-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Dobitë e shumëfishta nga lëvoret e pemëve

Më të lexuarat

Gjyshet tona megjithatë kishin të drejtë, një mollë në ditë do të ruajë shëndetin tonë, por vetëm nëse nuk qërohet para ngrënies.

Hulumtuesit kanë zbuluar se acidi i cili e mban lëvoren e mollës të shkëlqyer, na jep më shumë vlera për shëndet se sa vetë brendësia e mollës – duke filluar nga forcimi i muskujve deri te mbajtja nën kontroll e kolesterolit dhe sheqerit, raporton Daily Mail.

Mollët nuk janë pemët ose perimet e vetme të cilat kanë lëvore të dobishme. Lëvoret mund të përdoren si preparate natyrale për lëkurë e madje edhe për lustrimin e këpucëve.

Po ju japim disa këshilla se çka të bëni me lëvoret e pemëve sezonale – madje edhe lëvorja me qime e kivit është e shfrytëzueshme.

Pjeshka

Hajeni lëvoren e saj për shkak të vlerave të pasura ushqyese ose fërkojeni fytyrën me të që të keni lëkurë shkëlqyese.

E pasur me kalium dhe vitaminë A, e cila rigjallëron dhe hidraton lëkurën, lëvorja e pjeshkës do t’jua përmirësojë sistemin tuaj të imunitetit, do të largojë toksinet nga trupi, do të zvogëlojë mundësitë për kancer, sëmundje të zemrës dhe artritis, por edhe do t’i ruajë sytë tuaj nga katarakti.

Atë mund ta përdorni si një ilaç të shpejtë për lëkurën, pas një nate të stuhishme. Vendosni pak sheqer në anën e brendshme të lëvores dhe fërkojeni butë fytyrën tuaj.

Limoni dhe limoni i athët

Të dy frutat përmbajnë acid limoni, kështu që ju mund t’i përdorni ato si një mjet të shkëlqyeshëm për lustrim të mesingut, bakrit… Shtrydhni pak lëng në sodën e bikarbonit që të fitoni një efekt edhe më të mirë, ose lërini disa copëza të lëvores në shishe të ujit për të krijuar një freskues aromatik në shtëpi.

Po t’i shtoni vajit të ullirit lëvoren e limonit do t’i jepni një aromë interesante, por edhe do të gjallëroni vajin që ka ndenjur gjatë.

Për të mënjanuar erërat e palakmueshme nga furra mikrovalore, vendosni lëvoret e limonit dhe të mbeturat nga lëngu i limonit në të, (p.sh. pasi keni bërë tortë) në enë të pambuluar dhe zieni disa minuta.

Portokalli

Lëvorja e portokallit është plot me antioksidantë të fuqishëm të quajtur superflavonidë, e të cilat ndikojnë ndjeshëm në reduktimin e nivelit të kolesterolit.

Sipas hulumtimeve të bëra në SHBA, antioksidantët që gjenden në lëvore janë 20 herë më të fuqishëm se ata në lëngun e shtrydhur të portokallit.

Shtojeni lëvoren e prerë në rende në ëmbëlsira që të përforconi ushqimin dhe të fitoni një aromë të mirë.

Më së miri është të hidhet e tërë lëvorja e portokallit në shtrydhëse frutash dhe të përfitohet krejt ajo që fsheh kjo lëvore e pasur. Vetëm se mos harroni ta lani mirë lëvoren para se ta fusni në shtrydhëse.

Banania

Përdorni anën e brendshme të bananes për të “vizlluar” gjethet e luleve të shtëpisë. Jo vetëm do të shkëlqejnë, por edhe do të mbrohen për shkak se lëvorja e bananes është pleh natyral dhe pesticid. Lëvorja e bananes është ideale për shkëlqim të madh, kurse pas lustrimit pastrojeni me një pecetë letre. Lëvorja e bananes përmban shumë kalium dhe antioksidantë të cilët e mbajnë lëkurën të butë dhe fine dhe i mundësojnë një këndellje edhe më të shpejtë. Nëse keni gërvishtje ose diçka të ngjashme vendosni mbi të lëvoren e bananes, dhe do t’ju shërohet më shpejt.

Nëse ju pickon mushkonja, kjo lëvore çudibërëse do të qetësojë kruarjen. Vetëm fërkojeni vendin e prekur.

Lëvoren mund edhe ta hani, vetëm së pari ziejeni ose përziejeni me mikser!

Për shkak të luteinës e cila gjendet në masë të madhe në këtë lëvore, me konsumimin e këtij ushqimi sytë tuaj do të jenë të mbrojtur nga dëmtimi i shkaktuar nga ekspozimi ndaj rrezeve UV.

Zijeni lëvoren për 10 minuta dhe pini ujin, ose thjesht përziejeni në shtrydhësen e frutave dhe pini lëngun e përfituar.

Kivi

Lëvorja me qime e kivit nuk është ushqimi më i shijshëm të cilin do ta kishit dëshiruar, por as ajo nuk duhet hedhur.

Përmban tri herë më shumë antioksidantë se sa brendësia dhe vepron si një mjet i fuqishëm kundër alergjive, infeksioneve, por edhe tumoreve.

Lëvorja e kivit gjithashtu është një ilaç natyral kundër baktereve siç janë stafilokoku dhe E.coli. Shfrytëzojeni bananen që ta maskoni shijen. Të gjitha së bashku i përzieni në shtrydhëse dhe pini.

Shega

Përdorimi lëvoren aromatike për potpuri. Prijeni në copa të vogla, thani dhe rregullojeni këndin tuaj të vogël aromatik.

Nëse keni probleme me diarre ose dhimbje në stomak ziejeni lëvoren e shegës në ujë dhe shtoni kanellë. Kur të ftohet pini nga pak tri herë në ditë.

Patatja

Lëvorja e patates është një elektranë e vërtetë ushqyese. Vetëm lëvorja e një patateje të madhësisë së grushtit ofron gjysmën e sasisë ditore të rekomanduar të fibrave të tretshme, kaliumit, hekurit, fosforit, zinkut dhe vitaminës C.

Patatja është po ashtu e mirë për flokë – mund t’i hiqni qafe thinjat në mënyrë natyrale.

Lëvoren e patates ziejeni në ujë për 30 minuta dhe lëreni të ftohet. Këtë ujë shfrytëzojeni për t’i shpërlarë flokët pas shamponit dhe gradualisht do t’i errësojë thinjat tuaja, ju nuk do të keni nevojë për kimikate dhe ngjyra të forta.

Dardha

Nëse hidhni lëvoren e kësaj frute keni hedhur pjesën definitivisht më cilësore. Lëvorja e dardhës është e pasur me vitamina, fibra dhe vlera ushqyese të cilat e tejkalojnë vlerën e asaj çka gjendet nën të.

Në mesin e përbërësve tjerë cilësorë, duhet të theksuar flavonoidin floretin – materien që pengon rritjen e qelizave të tumorit./zhurnal

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit