4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Ditët më të mira të kësaj bote

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut i Cili ka krijuar kohët dhe i ka dalluar disa muaj, ditë dhe net nga të tjerat. Në të cilat shumëfishohet shpërblimi.
Prej begative të Allahut ndaj robërve të Tij është se ka bërë sezon në të cilën besimtarët shtojnë veprat e mira dhe bëjnë gara në to. Fitimtarë është ai i cili këto sezon që i ka dalluar Allahu nga të tjerat dinë ti shfrytëzoj.
Jemi në dhjetë ditët e para të muajit Dhul Hixxhe, ditët më të mira të kësaj bote dhe ditët më të vlefshme të saj. Për vlerën e tyre na mjafton të dimë se Allahu është betuar në to, dhe Allahu nuk betohet në diçka që nuk është me vlerë dhe në diçka që është e vogël.
Kur besimtari kupton vlerën e këtyre ditëve kjo e shtyn atë që të ketë një angazhim më të veçantë në këto ditë, ti shpeshtoj veprat e mira.
Gjëja e parë që besimtari duhet të ketë parasysh në këto ditë është që ato ti pres me pendim të sinqertë. Në pendim është shpëtimi i njeriut në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu thotë në Kuran: Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin! ( nur 31). Është obligim i besimtarit që nëse njolloset me ndonjë mëkat të shpejtoj në pendim. Sepse, ai nuk e di se kur do të vdes dhe se e keqja e tërheq të keqen. Pendimi është obligim në çdo kohë dhe në çdo moment por në momentet e vlefshme është më i theksuar. O ti njeri, që zemra është errësuar sikur errësirat e natës! A nuk ka erdh koha që të ndriçohet zemra e jote?! A nuk ka erdh koha që zemra të zbutet. Shfrytëzoj këto ditë në ndriçimin e zemrës tënde dhe në zbutjen e saj me adhurim dhe dashuri ndaj Krijuesit tënd.

Gjëja e dytë që duhet të ketë parasysh besimtari në këto ditë është vendosmëria e sinqertë në përfitimin dhe shfrytëzimin e këtyre ditëve. Besimtari duhet të jetë shumë i kujdesshëm që këto ditë ti mbush me vepra dhe me fjalë të mira. Ai i cili është i vendosur në diçka Allahu i ndihmon në realizimin e saj dhe i lehtëson shkaqet për të realizuar atë. Ai i Cili është besnik me Allahun, Allahu është Besnik me të.
Gjëja e tretë që duhet ta bëjë besimtari në këto ditë është largimi nga mëkatet. Sikur që adhurimet janë shkak që njeriun ta ofrojnë te Allahu edhe mëkatet janë shkak që ta largojnë njeriun nga Allahu. Ndodh që njeriu të privohet nga mëshira e Allahut për shkak të mëkatit që e ka bërë. Nëse je prej atyre që dëshiron faljen e Allahut dhe largimin nga zjarri i xhehenemit, ki kujdes, mos birë në mëkate në këto ditë e as në ditët tjera.
Vlerat e këtyre dhjetë ditëve:

1. Allahu është betuar në këto ditë: Nëse Allahu betohet në diçka, tregon se ajo gjë ka një vlerë të veçantë. Allahu thotë në Kuran: Betohem për muzgun e agimit. Dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhxhe)! ( Fexhr 1,2).

2. Janë ditë të caktuara në të cilat Allahu ka ligjësuar përmendjen e Tij në formë të veçantë: që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar ( haxhxh 28). Ditët e caktuara në këtë ajet sipas shumicës dërmuese të komentatorve të Kuranit janë dhjetë ditët e para të Dhul hixhes.
3. I Dërguari i Allahut ka dëshmuar për këto ditë se janë ditët më të vlefshme në këtë botë. Ka thënë i Dërguari i Allahut: “ nuk ka ndonjë ditë që vepra e mirë është më e dashur te Allahu se sa në këto dhjetë ditë. I thanë e as lufta në rrugën e Allahut o i Dërguari i Allahut. Tha as lufta në rrugën e Allahut përveç nëse njeriu del në luftë me veten dhe pasurin e tij dhe nuk kthehet me asgjë”.
4. Në këto ditë është dita e Arafatit. Dita e Arafatit është dita më e vlefshme e vitit. I Dërguari i Allahut thotë: “ agjërimi i ditës së Arafatit shpresoj që ti fal mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit që vjen pas”.
5. në këto ditë bashkohen të gjitha adhurimet. Ka thënë dijetari i njohur Ibn Haxher në sqarimin e koleksionit të Buhariut: “ ajo që vërehet në dallimin e këtyre ditëve ndaj të tjerave është se në këto ditë bashkohen të gjitha adhurimet madhështore, prej namazit, agjërimit, lëmoshës, haxhit dhe të gjitha këto adhurime nuk mund të bashkohen në ndonjë ditë tjetër”. Andaj besimtari le të shtoj në këto ditë sa më shumë vepra të mira. Nëse ka mundësi, dhe më e madhja është haxhi, pastaj agjërimin e këtyre ditëve e sidomos ditën e Arafatit. Kujdesin ndaj namazit dhe mundësisht ta fal namazin në xhami me xhemat, të shpeshtoj sa më shumë përmendjen e Allahut duke thënë ALLAHU EKBER. ALLAHU EKBER. LA ILAHE IL-LALLAH VALLAHU EKBER. ALLAHU EKBER VE LILAHIL HAMD.(Allahu është më i Madhi. Allahu është më i Madhi. Nuk meriton të adhurohet askush përveç Tij. Allahu është më i Madhi dhe vetëm atij i takon falënderimi). Të jap lëmosh sa të ketë mundësi. Në përgjithësi ti shtoj të gjitha veprat e mira që ka mundësi të kryej, leximin e Kuranit, mësimin e tij, kërkim falje te Allahu, bamirësia ndaj prindërve, vizitat farefisnore, pajtimin mes njerëzve, urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja.

Me gjitha këto vepra të mira ne si besimtarë do ta arrijmë xhenetin e Allahut dhe kënaqësinë e Tij. Në xhenet me së shumti prej banorëve të tij do të jenë prej ummetit të Muhamedit. I Dërguari i Allahut një ditë ju tha shokëve të Tij: “ A dëshironi të jeni një e katërta prej banorëve të xhenetit. Shokët thanë Allahu Ekber. Pastaj tha a dëshiron të jeni një e treta e banorëve të xhenetit. Shokët thanë Allahu Ekber. Pastaj tha a dëshironi të jeni gjysma e banorëve të xhenetit. Shokët thanë Allahu Ekber. Atëherë i Dërguari i Allahut tha: Pash Atë në dorën e të Cilit është shpirti im shpresoj që ju të jeni gjysma e banorëve të xhenetit”.

Ndërsa në një hadith tjetër i Dërguari i Allahut thotë: “ Banorët e xhenetit do të jenë një qind e njëzet rreshta. Tetëdhjetë prej tyre do të jenë të ummetit tim ndërsa katër dhjetë do të jenë prej popujve tjerë”.
Ndërsa nëse shikojmë në moshën e njerëzve sot me ata që kanë kaluar para nesh prej popujve, ata kanë jetuar më gjatë se ne dhe kanë pas mundësi që të veprojnë më shumë vepra se ne. Atëherë ku është sekreti se ne do të jem më shumë se ata në xhenet? Sekreti është në shfrytëzimin e sezoneve dhe ditëve që i ka dalluar Allahu nga të tjerat. Ku në këto ditë shumëfishohet shpërblimi. Ka thënë disa dijetarë shumëfishimi i shpërblimeve është e veçantë e ummetit të Pejgamberit ( pasuesve të tij).

Shaban Murati

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit