3.7 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Dobitë e agjërimit në aspektin fiziko-trupor

Më të lexuarat

Mjeku i njohur Riedlin, agjërimin me të drejtë e quajti “Operim pa bisturi”.

Në vazhdim paraqesim vetëm disa nga konstatimet dhe rezultatet e disa specialistëve të mjekësisë, të cilët u morën me çështjen e agjërimit dhe të ndikimit të tij në ruajtjen e shëndetit të njeriut-muslimanit.
“Hani e pini, por mos e teproni, sepse Allahu nuk i do ata që e teprojnë” (Kur’an: Kaptina el-Araf, 31)Agjërimi islam që relativisht është më i ashpër dhe më i gjatë se sa në fetë tjera, është bërë objekt i kujdesit dhe studimit gjithnjë e më të madh të mjekëve dhe mjekësisë në përgjithësi.

Sot ndërkaq, kur shkenca ka pëparuar dukshëm e ndër to edhe mjekësia, vlera e agjërimit është edhe më evidente dhe nga pikëpamja shkencore shumë më mirë e shpjeguar dhe e konfirmuar. Në vendet e zhvillura ekzistojnë institucione të specializuara për agjërim, më anë të së cilave trupi pastrohet nga helmet, që gjenden në të, pa konsumuar helme të reja, që pastaj të fillojë procesi i shërimit që është shumë më i suksesshëm. Kështu, mjeku i njohur Riedlin, agjërimin më të drejtë e quajti “Operim pa bisturi”.

Në vazhdim paraqesim vetëm disa nga kontatimet dhe rezultatet e disa specialistëve të mjekësisë, të cilët u morën me çështjen e agjërimit dhe të ndikimit të tij në ruajtjen e shëndetit të njeriut-muslimanit.

Sipas të dhënave të tre mjekëve specialistë: Davor Perinoviq-mjek specialist nga Kroacia, Heinz Hillman- shkencëtar gjerman, dhe dr. Nikollajev-psikatër rus, agjërimi bën shërimin e plotë ose ndikon pozitivisht në përmirësimin e:

– Sëmundjeve të zemrës;
– Sëmundjeve të veshkëve;
– Sëmundjeve të mëlqisë;
– Ndikon si preventivë kundër shumë sëmundjeve kanceroze;
– Përmirëson veprimin kardiovaskular;
– Përmirëson dukshëm tensionin e gjakut;
– Normalizon aritminë dhe frymëmarrjen e parregullt;
– Forcon tonusin e zemrës;
– Ndikon pozitivisht tek ata që janë me diabet, me reumatizëm, me skizofreni;
– Me agjërim mund të pengohet arterioskleroza, madje mund të përmirësohet edhe gjendja e të sëmurëve;
– Me agjërim mund të ushtrohet edukata fizike dhe psikoterapia.

Të dhënat e sipërpërmendura janë shtruar në pika të përgjithshme, në vazhdim do t’i ekspozojmë më gjerësisht:

– Dijetari i madh gjerman i mjekësisë, Heinz Hillman, në librin e tij “Mjeku shtëpiak për të shëndoshët dhe të sëmurët” në faqen 146 thotë: ”Në kohën e sotme është harruar plotësisht metoda magjike që u ka ndihmuar shumë brezave më herët në ruajtjen e shëndetit. Ajo është metoda e agjërimit. Asnjëherë në historinë e njerëzimit, mjekët nuk e kanë mohuar dobinë e madhe të kufizimit të kohëpaskohshëm të ushqimit. Mjekësia bashkëkohore e ka dëshmuar në studime të hollësishme se çdo lloj agjërimi shkakton kthesë konstante në organizëm. Agjërimi e rrit ndikim bakterial të gjakut dhe në këtë mënyrë konsiderueshëm e rrit edhe aftësinë imunologjike të organizmit ndaj sëmundjeve infektive.”

Zemra

Zemra si organ qendror i qarkullimit të gjakut gjithmonë është në punë ritmike aktive. Mirëpo madhësia e punës së saj nuk është gjithmonë konstante, por varet nga nevojat e organizmit. Mjeku i njohur Benedikt thotë se gjatë agjërimit zemra kursen 14.000 rrahje. Për punën e vet zemra shfrytëzon sheqernat, albuminet dhe yndyrërat. Nga sheqernat shfrytëzon glukozën, por si depo kryesore energjetike shfrytëzon glikogjenin, koncentrimi i të cilit rritet gjatë urisë-agjërimit.

Veshkët

Veshkët, funksioni primar i të cilave është pastrimi i gjakut nga materiet e dëmshme që janë prodhime të zbërthimit të materieve ushqyese në organizëm. Me zvogëlimin e marrjes së ushqimit zvogëlohet edhe puna e veshkëve. Këtu bazohet edhe njëra nga masat higjieno-dietike për shërimin e sëmundjeve të veshkëve, që është mosmarrja e ushqimit dhe ujit 3-4 ditë përveç një sasie të vogël lëngu pemësh.

Mëlqia

Mëlqia është organ aq më rëndësi për organizmin sa që quhet edhe “laborator i organizmit”.Mëlqia ka detyrë që helmet, të cilat futen në organizëm t’i detoksojë, pra t’i shndërrojë në komponime të padëmshme kimike. Çdo sëmundje pak më e rëndë e mëlqisë përfundon me vdekje, jo drejtpërsëdrejti pse humbet ky organ, por tërthorazi meqë në organizëm grumbullohen helme të forta që shumë shpejt shkaktojnë vdekjen. Mëlqia është një ndër organet më të ngarkuara në tërësi që kurrë nuk “pushon”, ngase duhet mënjanuar madje edhe ato helme që futen përmes frymëmarrjes. Prandaj çdo agjërim është pushim në kuptimin tekstual të fjalës për mëlqinë. Jo vetëm kaq, agjërimi më i gjatë mundëson përtëritjen më të shpejtë dhe më të lehtë të mëlqisë. E gjithë kjo tregon se agjërimi jo vetëm që e zvogëlon mjaft rrezikun e shfaqjes së shumë sëmundjeve vdekjeprurëse, por ndihmon që organizmi në segmente të veçanta të tij të përtërihet. Dihet se me anë të urisë zvogëlohen shtresat yndyrore në inde, por më pak dihet se me uri shkrihen edhe ato shtresa të yndyrës që sjellin infarktin e zemrës, shfaqjen e arteriosklerozës dhe shpejtimin e plakjes. Madje pohohet se personat që deri në tri herë në vit (ndërsa, shumë muslimanë në shenjë të devotshmërisë dhe shoqërimit të Ramaznit, agjërojnë para dhe pas këtij muaji), më ngadalë plaken.

Me agjërim mund të parandalohet arterioskleroza dhe mund të përmirësohet gjendja e të sëmurëve.
Hulumtimet bashkëkohore kanë treguar se agjërimi nuk e zvogëlon (dobëson) aftësinë punëtore të organizmit. Përkundrazi, njeriu i cili agjëron, menjëherë pas një kohë të shkurtër përjeton një ndjenjë të çuditshme lumturie, jeta i duket shumë e rëndsishme, i rritet aftësia e të përjetuarit dhe bëhet më i shoqërueshëm. Gjatë kohës së ushtrimit të drejtë të agjërimit, ai që agjëron, nga dita në ditë e ndien veten më mirë, është më vital dhe më i gëzueshëm. Gjithashtu gjendja e tij shpirtërore dhe trupore dukshëm përmirësohet. Atë që nuk mund ta japin të gjitha mjetet për “kënaqësi dhe dëfrim”, që njeriu modern aq rrezikshëm e lehtë i merr, agjërimi pa vuajtje mund t’i japë: ndjenjën e vërtetë të gëzimit. Në lidhje më këtë Muhammedi a.s. qysh para më se 14-shekujsh ka thënë “Për agjëruesin ka dy gëzime: gëzimi i parë është në iftar, kurse i dyti në takimin me Zotin e tij”, (Transmetues: Buhariu dhe Muslimi).

Agjërimi parapengon kancerin

Mjeku i shquar kroat, Davor Perinoviq, duke folur për efektin e agjërimit në parandlimin e kancerit thotë: ”Çfarë do të thoshin lexuesit tanë kur të kuptojnë se njëra nga metodat bashkëkohore të kurimit të kancerit, qoftë të ashtuquajturës mjekësi alternative ashtu edhe të mjekësisë tradicionale, është pikërisht agjërimi. Rezultatet e mjekimit të kancerit me agjërim, sot janë më se evidente. Është e njohur se qelizat e tumorit kanë nevojë shumë më të madhe për ushqim se ç’u duhet të gjitha qelizave të tjera në organizëm. Po ashtu është fare e ditur se zvogëlimi i konsiderueshëm i sasisë së pranuar të ushqimit ose thënë thjesht uria ndikon shumë më dëmshëm për qelizat malinje të tumorit, përkatësisht kancerit sesa për qelizat e indit normal.
Është e njohur se edhe psikoterapia i jep rëndësi të madhe agjërimit. Psikoterapeuti Martin Koje, në librin e tij “Manuali i jetës”, shkruan: ”I jap rëndësi të madhe agjërimit. Ai mundëson transformim shpirtëror të njeriut, sepse agjërimi shumë lehtë e çliron njeriun nga lidhjet e imagjinuara materiale dhe kontribuon të jetohet në harmoni me sferat shpirtërore”.

Psikiatri tjetër i sipërpërmendur, dr. Nikolajev-udhëheqës i një spitali për sëmundje shpirtërore (ish-BRSS) e shëron shizofreninë me kurime afatgjate të agjërimit. Ky zbulim dhe kjo metodë e dr. Nikolajevit favorizon një nga hipotezat mbi shkaqet e paraqitjes së shizofrenisë. Sipas asaj hipoteze shizofrenia është sëmundje organike e natyrës fiziologjike, sepse lind me çrregullimin e metabolizmin dhe helmet që nuk sekretohen me anë natyrore veprojnë në tru sikurse droga. Agjërimi, sipas mendimit të mendimit të tij i mundëson organizmit të vendosë një balancim metabolik normal dhe ta shërojë atë. Gjithashtu në mjekësi janë të njohura rastet e shërimit të inflamacionit akut të nyjeve (Febis reumatika) me agjërim me kohëzgjatje mbi një muaj.Sa më shumë që përparon shkenca e mjekësisë, aq më të shpeshtë janë zërat mbi vlerën e madhe të agjërimit nga aspekti mjekësor. Nuk është çështje e panjohur se në Zvicër, Angli, Gjermani e Francë ekzistojnë klinika të specializuara ku shërimi i të sëmurëve me defekte të ndryshme bëhet ekskluzivisht me trajtim të agjërimit (dietës).
Pas rezultateve tashmë të njohura, fare nuk na befason fakti se shumë mendje të ngritura, njëkohësisht kanë qenë edhe aderues të mëdhenj të agjërimit. Më 1933, Mahatma Gandi-politikani dhe luftëtari i madh i Indisë, si një aderues i madh i agjërimit, ishte futur në grevë urie e njohur si agjërim total. Në këtë kohë Gandi ishte në moshën 64-vjeçare.
Mjekët të cilët e kontrolluan pastaj, pohuan se aq shumë ishte përtërirë dhe ishte forcuar organizmi i tij, sa që të kujtonte dyzetvjeçarin.

Gjithashtu kur një qeveritar evropian ndërmjet dy luftërave botërore e pyetën si mund ta ruante shëndetin, që e kishte të çeliktë, u përgjigj se këtë e bënte me agjërim. Pastaj burrështetasi i madh anglez, Uinston Çerçili, ndonëse i shtyrë në moshë të thellë praktikonte shpesh agjërimin 24-48 orësh, duke dëshmuar me shembullin e tij personal se agjërimi është mënyra më e mirë që të arrihej koncentrimi i plotë i mendimeve. Ithtar i madh i agjërimit ka qenë edhe burrështetasi tjetër anglez, Ser Straford Krips.

Mjeku amerikan Shelton, një përkrahës i fuqishëm i agjërimit, e preferonte përmbajtjen nga ushqimet për qëllime shëruese në kohëzgjatje prej tri javësh. Tani edhe laikut më të madh i është bërë e qartë se me një agjërim më të gjatë organizmi pastrohet prej lloj-lloj materiesh helmuese, duke e zvogëluar në të njëjtën kohë rrezikun e shfaqjes së tyre. Madje, janë bërë edhe hulumtime statistikore, posaçërisht në SHBA, ku u kontatua një përqindje e vogël e sëmundjeve të përmendura, në ato vende ku Islami kishte ndikim më të fortë dhe ku njerëzit i përmbaheshin në mënyrë konstante agjërimit. Të dhënat se në vendet islame nuk janë të pranishme disa sëmundje vërtetojnë se se një nga shkaqet thelbësore është se atje praktikohet agjërimi e namazi dhe se nuk përdoret alkooli dhe prodhimet e derrit.

Është e nevojshme të theksohen edhe problemet lidhur me majmërinë-dhjamosjen dhe konsumimin e tepërt të ushqimit e të pijeve. Shoqëria moderne konsumatore duke prodhuar gjithnjë e më shumë ushqime e pije për tryezën e vet, ka krijuar dezekuilibër dhe çrregullime të mëdha në jetën dhe shëndetin njerëzor. Barku apo stomaku, si organ vital i trupit të njeriut ka qenë gjithmonë shkaktar i së keqes dhe burim i mynxyrës së njeriut, shkaktar i sëmundjeve dhe epidemive. Në lidhje me këtë Muhammedi a.s. në trasmetimin e Tirmidhiut thotë: “Ena më e keqe të cilën e stërmbushë njeriu është stomaku i tij. Do të mjaftonin vetëm ca kafshata që të mund të bëhej jetë normale. Mirëpo, nëse kjo nuk do të mjaftonte, atëherë le ta mbushë një të tretën e stomakut me ushqim, tjetrën me ujë, kurse atë që ka mbetur ta lërë të lirë për thithjen normale të ajrit”.
Sot pjesa më e madhe e sëmundjeve të rënda lindin kryesisht si pasojë e dëfrimeve të tepërta dhe palëvizshmërisë. Pikërisht për këtë agjërimi ka imponuar ilaçin e vet edhe për shërimin e këtyre sëmundjeve shkatërruese./Fehmi Maloku/pertymoter/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit