-2.4 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Dobia e kryerjes së obligimeve fetare dhe preokupimit për njerëzit

Më të lexuarat

“Allahu nuk e ngarkon askënd përtej kapacitetit që ka” (El-Bekare 2, 286)
Shejh Hussain Abdul Sattar ka ofruar një shpjegim mahnitës të implikimeve të këtij ajeti të Kuranit në jetën e individit. Sipas këtij shpjegimi, gjatë jetës së tij njeriu ngarkohet me dy lloj barrësh prej Zotit: (1) barrë që i përkasin sferës së jetës në këtë botë; (2) barrë që i përkasin sferës së fesë. Çdo njeri ka një kapacitet të kufizuar për të mbajtur ngarkesat e sprovave. Duke zgjedhur të ngarkojë veten e tij me përmbushjen e obligimeve fetare dhe ardhjen në ndihmë njerëzve në nevojë, besimtari pakëson barrët nga sfera e sprovave të jetesës, të cilat plotësojnë hapësirën e mbetur nga kapaciteti barrë-mbajtës.

Këtë parim besimtarët e kanë provuar dhe vërtetuar në jetët e tyre, kur për shkak të kryerjes së obligimeve fetare ata janë kursyer nga shumë vështirësi dhe angështi, me të cilat janë përballur njerëzit që kanë shmangur obligimet e sferës fetare.
Më poshtë kemi sjellë të plotë arsyetimin e Shejh Abdul Sattar-it:

“Ky ajet është një garanci prej Zotit të Lartësuar që askush nuk do të ngarkohet me një barrë që e tejkalon kapacitetin mbajtës të individit. Është një prej parimeve të sheriatit që njeriu të mos ngarkojë kurrizin e kafshës së punës me një ngarkesë që e tejkalon mundësinë e saj. Në të njëjtën mënyrë, shpatullat e njeriut, si metaforë e aftësisë së tij për të marrë përgjegjësi dhe për të duruar dhimbjet e sprovave dhe vuajtjeve, nuk do të ngarkohen në këtë jetë me më tepër se sa ka mundësi të mbajë. Kur njeriu e kupton se sa peshë mund të mbajë, pyetja që duhet t’i shtrojë vetes është: çfarë lloj peshe do të vendosë mbi shpatulla?

Dy janë mundësitë:
Njëra mundësi është që njeriu të zgjedhë llojin e peshës dhe t’i ngarkojë vetë shpatullat. Kjo është rruga e muslimanit, i cili merr mbi vete barrën e përmbushjes së obligimeve fetare dhe shërbimit ndaj njerëzve. Mundësia e dytë është që, në mungesë të nënshtrimit të vullnetshëm, njeriu të ‘fshikullohet’ nga vështirësitë e shtuara të jetës për shkak të hapësirës së lënë zbrazët nga moskryerja e obligimeve ndaj Zotit.

Muslimani i urtë është ai që merr përsipër përgjegjësinë ndaj Zotit e njerëzve dhe vendos barrë mbi shpatullat e tij, për të mos ua lënë ngjarjeve të befta të jetës t’i lëshojnë peshë. Për shembull, nëse dikush u shërben kategorisë së njerëzve në nevojë, e sakrifikon veten duke e ngarkuar me problemet dhe shqetësimet e tyre, atij nuk i mbetet kapacitet i pashfrytëzuar për t’u ngarkuar me barrë të tjera, e për pasojë as hapësirë për sprovime dhe shqetësime.

Nëse supozojmë se kanceri mund të godasë dikë, ka më pak gjasa që ai të godasë besimtarin që i ka ngarkuar shpatullat e tij plotësisht me përgjegjësitë e kryerjes së obligimeve fetare dhe dhënies ndihmë të tjerëve, sepse Zoti nuk ka për ta mbingarkuar atë. Individi që e njeh mirë kapacitetin e tij për të mbajtur barrë dhe me vetëdije e ngarkon veten deri në maksimumin e tij, brengat dhe shqetësimet e jetës, të cilat i bëjnë njerëzit ta humbasin toruan, ka më pak gjasa ta godasin atë.

Për këtë arsye, është kaq e inkurajueshme marrja përsipër e përgjegjësive përtej atyre individuale apo familjare, sepse shfrytëzimi i plotë i kapaciteteve duke u ngarkuar me mundimet e të tjerëve e mbron besimtarin dhe familjen e tij nga shqetësimet dhe vuajtjet, të cilave u trembet njeriu.”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit