Por përveç djersitjes fiziologjike të nevojshme për të ruajtur ekuilibrin termik të organizmit, mund të ndodhë djersitja e tepërt ose e shtuar (hiperhidroza), që për mjekët, përveçse një sëmundje e lindur, mund të jetë “sinjal alarmi” për çrregullime endokrine, përfshirë këtu sëmundjet e tiroides, sëmundjen e diabetit, e deri edhe sëmundjet malinje. Edhe temperatura e lartë shoqërohet gjithmonë me djersitje, pas marrjes së substancave që e ulin atë.
Gjithashtu menopauza e shtatzënia mund të sjellin shtim të djersitjes. Megjithatë, nuk është vendosur ende një përkufizim standard i djersitjes së shtuar. Për qëllime praktike çdo sasi e djersitjes që ndërhyn me aktivitetet e jetës së përditshme mund të përkufizohet e të shihet si hiperhidrozë.
Siç është vërejtur në një studim, në disa pacientë prodhimi i djersës mund të jetë i shtuar rreth 40 herë mbi vlerat normale. Ata paraqiten zakonisht me djersitjen e një ose më shumë pjesëve të trupit, siç janë sqetullat, pëllëmbët e duarve, këmbët ose fytyra. Problemi i hiperidrozës fillon zakonisht gjatë pubertetit (9 – 16 vjeç) dhe vazhdon gjithë jetën, me njëfarë ulje të intensitetit, në varësi të gjendjes psiko-fiziologjike të personit.
Kjo dukuri shqetësuese dhe e bezdisshme, që shpesh nuk varet nga temperatura e mjedisit, shfaqet në çdo stinë dhe përkeqësohet zakonisht gjatë verës. Për sa i përket jetës sociale, personat qe vuajnë nga hiperidroza, shpesh e përjetojnë këtë dukuri me ulje të vetëvlerësimit dhe izolim nga shoqëria. Edhe kryerja e aktivitetit normal në punë dhe në jetën e përditshme, kthehet në një problem jo vetëm fizik, por edhe psikologjik. Djersa e tepërt, përveç bezdisjes që krijon tek personat e prekur, mund të bëhet shkak i depozitimit në lëkurë të baktereve, të cilët më proceset e fermentimeve prodhojnë aroma të pakëndshme.