të rehatshme për familjen e saj.

Një biznesmene ujgure u ofron grave të blejnë fustane nusërie të stilit perëndimor për ditën e martesës së tyre.

Të gjithë këta që u ceken më lartë pretendojnë se janë të kënaqur me jetën e tyre. Me begatitë, lirinë e zgjedhjes dhe mundësitë e shumta. Ata thonë se këto i gëzojnë në Ksinjiang, rajonin e tyre të lindjes në veriperëndim të Kinës.

Kjo është mënyra sesi dokumentari kinez “Përtej Maleve: Jeta në Ksinjiang” paraqet jetën e ujgurëve etnik dhe të pakicave tjera myslimane në rajon.

Ky dokumentar u shfaq në Ambasadën e Kinës në Kazakistan. Aty nuk përmendet me asnjë fjalë shtypja brutale që Kina ushtron ndaj myslimanëve në Ksinjiangut. Në këtë rajon llogaritet se 1 milionë njerëz mbahen në kampe masive të internimit që nga viti 2017.

Dokumentari u transmetua nga Rrjeti Global Televiziv i Kinës, një transmetues shtetëror. Dokumentari u transmetua në anglisht dhe rusisht në përpjekje për paraqitur rrëfimin e Pekinit për Ksinjiangun në audiencat globale.

Përmes këtij prodhimi televiziv, Kina synon të kundërshtojë akuzat e shumta të banorëve të Ksinjiangun të cilët thonë se myslimanët jetojnë në një klimë frike dhe shtypjeje derisa autoritetet shënjestrojnë kulturën, fenë, jetën familjare dhe traditat e tyre.

Në dokumentar paraqiten gjoja mundësitë që qeveria kineze ka krijuar për të rinjtë në mënyrë që të ndjekin ëndrrat e tyre në muzikë, sport, biznes dhe drejtime tjera.

Disa aktivistë të Ksinjiangut i thanë Radios Evropa e Lirë se ky dokumentar është një propagandë e qartë kineze dhe paraqet një shtrembërim të tmerrshëm të realitetit.

Tregimi për kafenë në Kashgar

Dokumentari flet për një kafene në një ndërtesë të vjetër dykatëshe në qytetin e Kashgarit.

Pronari i këtij biznesi, Mardan Ablimit e përshkruan vetën si një “djalë i sinqert i Kashgarit” që ka një ëndërr të madhe.

Ablimit thotë se ideja e tij ishte që të ofrojë një përzierje të historisë dhe kulturës së komunitetit të tij me elementet moderne.

Kafetë që shet ai thotë të jenë një “përzierje e përkryer e kafesë perëndimore dhe bimëve lokale”.

Ablimit e quan kafenë e tij një “version miniaturë të Kashgarit” ku “brezi i vjetër po provon gjëra të reja” dhe të rinjtë si ai “po ndjekin ëndrrat e tyre”.

Sipas tij, njerëzit në këtë qytet po përqafojnë ndryshimin dhe po lënë pas mënyrën e vjetër të të menduarit.

Por, është e vështirë të verifikosh historinë e suksesit të Ablimit në një biznes që ai thotë se është falë historisë, kulturës dhe traditave të komunitetit të tij.

Realiteti është ndryshe.

Qeveria kineze ka mbyllur qendrat kulturore të myslimanëve Ksinjiang, ka dëmtuar ose rrafshuar mijëra xhami dhe objekte historike myslimane dhe ka burgosur liderë të komunitetit.

Në shumë zona myslimanëve u është ndaluar të hyjnë në xhami derisa të mbushin 18 vjeç. Mijëra të tjerë janë burgosur për shkak të lutjeve islamike, apo edhe shënimit të festave tradicionale.

Aktivistët thonë se autoritetet po bëjnë “shpërlarje të trurit” për shumë fëmijë myslimanë të cilët janë vendosur në konvikte të shkollave të veçanta.

Pekini gjithashtu ka dërguar më shumë se 1 milionë nëpunës civilë nga shumica e popullsisë kineze për të jetuar me familjet myslimane në Ksinjiang si pjesë e përpjekjes së asimilimit si dhe për të monitoruar lëvizjet dhe kontaktet e tyre.

Komiteti për Liritë Fetare Ndërkombëtare në SHBA në një raport të lëshuar më 28 prill 2020 tha se “individët dërgohen në kampe për shkak të mjekrave të gjata, refuzimit të alkoholit ose për shkak të sjelljeve tjera që autoritetet gjykojnë se janë shenja të ekstremizmi fetar”.

Një pjesë e madhe e dokumentarit kinez u kushtohet grave të reja myslimane, të cilat paraqiten sikur kanë sfiduar stereotipet e komunitetit të tyre dhe bëjnë një jetë moderne.

Në dokumentar paraqitet një e re myslimane, Zileyhan Eysa, e cila ka gjetur një punë në një fabrikë në pjesën veriore relativisht të pasur të Ksinjiangut.

Ajo fiton rreth 600 dollarë në muaj, të mjaftueshme për jetën e saj në qytet dhe për të mbajtur familjen e saj të varfër, në një fshat të quajtur Kuqa.

Nga paratë që dërgon Eysa në shtëpi, nëna e saj, Tursungul Rejep, shfaqet në dokumentar duke paguar faturat e saj mjekësore ndërsa babai i saj është në gjendje të blejë një makinë.

“Unë jam mirënjohëse ndaj fabrikës ku punoj”, thotë Eysa.

Ajo ka “mësuar shumë gjëra të reja” në qytet, sipas dokumentarit, dhe nuk e ka ndërmend të kthehet në fshatin e saj, si dhe nuk planifikon të martohet së shpejti.

Në familjet tradicionale ujgure, martesat zakonisht rregullohen nga prindërit. Por familja e Eysa “do të pranojë këdo që ajo zgjedh të martohet”, thotë babai i saj.

Eysa, sikurse të gjithë të rinjtë tjerë në këtë dokumentar, flet gjuhën mandarin.

okumentari paraqet anëtarët e familjes së saj, të veshur jashtëzakonisht mirë, duke biseduar mes vete plot gëzim.

Prodhimi i rrjetit shtetëror kinez paraqet një grua tjetër myslimane, Samira Arkin, që thuhet se ka thyer traditat e komunitetit të saj dhe “ka dhënë një shembull për shumë të rinjë të tjerë”.

Arkin ka në pronësi një dyqan në Kashgar dhe ndihmon gratë myslimane të zgjedhin rrobat për martesën e tyre.

Arkin thotë se në vitin 2010, në martesën e saj kishte zgjedhur të veshë një fustan të stilit perëndimor, pavarësisht dyshimeve nga të afërmit e saj.

Ashtu si shumë të tjerë në dokumentar, ajo nuk e përmend asnjë fjalë siç janë: myslimanë, islam apo ujgur. Ajo thotë se ka qenë e pakënaqur kur ka parë gratë që “mbulonin fytyrat e tyre” dhe që nuk kishin të drejtë të dilnin të vetme jashtë shtëpisë. Protesten e saj, ajo thotë se e ktheu në biznes dhe kështu e hapi dyqanin e saj.

Kina e ka ndaluar grave mbulesën islamike si një shenjë e ekstremizmit fetar. Legjislacioni është i formuluar në mënyrë të paqartë. Pekini i ka shpallur joligjor edhe disa emra islamikë dhe “shenja të tjera të ekstremizmit” të paspecifikuara.

Disa gra myslimane kanë raportuar se janë ngacmuar nga policia për shkak të veshjeve të tyre.

Janë detyruar të flasin?

Është e pamundur të zbulohet nëse Arkin, Eysa, Rejep dhe të tjerët që janë paraqitur dokumentar po flisnin me bindjen e tyre apo ishin detyruar nga autoritetet të thoshin ato gjëra.

Njerëzit janë të detyruar të “ndjekin urdhrat” nga Partia Komuniste, thotë Qairat Baitolla, një aktivist nga Ksinjiangu që jeton në Kazakistan.

“Nëse ata refuzojnë, përballen me burgim madje edhe qëllohen për vdekje”, thotë Baitolla.

Një burrë i përkatësisë etnike kazake, i cili aktualisht jeton në Ksinjiang, u ka thënë të afërmve të tij jashtë vendit se autoritetet po e detyronin atë të kundërshtojë në një video, komentet e ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo për Ksinjiangun.

Në muajin janar, Pompeo pati deklaruar se Kina po kryente gjenocid “të vazhdueshëm” kundër myslimanëve në Ksinjiang.

Burri gjithashtu tha se policia kineze kërkoi që ai të denonconte dhe të divorcohej nga gruaja e tij, Altynai Arasan. Ajo jeton në Kazakistan dhe merr pjesë në protestat anti-Pekin para zyrave diplomatike kineze.

Sipas Arasan, policia e paralajmëroi burrin e saj se do të vritej nëse nuk pranon të bëjë deklaratën në atë video.

Por, “ka edhe shumë njerëz” ne mesin e pakicave myslimane që “besojnë verbërisht në Partinë Komuniste”, thotë Bekzat Maqsutkhan, një aktivist nga Ksinjiangu.

“Autoritetet i zgjedhin njerëzit me arsim të ulët, të cilët kurrë nuk kanë parë botën e jashtme për të marrë pjesë në një propagandë të tillë”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.

Maqsutkhan, i cili tani jeton në Kazakistan, thotë se disa anëtarë të komuniteteve myslimane bëhen pjesë e propagandës së shtetit vetëm për përfitime financiare ose për karrierën e tyre.

Kina mohon të gjitha raportet për shkeljen e të drejtave të njeriut në Ksinjiang dhe këmbëngul se kampet e internimit janë qendra arsimore dhe të formimit profesional që synojnë parandalimin e ekstremizmit fetar.

Por, shumë të mbijetuar thonë se në kampet e internimit, myslimanët u nënshtrohen torturave, përdhunimeve dhe punës së detyruar.

Disa gra kanë raportuar se janë detyruar t’i nënshtrohen abortit dhe të tjerat thonë se janë sterilizuar me forcë.

Dokumentari u paraqit në kohën kur Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian vendosën sanksione ndaj disa zyrtarëve kinezë lidhur me shkeljet e raportuara të të drejtave të njeriut në Ksinjiang.

Më 22 prill, parlamenti britanik miratoi një mocion ku thuhej se ndaj ujgurëve dhe myslimanëve në Ksinjiang po bëhen krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. /evropaelire/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit