1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Dispozita mbi huadhënien

Më të lexuarat

Përkufizimi i huadhënies

Sipas kuptimit  gjuhësor, huadhënie do të thotë: prerje, ngase huadhënësi pret një pjesë nga pasuria e tij për t’i dhënë huamarrësit.

Ndërkaq, nga aspekti fetar huadhënia është: dhënia e pasurisë ndokujt që të përfitojë nga ajo e pastaj t’i kthehet atij.

Ligjshmëria e huadhënies

Huadhënia është e lejuar me sunet dhe konsensus të dijetarëve, ngase kjo është edhe praktikë e të dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!), e po ashtu ai ka thënë: “Njerëzit më të mirë janë ata të cilët plotësojnë (përmbushin) më mirë borxhin”. Shënon Buhariu.

Vlera e huadhënies

Huadhënia është prej adhurimeve me të cilat njeriu i afrohet Allahut të Madhërishëm, ngase ai ndien butësi dhe mëshirë ndaj njerëzve, lehtësimin e punëve të tyre dhe largimin e brengave të tyre. I dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush largon nga një musliman një brengë prej brengave të  kësaj bote, Allahu ka për t’i larguar atij një brengë prej brengave të botës tjetër. Kush i lehtëson atij që ka vështirësi, Allahu atij ka për t’i lehtësuar në këtë dhe botën tjetër. Allahu është në ndihmë të robit, derisa ai është në ndihmë të vëllait të tij”. Shënon Muslimi.

Po ashtu, i dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush jep hua një muslimani dy herë, është sikur të ketë dhënë sadaka njëherë”[1].

Ndërkaq, në një hadith tjetër, i dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Çdo huadhënie është sadaka”. Shënon Taberani me sened hasen.

Kushtëzimi i afatit të caktuar

Shumica e dijetarëve mendojnë se nuk është e lejuar kushtëzimi i afatit të caktuar në huadhënie, ngase kjo është thjesht një dhënie e çiltër dhe huadhënësit i takon e drejta e  kërkimit të huasë në çdo kohë. Ndërkaq, imam Maliku mendon se kjo është e lejuar dhe obligohet zbatimi i kushtit me rastin e caktimit të afatit dhe nuk i takon huadhënësit të kërkojë para afatit të caktuar; kjo bazuar në fjalën e Allahut të Madhërishëm: “O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë!” Bekare, 282. Gjithashtu, argumentohet me fjalën e të dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!): “Muslimanët u përmbahen kushteve të tyre.” Shënon Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ebu Daudi.

Që huadhënia të jetë e vlefshme, është e kushtëzuar që huadhënësi të dhurojë nga pasuria e tij e nuk është e lejuar për kujdestarin e jetimit si: (fjala vjen) të japë hua nga pasuria e jetimit. Gjithashtu kushtëzohet njohja e sasisë së pasurisë së dhënë hua, njohja e formës dhe moshës, nëse është kafshë, në mënyrë që të mundësohet kthimi i zëvendësimit tek pronari.

Çfarë mund të huazohet

Huadhënia është e vlefshme në çdo gjë që është e lejuar shitja si:rrobat, kafshët dhe çdo gjë tjetër që është e matshme.

Çdo huadhënie që sjell dobi konsiderohet riba (kamatë)

Qëllimi i huadhënies është ndihmesa e njerëzve në çështjet e tyre jetësore dhe mirësjellja ndaj tyre e nuk është mjet për shfrytëzimin e tyre, ndaj nuk është e lejuar për huamarrësin t’i kthejë huadhënësit vetëm se atë që i ka dhënë ose të ngjashme me të, duke u bazuar në rregullin e fikhut i cili thotë: çdo huadhënie që sjell dobi, konsiderohet kamatë. Ndalimi (i shtesës-dobisë) këtu është i theksuar vetëm në atë që kushtëzohet ose ajo që është e njohur tek njerëzit. Ndërkaq, nëse nuk kushtëzohet dhe nuk është e njohur tek njerëzit, atëherë shtesa është e lejuar e argument për këtë kemi hadithin të cilin e transmeton Ebu Rafi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ku thotë se i dërguari i  Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka huazuar deve nga një njeri, ndërkohë i kanë ardhur devet e zekatit dhe më urdhëroi që t’i kthej njeriut devenë. Unë i thashë se nuk gjej në të vetëm deve të zgjedhur, që ka mbushur gjashtë vite. I dërguari më tha: “Jepi atij se më i mirë nga ju është ai që plotëson (përmbush) më mirë borxhin”.

Po ashtu, Xhabir bin Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i dërguari i Allahut i ka pasur hua dhe kur e ka kthyer atë ka shtuar më tepër. Shënon Buhariu.

Forma të huadhënies të cilat sjellin dobi janë të shumta, prej tyre mund të përmendim:

-Dhënia e dymijë apo tremijë me qëllim që huamarrësi t’i shesë shtëpinë apo t’i kthejë më shumë nga ajo që i ka dhënë.

-Dhënia hua me qëllim që huamarrësi t’i kryejë ndonjë shërbim atij, prindit apo ndonjë të afërmi të tij.

-Dhënia e pasurisë me qëllim që t’i japë me qira ndonjë shtëpi apo lokal, si dhe forma të ngjashme me këto, mjaft të përhapura në mesin e njerëzve. I dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar dhënien e huas dhe shitblerjen në të njëjtën kohë. Shënon Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe Nesai.

Gjithashtu, është transmetuar nga Ubej bin Kab, ibn Mesudi, ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!) se kanë ndaluar çdo huadhënie që sjell dobi, ngase ajo është një ndihmë me të cilën i afrohemi Allahut të madhërishëm, ngase nëse kushtëzojmë këtë, atëherë del nga esenca për të cilën është ligjësuar. Muslimani duhet të ketë kujdes në këtë dhe ta pastrojë nijetin e tij në huadhënie, madje në çdo adhurim tjetër.

Të nxituarit në kryerjen e borxhit para vdekjes

Disa njerëz nuk i kushtojnë rëndësi të drejtave që kanë ndaj të tjerëve në përgjithësi e veçanërisht në çështjen e borxhit. E padyshim se kjo është një cilësi e urryer, gjë që ka rezultuar që shumë njerëz të largohen nga huadhënia dhe ndihmesa ndaj nevojtarëve. Huamarrësi duhet të ketë kujdes në kthimin e borxhit tek huadhënësi dhe mos ta vonojë. Allahu i Lartësuar thotë: “A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë diçka tjetër, përveç të së mirës!” Rahman, 60. Gjithashtu thotë: “Allahu ju urdhëron që t’u jepni amanetin të zotëve të tyre.’ Nisa, 58.

Ndërkaq, i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Shtyrja (vonimi) e borxhit është mëkat”. Shënon Buhariu dhe Muslimi.

Po ashtu thotë: “Kush u merr pasuri njerëzve (hua) dhe dëshiron t’ua kthejë, Allahu atij i ndihmon. Kush dëshiron shkatërrimin, Allahu ka për ta shkatërruar”. Shënon Buhariu. Po ashtu thotë: “Shpirti i besimtarit është i varur për borxhin e tij, derisa të lahet.” Shënon Tirmidhiu.

Rekomandimi i pritjes së borxhliut që ka gjendje të vështirë

Allahu i Madhërishëm thotë: “Po në qoftë se ai (borxhliu) është në gjendje të vështirë, atëherë bëni një pritje, deri sa të vijë në një çlirim. E t’ia falni (borxhin) në emër të lëmoshës. Ajo, nëse e dini, është shumë më e mirë për ju”. Bekare, 280. Abdurahman Sadi (Allahu e mëshiroftë!) thotë se në qoftë se borxhliu është në gjendje të vështirë dhe nuk ka mundësi larjen e tij, atëherë obligohet për huadhënësin që të bëjë një pritje deri sa të vijë në një çlirim. Ndërkaq për huamarrësin obligohet kthimi i borxhit me rastin e sigurimit të pasurisë në mënyrë të lejuar. Nëse huadhënësi i jep sadaka atë hua atij tërë borxhin apo një pjesë të tij, kjo është më mirë për të.

Nga Ebu Katade (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmetohet se ai kishte kërkuar një borxhli të tij e ky i fshihej e pastaj e takoi e ai i tha se ishte në gjendje të vështirë, atëherë ai i tha: “Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) duke thënë: “Kush dëshiron që Allahu ta shpëtojë nga brengat e botës tjetër, le t’i ndihmojë apo le t’i mbulojë atij borxhin!” Shënon Muslimi.

Vendimi i sheriatit rreth huamarrjes nga pasuria haram (e ndaluar)

A është e lejuar huamarrja nga një person tregtia e së cilit është e njohur me haram dhe punon me haram?

Nuk është e lejuar, vëlla i nderuar, huamarrja nga ky person dhe njëkohësisht bashkëpunimi me të, ngase puna e tij është me haram, por duhet të largohesh nga ai. Nëse pasuria e tij është e përzier hallall dhe haram (e lejuara dhe e ndaluara) nuk ka gjë të keqe, mirëpo më mirë është lënia, ngase i dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Lëre atë që të duket e dyshimtë dhe pranoje atë që nuk të duket e dyshimtë!” Shënon Tirmidhi dhe Nesai. Po ashtu, i dërguari i Allahut ka thënë: “Kush mbrohet nga gjërat e dyshimta, e ka siguruar në pikëpamje të besimit dhe të nderit; ndërsa kush bie në gjërat e dyshimta, ka rënë në të ndaluarën…” Shënon Buhariu dhe Muslimi. Po ashtu thotë: “…Kurse e keqe (mëkat) është çka mbillet (përforcohet) në veten tënde dhe nuk dëshiron që këtë ta dinë njerëzit”. Shënon  Muslimi.

Muslimani largohet nga gjëra të dyshimta, ndërkaq, nëse e gjithë tregtia e tij është me haram, atëherë nuk është e lejuar huamarrja nga ai. Allahu di më së miri.

Përktheu: Almedin Ejupi

31.03.2007

[1] Shënon Ibn Maxhe. Albani hadithin e cilëson si hasen në veprën e tij ‘Iruaul galil’ 1389.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit