4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Do të zëvendësohen 22 diplomatë të Kosovës

Më të lexuarat

Qeveria e Kosovës planifikon që brenda pak ditësh të zëvendësojë 22 diplomatë, prej tyre 12 ambasadorë të cilat aktualisht janë të akredituar në shtete të ndryshme, ku Kosova ka ambasadat dhe përfaqësitë e veta diplomatike.

I gjithë procesi, pritet të zhvillohet përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli tha për Radion Evropa e Lirë se në kuadër të reformave që po behën do të ndodhin edhe ndryshimet në shërbimet diplomatike.

“Ne jemi duke ecur përpara me reformat tona. Ne kemi tani në proces ndërrimin e 22 diplomatëve kosovarë dhe diku të 12 ambasadorëve. Krahas kësaj, ne jemi duke punuar me hapa të përshpejtuar në Ligjin e ri të Ministrisë së Jashtme dhe në reformat e vetë ministrisë”, tha Pacolli.

Sipas ministrit të Jashtëm të Kosovës, për emërimet të reja, ministria nuk do të lejojë ndikimet politike dhe se sipas tij, as gradimet nuk do të bëhen për ata që nuk e meritojnë.

“Ai që meriton mund të bëhet edhe ministër, ambasador… . Ai që nuk e meriton, praktikisht duhet të formohet. Ju them se për ketë një vlerësimin që kemi bërë brenda, ne jemi duke pritur edhe përgjigje nga tri burime apo institucione nga jashtë që të vinë dhe t’i verifikojnë përzgjedhjet tonë. Do të thotë, pa ndodhur kjo përzgjedhje dhe pa qenë të sigurt se kemi bërë përzgjedhje të mirë, nuk do të ketë gradime nga kjo ministri”, tha Pacolli.

Ndërkohë, deputetja Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se në misionet diplomatike të Kosovës ka persona të cilët bëjë punë të mirë, por sipas saj, ka edhe të atillë që me prezencën e tyre i kanë dhenë imazh të keq vendit.

Osmani thotë se në faza të caktuar, kur janë bërë emërimet diplomatike ka dominuar militantizmi politik, si kriter për emërime pa meritë dhe përgatitje profesionale.

“Është momenti i fundit që diplomacia kosovare të drejtohet drejt profesionalizimit dhe të eliminojë militantizmin. Kjo është esenciale nëse duam të ndërtojmë një politikë të jashtme e cila shikon vetëm interesat e Kosovës dhe një politikë të jashtme e cila do t’i rezistojë kohës dhe nuk do të ndryshojë njerëzit të cilët shërbejnë në shërbimin diplomatik, varësisht se kush vjen në pushtet”, tha Osmani.

Ajo i sheh vetëm si retorikë politike paralajmërimet nga kreu i diplomacisë kosovare për reforma në Ministrinë e Jashtme dhe ndërprerejen e gradimeve mbi baza partiake.

“Kjo është vetëm në fazën e retorikës se sa po e kuptoj unë edhe në të kaluarën shumë herë kemi dëgjuar nga ministrat e PDK-së këtë, sepse kjo ministri është udhëhequr kryesisht nga PDK-ja, përveç një periudhe kohore kur është udhëhequr nga Skënder Hyseni [LDK]. Pra, vazhdimisht kemi dëgjuar premtime se do të reformohet sistemi dhe se do të kthehen njerëzit të cilët nuk i plotësojnë kriteret. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur edhe tani është shumë herët që të thuhet që vetëm se kemi një deklaratë një gjë e tillë do të ndodh”, tha Osmani.

Rritja e numrit të njohjeve dhe anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, mbetet një prej synimeve kryesore të Qeverisë aktuale, ngjashëm me ato parapraket.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli tha për Radion Evropa e Lirë se njohjet e reja për Kosovën janë një proces i pandalshëm. Ai tha se ka një angazhim të vazhdueshëm për të arritur rezultate konkrete.

Më 17 shkurt, Kosova ka shënuar jubileun e parë të pavarësisë. Për 10 vjet të shtetësisë, Kosovën e kanë njohur 116 shtete.

Por, shteti më i ri evropian ende nuk e ka siguruar ulësen që i takon në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe nuk e ka fituar mbështetjen unike të Bashkimit Evropian, ngase pesë shtete anëtare të BE-së, nuk e njohin atë si shtet. /rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit