1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Dobi dhe mësime të përfituara nga historia e Ademit (alejhis selam)

Më të lexuarat

– Këtë ngjarje madhështore, Allahu e ka përmendur në shumë vende në Kuranin famëlartë, të qartë dhe pa asnjë lloj mëdyshje apo dyshimi. Kjo ngjarje, konsiderohet prej më madhoreve, për vërtetësinë e së cilës kanë rënë dakort të gjithë Pejgamberët, kanë folur të gjithë librat qiellorë dhe e kanë besuar të gjithë ndjekësit e Profetëve që nga kohët e mëparshme si dhe ata që erdhën më pas. Por në kohën që jetojmë mbiu një grup keqdashës dhe i shthurur, që mohuan çdo gjë që sollën Profetët, mohuan Krijuesin dhe nuk pranuan veçse njohuritë SHKENCORE tek të cilat kanë arritur mendjet e tyre të cekëta!!

Duke u bazuar mbi këto parime (që beson ky grup), që faktikisht është prej grupeve më larg realitetit qoftë në anën legjislative apo atë logjike, ata e mohuan (ekzistencen) Ademin dhe Havasë, gjithashtu mohuan atë që ka përmendur Allahu dhe i Dërguari i Tij për ta.[1] Ata pretenduan se njeriu në zanafillë ishte kafshë dhe pikërisht majmun, ose diçka e ngjashme me majmunin dhe evuloi (kohë pas kohe) derisa erdhi në gjendjen që e shohim sot!! Ata u mashtruan pas ideologjive të gabuara të ndërtuara mbi supozime dhe logjikë të prishur  dhe për hir të këtyre ideologjive braktisën çdo lloj informacioni të saktë veçanërisht ato (njohuri) që sollën Pejgamberët. Kundër tyre u bë fakt fjala e Allahut të Lartësaur që thotë: “Kur të dërguarit e tyre iu sollën prova të qarta, ata u mburrën me diturinë që zotëronin vetë; por shumë shpejt i goditi ajo, me të cilën talleshin.” [Gafir 83].

Realiteti i kësaj kategorie njerëzish është i njohur për të gjithë ata që e pohojnë ekzistencën e Zotit dhe e dinë fare mirë se ata janë grupi më i humbur. Por fatkeqësisht tek disa muslimanë depërtuan disa gjurmë të këtij grupi shekullarist si dhe disa degëzime të ndërtuara mbi këtë teori. Kjo i shtyu disa bashkohës që ta komentonin përuljen e engjëjve para Ademit me këto fjalë: “Kjo botë është në shërbim të njerëzve, madje çdo gjë në tokë dhe nën tokë Allahu e ka vënë në shërbim të njeriut dhe pikërisht ky është kuptimi i përuljes së engjëjve (para Ademit)!!

Cilido që e beson Allahun dhe botën tjetër, nuk e vë në dyshim se këto mendime janë të importuara nga këto ideologji të prishura, madje konsiderohen tjetërsim i librit të Allahut, që nuk ka dallim me tjetërsimit që Karamitët dhe Batinijet[2] i bëjnë (librit të Allahut).

Nëse kjo ngjarje (përulja e engjëjve para Ademit) do të merte këtë lloj tjetërsimi, atëherë edhe tek ndodhitë e tjera të Kuranit do të depërtonte ky tjetërsim. Ndërsa Kurani, që është sqarim për çdo gjë, udhëzim dhe mëshirë për të gjithë do të kthehej në libër inicialesh ku çdo armik i islamit mund të bëjë me këto (iniciale) çfarë të dojë, vetëm e vetëm për ta rrëzuar Kuranin dhe për ta konvertuar udhëzimin e tij (Kuranit) në humbje dhe mëshirën që ai përçon, në fatkeqësi. Larg të metave është Zoti ynë, vërtetë kjo është një shpifje e madhe.

Për ta rrëzuar këtë pretendim të prishur, besimtarit i mjafton të lexojë atë që përmend Allahu në historinë e Ademit dhe përuljes së engjëjve dhe kupton se kjo bie ndesh plotësisht me atë që ka për qëllim Allahu dhe Profeti i Tij. Edhe pse ndjekësit e këtyre ideve i zbukurojnë dhe i ngjyrosin fjalët e tyre duke ua dedikuar edhe atyre që mendohen të jenë njerëz të mirë. Por besimtari nuk e braktis imanin (besimin), nuk e lë librin e Zotit të tij për shkak të disa promovimeve mashtruese që vijnë nga njerëz të mashtruar me vetet e tyre.

– Nga kjo ngjarje mësojmë vlerën e dijes dhe se engjëjve kur i’u bë e qartë vlera e Ademit me anë të dijes, kuptuan përsosmërinë e tij dhe se ai meriton të gjitha nderimet dhe respectet.

– Atij që Allahu i jep mirëinë e dijes, duhet ta pohojë këtë mirësi që Allahu ja ka dhuruar dhe të shprehet ashtu siç thanë Engjëjt dhe Profetët: ““Qofsh i lavdëruar! – thanë ata – Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.” [Bekare 32].

Dhe të ketë shumë kujdes nga i foluri në gjërat që nuk i di, sepse dija është prej mirësive më të mëdha dhe mirënjohja e kësaj mirësie bëhet duke e falënderuar dhe lavdëruar Allahun për të, duke e mësuar (për vete) dhe duke ua mësuar njerëzve të paditur. Si dhe të qëndrojë në kufijtë e gjërave  që ka mësuar dhe të heshtë për ato gjëra që nuk i di.

– Allahu i Lartësuar e bëri këtë ngjarje mësim për ne, për të na treguar se, zilia, mendjemadhësia dhe lakmia, janë sjelljet më të rrezikshme për robin. Mendjemadhësia e Iblisti dhe zilia e tij ndaj Ademit, e çuan atë deri aty ku e mësuam. Ndërsa lakmia e Ademit dhe bashkshortes së tij, i shtyu të provonin pemën. Nëse nuk do tu vinte pranë mëshira e Allahut, kjo mund t’i çonte në shkatërrim. Sepse mëshira e Allahut e plotëson mangësinë, e përmirëson atë që thyhet, e shpëton të mbyturin dhe e lartëson atë që ka rënë poshtë.

– Robi, kur bie në një mëkat, duhet të nxitojë drejt pendimit dhe pranimit të mëkatit që ka bëë dhe të shprehet sinqerisht nga zemra, ashtu siç u shprehën prindërit (Ademi dhe Havaja) me zemër të sinqetë dhe pendim të vërtetë. Atë që na tregoi Allahu me rastin e pendimit të tyre, nuk e bëri veçse për ti marrë si shembull dhe me qëllim që të fitojmë lumturinë dhe të shpëtojmë nga shkatërrimi.

Gjithashtu Ai (Allahu), nuk na i tregoi fjalët e shejtanit dhe kërcënimin e tij (ndaj nesh) veçse për të na treguar vendosmërinë e këtij armiku për të na devijuar me çdo mënyrë. Na lajmëroi që të jemi të përgatitur për ti bërë ballë këtij armiku,  i cili e ka shfaqur haptas këtë armiqësi të tejskajshme dhe të hershme. Allahu kërkon prej nesh që të përballemi me të (shejtanin) me çfarë të mundemi, t’i largohemi rrugës dhe hapave të tij apo shkaqeve që është frikë se na çojnë drejt rrjetës së tij. Ai kërkon nga ne që të ndërtojmë fortifikata, nëpërmjet duave (lutjeve) të sakta, dhikrit të zemrës apo duave mbrojtëse. Të armatosemi me armë që e shkatërrojnë atë (shejtanin), me iman të sinqertë, mbështetje të fortë tek Allahu, si dhe ta përçmojmë duke vepruar (të kundërtën e asaj që ai do) vepra të mira. Për t’i bërë ballë cytjeve dhe mendimeve të tij të këqia që e cënojnë çdo zemër në çdo kohë. Të gjithave, duke u bërë ballë me dije të dobishme dhe fakte të vërteta.

– Në këtë ndodhi ka argumente për metodologjinë që ndjek ehli suneti dhe xhemati, që pohojnë për Allahun, atë që Ai ka pohuar për Veten e Tij, emrat dhe atributet e Tij të larta, sepse s’ka dallim mes atributeve të qenies së Tij dhe atributeve të veprimeve të Tij.

– Nga kjo ngjarje, pohojmë dy duart për Allahun ashtu siç përmendet qartë në ndodhinë e Ademit kur thotë: “Atë që e kam krijuar me dy duart e mia.” Ai (Allahu) ka dy duar reale dhe ashtu sikurse Qenia e Tij nuk u ngjason krijesave, edhe sifatet (cilësitë) e Tij nuk ngjasojnë me sifateve të krijesave.

“Historitë e Profetëve”

Shejh Abdurrahman es Seadi

Përktheu: Fatjon Isufi.

 

[1] Këtij grupi i afrohen shumë në humbje ata që pretendojnë se njeriu ka evoluar dhe është zhvilluar në religjion sic ka evoluar në shpikje dhe në prodhime. Kanë për qëllim: Mohimin e historisë së akides (besimit) siç e ka përmendur Kurani në historinë e Ademit dhe Iblisit, si dhe mohimin e shpalljes dhe profetësisë!!

[2] Sekte ekstremiste shijite që besojnë se Kurani ka kuptim të jashtëm dhe të fshehtë dhe kuptimin e tij të fshehtë nuk e dinë veçse imamët e tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit