4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Djegia e flamurit të Turqisë në Kosovë, reagojnë krerët e shtetit: akt i papranueshëm!

Më të lexuarat

Disa përkrahës të zv/ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Gjergj Dedajt, të enjten ia vënë flakën flamurit të Turqisë. Në një video, e cila qarkulloi në internet, shihen disa persona teksa ofendojnë dhe shajnë shtetin mik të Kosovës.

Madje, të njëjtit nuk kanë lënë pa ofenduar edhe presidentin turk, Rexhep Taip Erdoganin.

Kalle turkin e m..tit, poshtë Turqia, përkrahje Gjergj Dedajt …Kalle Erdoganin, kalle flakë”, dëgjohen teksa thonë përkrahësit e Dedajt. Ky i fundit që ofendoi edhe vet ditë më parë Turqinë duke e quajtur “Shtriga e Ballkanit”, reagoi duke thënë se merr përsipër vetëm ato që thotë personalisht dhe u distancua nga vepra e personave në fjalë.

Ndaj djegies së flamurit turk kanë reaguar krerët më të lartë të shtetit, si presidenti, kryeministri e kryekuvendari.

Presidenti Hashim Thaçi djegien e flamurit turk e quan veprim të improvizuar dhe sipas tij është bërë për të dëmtuar raportet e Kosovës me Turqinë.

“Djegia e flamurit është akt i shëmtuar dhe i dënueshëm. Ata individë s’mund të identifikohen si simpatizues të një individi apo grupi. Kam dëgjuar që ka qenë një rast i improvizuar për të dëmtuar relacionet, është informacion i saktë nga institucionet e sigurisë”, tha Thaçi në konferencë për media të premten.

I pyetur se a do të dekretojë Gjergj Dedajn për ambasador në Maqedoni, pas deklaratave të tij kundër Turqisë dhe Serbisë, Thaçi u shpreh se i respekton procedurat e institucioneve, duke nënkuptuar se do ta bëjë një gjë të tillë.

Kryeministri Ramush Haradinaj, të enjten përmes një postimi në Facebook kërkoi nga organet e rendit që të vihen në lëvizje për vënien para drejtësisë së autorëve të këtij veprimi vandal.

“Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson fuqishëm qëndrimin e saj kundër deklarimeve dhe gjuhës fyese ndaj Republikës së Turqisë dhe popullit turk, nga kushdo qoftë në vendin tone”, tha Haradinaj.

Për rastin në fjalë ka reaguar edhe kryeparlamentari Kadri Veseli i cili ka pritur deputetët e Grupit parlamentar 6+ me të cilët ka ndarë shqetësimin e akteve të fundit.

Veseli ka shkruar në Facebook se askush nuk mund t’i lëndojë raportet e Kosovës me Turqinë.

“Me deputetët e Grupit Parlamentar 6 +, në një takim që pata sot, ndamë shqetësimin e përbashkët për aktin e dënueshëm ndaj simboleve të Republikës së Turqisë. Shteti i Kosovës, populli i Kosovës, i respekton dhe i nderon miqtë e vet, kulturën, simbolet dhe identitetin e tyre. Kosova ka raporte shumë të mira me Turqinë dhe askush nuk mund t’i lëndojë ato, e as nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”, shkruan Veseli.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Lirie Podrimaj Beqiraj ka deklaruar për mediat kosovare se në konsultim me Prokurorinë do të nisin hetimet, duke mbledhur prova dhe dëshmi në lidhje me djegien e flamurit të Turqisë.

Kujtojmë se Grupi 6+ kërkoi nga Haradinaj shkarkimin e Dedajt nga pozita e zv.ministrit të Jashtëm pas deklaratës për Turqinë, por kërkesa e tyre lëre që nuk u përmbush, por për më tepër pritet që ai së shpejti të bëhet ambasador në Maqedoni.

Përgatiti: Blendi Gashi -/tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit