3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Dispozita e shitblerjes me kapar (paradhënie, el urbun)

Më të lexuarat

Fushat e veprimtarive ekonomike mes njerëzve janë zgjeruar, saqë janë përhapur mënyra dhe forma të ndryshme Ky zgjerim vjen si rrjedhojë i largësisë nga të jetuarit sipas parimeve të Islamit dhe shmangies nga rrugët e udhëzimit, çka ka sjellë që politika e synimit ta arsyetojë mjetin. Kjo politikë ndiqet nga shumë muslimanë e sidomos nga ata të cilët merren me tregti, interesimi i të cilëve është vetëm grumbullimi sa më i madh i pasurisë duke mos shikuar në lejimin ose ndalimin e saj. Shumë çështje u janë përzier njerëzve, e vërteta është veshur me të pavërtetën. Çështja është mjaft e rrezikshme dhe kërkon zbulimin dhe sqarimin e shumë llojeve të marrëdhënieve ekonomike të pranishme sot në mesin e muslimanëve, në mënyrë që të sqarohet e vërteta dhe të dallohet e mira prej së keqes.

Pasi shitblerja me kapar (el urbun) është njëra prej llojeve të tregtisë së njohur sot, ndihet nevoja që të sqarohet dispozita e kësaj shitblerjeje, se a është hallall apo haram (e lejuar ose e ndaluar).
Para se të flasim dhe të përmendim qëndrimet e dijetarëve islamë lidhur me këtë çështje, është e arsyeshme të mësojmë se ç’kuptojmë me këtë lloj shitblerjeje. Fjala “el urbun” sipas kuptimit etimologjik do të thotë parapagim, paradhënie. Ndërsa sipas kuptimit terminologjik, në gjuhën e sheriatit, dijetarët islamë kanë dhënë përkufizime të ndryshme, mirëpo të gjitha ato kanë një domethënie, edhe pse dallojnë në shprehje.

1. Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, e përkufizon në këtë mënyrë: “Shitblerja me kapar është kur një njeri blen diçka ose e merr me qira, p.sh. një kafshë, dhe i thotë shitësit ose qiradhënësit: “Të jap një dinar me qëllim që, nëse mallin ose qiranë e kthej mbrapsht, ajo që të dhashë është e jotja.”1

2. Ibn Maxhe duke folur për këtë lloj shitblerjeje thotë: “El urbun është që njeriu të blejë një kafshë për njëqind dinarë e t’i parapaguajë dy dinarë dhe t’i thotë: “Nëse nuk e blej kafshën, dy dinarë të takojnë ty.”2

Me sa thamë më lart, na bëhet e qartë se:
a) Përkufizimet e shitblerjes me kapar te fukahatë dhe dijetarët e hadithit sillen rreth një kuptimi.
b) Ndër përkufizimet më të njohura është ai i imam Malikut dhe se ai është përkufizimi më i zgjeruar, ndërsa të tjerët e përkufizuan këtë lloj vetëm në procesin e shitblerjes, përderisa imam Maliku ka sqaruar se shitblerja me kapar rrjedh edhe në procesin e qirasë ashtu siç rrjedh në shitblerje.
c) Përkufizimet në vetvete përfshijnë dy forma prej formave të shitblerjes me kapar, të cilat janë:

1) Forma e parë, në të cilën kryhet procesi i shitblerjes ose akti i qirasë dhe bëhet ndarja (prerja) e kaparit në dobi të blerësit nga esenca e çmimit ose në dobi të qiramarrësit nga vlera e qirasë. Për këtë formë nuk ka mospajtime mes dijetarëve, ngase nuk paraqet ndonjë rrezik që pengon vlefshmërinë e shitblerjes ose qirasë.3

2) Forma e dytë, gjatë së cilës nuk kryhet procesi i shitblerjes ose i qirasë, duke pasur parasysh zmbrapsjen e blerësit ose të qiramarrësit në mënyrë që kapari (parapagimi, paradhënia) bëhet pronë e palës së dytë, shitësit respektivisht qiradhënësit. Dijetarët islamë kanë mospajtime rreth kësaj forme. Andaj studimi ynë do të jetë rreth kësaj forme.

ç) Duke u bazuar tek ajo që thamë më sipër, mund të konkludojmë se shitblerja me kapar është që blerësi ose qiramarrësi t’i paguajë një pjesë të pasurisë shitësit, respektivisht qiradhënësit, në mënyrë që nëse blerësi ose qiramarrësi vjen në afatin e caktuar dhe kryhet procesi i shitblerjes ose qirasë, shuma e parapaguar (kapari) do të konsiderohet dhe llogaritet nga çmimi i asaj që është shitur ose dhënë me qira, ndërsa nëse kemi zmbrapsje të blerësit apo qiramarrësit nga blerja ose qiraja, humbet e drejta e atyre të dyve në kapar dhe kapari bëhet pronë e palës së dytë, e ai është shitësi respektivisht qiradhënësi. Allahu e di më së miri!


Qëndrimet e fukahave lidhur me këtë çështje

Dijetarët islamë kanë dy mendime lidhur me këtë çështje. Një grup dijetarësh e ndalon këtë, ndërsa grupi tjetër e lejon.

1) Ata që e ndalojnë dhe argumentet e tyre

Shumica e dijetarëve nisur nga medhhebi hanefi, maliki dhe shafi nuk e lejojnë këtë lloj shitblerjeje4. Gjithashtu është edhe një transmetim nga imam Ahmedi, i cili mban këtë qëndrim. Këtë mendim e kanë zgjedhur edhe këta dijetarë: Ebul Hatabi nga hanbelitë, është transmetuar nga ibn Abasi, Hasan el Basri etj.5
Dijetari i mirënjohur hanefi, Mulla Ali Elkari, në librin “Mirkatul Mefatih Sherh Mishkatul Mesabih”, duke numëruar disa lloje të ndaluara shitblerjeje e thekson edhe shitblerjen me kapar.6


Argumentet e këtij grupi dijetarësh

1) Fjala e Allahut të Lartësuar: “O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar.” (Nisa, 29). Marrja e kaparit konsiderohet si ngrënie e pasurisë së njëri-tjetrit në mënyrë të padrejtë.

2) Është lloj shitblerjeje në të cilën ka mashtrim dhe konsiderohet ndër llojet e njohura të shitblerjes së injorancës, prandaj i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e ka ndaluar ngase konsiderohet si ngrënie e pasurisë në mënyrë të palejuar. E, Allahu ka thënë: “O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete.” (Nisa, 29). Kuptimi i ajetit do të thotë përpos tregtisë në të cilën nuk ka mashtrim, nuk ka rrezik e as lojë me kumar dhe kjo nuk lejohet ngase llogaritet formë prej formave të kumarit. Allahu i Lartësuar e ka ndaluar atë duke thënë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.”(Maide, 90)

3) Amr b. Shuajbi transmeton nga babai, nga gjyshi i tij, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, e ka ndaluar shitblerjen me kapar.”7

4) Kjo lloj shitblerjeje përmban dy kushte jo të vlefshme: ato janë parapagimi që i jepet shitësit gratis (falas) dhe lejimi i kthimit të artikullit. Imam Shevkani duke folur lidhur me këtë thotë: “Arsyeja e ndalimit të këtij lloji të shitblerjes është se përmban dy kushte jo të vlefshme, njëri prej tyre është se parapagimi që i është dhënë shitësit është gratis (falas) nëse e lë artikullin pa e blerë dhe kushti i dytë është lejimi i kthimit të artikullit shitësit, nëse nuk e pëlqen atë.”8


2) Ata që e lejojnë dhe argumentet e tyre

Hanbelitë mendojnë se kjo lloj shitblerjeje është e lejuar dhe se ajo siç është e vlefshme gjatë shitblerjes është e vlefshme gjithashtu edhe në qira. Këtë mendim e përfaqësojnë edhe Umer ibnul Hatabi, Abdullah b. Umer ibnul Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me ta, siç është transmetuar edhe prej Ibn Sirinit, Muxhahidit, Nafi b. Harithit, Zejd b. Eslemit.9

Ky grup dijetarësh argumenton me argumentet vijuese:

1). Abdurrezaku transmeton nga Zejd b. Eslemi, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është pyetur rreth shitblerjes me kapar dhe e ka lejuar atë.”10

2). Sufjan b. Ujejne transmeton nga Amr b. Dinari, nga Abdurrahman b. Feruh nga Nafi b. Harithi (punonjës i Umerit në Mekë), se ai (Nafiu) kishte blerë shtëpinë për Umer ibnul Hatabin, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga Safvan b. Umeje për katër mijë dërhemë dhe ia kushtëzoi Nafiu atij që nëse Umeri pajtohet me këtë, atëherë shtëpia është e tij e nëse s’pajtohet, atëherë Safvanit i takojnë katërqind dërhemë.”11 Imam Ahmedi ka argumentuar më këtë transmetim duke thënë se ky është veprim i Umerit.12

3) Gjithashtu kanë argumentuar me qëndrimet e Ibn Sirinit, Seid b. Musejibit dhe kanë thënë se nuk ka asgjë të keqe në këtë lloj shitblerjeje.


Sqarimi i argumenteve të të dy palëve

Nga ajo që pamë nga argumentet e të dy palëve, na bëhet e qartë se:

1) Argumentimi i atyre që e ndalojnë këtë lloj shitblerjeje me ajetin kuranor: “mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar”(Nisa, 29), është argumentim i përgjithësuar.

2) Me hadithin e Amr b. Shuajbit në ndalimin e shitblerjes me kapar nuk mund të argumentojmë ngase është cilësuar si hadith daif (i dobët) nga dijetarët e hadithit.

3) Çështja e ekzistimit të mashtrimit (garar) në shitblerjen me kapar nuk është e qartë, ngase gjëja e shitur është e njohur, çmimi (vlera) është i njohur, mundësia për dorëzimin e asaj që është shitur ekziston, vetëm nëse themi se ajo qëndron në dyshimin e zmbrapsjes (kthimit) të blerësit nga procesi i shitblerjes. Në realitet në çështjen e zmbrapsjes nuk ka mashtrim, ngase shitësi këtë e planifikon qysh herët dhe e llogarit këtë.

4) Hadithi i Zejd b. Eslemit me të cilin argumentojnë ata që e lejojnë këtë lloj të shitblerjes gjithashtu është cilësuar si hadith i dobët nga dijetarët e hadithit dhe nuk mund të argumentohet me të.

5) Ndodhia e blerjes së shtëpisë së Safvan b.Umeje me të cilin argumentojnë ata që e lejojnë këtë lloj shitblerjeje i përngjan shitblerjes me kapar nga aspekti i ekzistimit të kushtit nga të dyja palët, ngase në të dy rastet shitësit i takon një pjesë e pasurisë nga blerësi që zmbrapset. Prandaj argumentimi me këtë ndodhi për blerjen e shtëpisë së Safvanit është argumentim i shëndoshë dhe i drejtë ngase plotësisht i ngjason shitblerjes për të cilën flasim ne dhe kanë dallim vetëm në formë, ndërsa në thelb dhe në përmbajtje janë të njëjtë.

Para se të japim mendimin më të saktë mes këtyre dy mendimeve, këtu po sjellim edhe vendimin e Akademisë së Fikhut Islam lidhur me këtë problematikë. Në seancën e tetë të mbajtur në Brunej Daru Selam prej datës 1-7 Muharem 1414 hixhri, që përkon me datën 21-27 qershor 1993, pas shqyrtimit të studimeve të sjella në Akademi lidhur me shitblerjen me kapar dhe pas dëgjimit të debateve, Akademia vendosi:

1)- Me Bej El Urban nënkuptohet shitja e një artikulli duke i paguar blerësi shitësit një pjesë të çmimit, në mënyrë që, nëse (blerësi ) e merr artikullin, pjesa e paguar konsiderohet prej çmimit, por nëse nuk e merr (artikullin), pjesa e paguar (kapari) i mbetet shitësit. Bej urbun hyn në transaksionet e shitblerjes dhe të qirasë, pasi kjo (qiraja) është shitje e dobisë (shërbimit) ose e përfitimit, mirëpo përjashtohet nga transaksionet e shitblerjes në të cilat për ligjshmërinë e tyre është kusht dorëzimi i njërit prej të këmbyerve (artikullit ose çmimit) në mbledhjen e kontratës, si es selem, ose i të dy të këmbyerve, si këmbimi i artikujve ribevi dhe es sarf (këmbimet valutore). Nuk mund të hyjë në transaksionet e shitjes me kosto plus (bej’ ul murabehah) në periudhën kur ajo është vetëm premtim reciprok (sepse shitësi ende nuk e posedon), por hyn në periudhën e shitjes reale, që kryhet pas premtimit reciprok.

Mendimi më i saktë

Shevkani13 përzgjedh mendimin e shumicës së dijetarëve, të cilët e ndalojnë shitblerjen me kapar dhe këtë e bën për dy qëllime:

1- Për shkak të ndalimit që ka ardhur në hadithin e të Dërguarit të Allahut të cilin e transmeton Amr bin Shuajbi, i cili e ndalon këtë lloj të shitblerjes. Edhe pse hadithi është cilësuar i dobët, megjithatë ka ardhur nga disa transmetime, qoftë munkati ose mevsul, dhe këto transmetime përforcojnë njëra-tjetrën.

2- Për shkak se hadithi i Amr bin Shuajbit tregon ndalimin, ndërsa argumentet e atyre që e lejojnë tregojnë për lejim, rregulla thotë se ndalimit i jepet përparësi ndaj lejimit.

Mirëpo siç shihet nga argumentet, kjo lloj shitblerjeje është i lejuar qoftë gjatë procesit të shitblerjes gjithashtu edhe në qira. Edhe pse më e arsyeshme është që marrësi i kaparit t’ia kthejë palës tjetër nëse ajo refuzon, pendohet dhe kthehet nga akti, ngase kjo është një vepër e pëlqyer në Islam, kur e kërkon njëra palë, duke u bazuar në thëniet e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili thotë: “Allahu ia faltë gjynahet atij që pranon nga muslimani kthimin mbrapsht të mallit të shitur”14 ose në transmetim tjetër: “Allahu e faltë Ditën e Gjykimit atë që ia kthen shitjen një të penduari.”
Dhe se kthimi i kaparit te pala që pendohet nga akti është dalje nga mospajtimet dhe është më e pastër dhe më shëndoshë për fenë e muslimanit.

Por sërish themi se kjo gjë është e lejuar dhe këtë e themi për disa arsye:

1- Për arsye se argumentet e atyre që e ndalojnë nuk janë të qëndrueshme dhe s’janë të mjaftueshme për të vërtetuar ndalimin dhe se ndalimi i shitblerjes me kapar nuk është vërtetuar.

2- Me ndodhitë me të cilat argumentojnë ata që e lejojnë këtë lloj shitblerjeje mund të argumentojmë për shkak të ekzistimit të ngjashmërisë së fortë mes tyre dhe shitblerjes në fjalë ose qirasë.

Duke shtuar edhe këto fakte:

1- Fjala e Allahut të Lartësuar: “e Allahu ka lejuar shitblerjen, ndërsa ka ndaluar kamatën.” (Bekare, 275). Ky ajet kuranor është i përgjithësuar dhe përfshin çdo lloj shitblerjeje përveç atyre llojeve që janë të përjashtuara nga ky ajet me ndonjë argument të qartë nga Kurani ose Suneti, ndërsa ne nuk kemi ndonjë argument të qartë që ndalon shitblerjen me kapar, kështu që ky lloj mbetet në esencë si i lejuar (mubah).

2- Hadithi i Zejd bin Eslemit është hadith Mursel hasen15 deri tek Zejd bin Eslemi.

3- Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Muslimanët u përmbahen kushteve.”16 Ky hadith konsiderohet esencë në transaksionet mes njerëzve me kusht që të mos lejojë kushti ndonjë haram (të ndaluar) ose të bëjë haram ndonjë gjë të lejuar. Ndërsa shitblerja me kapar konsiderohet prej kushteve të cilët muslimanët janë pajtuar si shpërblim për prishjen e aktit.

4- Në shitblerje me kapar ka dobi. Prej tyre mund të përmendim: pengon monopolizimin e artikullit; sikur blerësi të shmanget nga blerja e artikullit dhe bëhet prishja e tregut, atëherë do të kishim humbje të mëdha për të zotin e mallit, ndërsa blerësi s’ka asgjë në këtë.

5- Kjo lloj shitblerjeje është përhapur në mesin e njerëzve dhe është bërë zakon (traditë). Është e njohur te fukahatë se e drejta zakonore merret në konsideratë dhe se me marrjen në konsideratë të saj largohen vështirësitë.

6- Shumica e tregtarëve, qofshin ata tregtarë të frutave ose të perimeve, i rezervojnë ato me një kapar e më pastaj shohin tregun: nëse artikulli qarkullon dhe shitet në treg, e blejnë e nëse nuk qarkullon, e lënë atë duke kaluar disa ditë. S’do mend se kjo konsiderohet humbje dhe harxhim i kohës për shitësin dhe humbje e shumë rasteve që i janë paraqitur atij për shkak të rezervimit. Në këtë mënyrë shitblerja me kapar pengon blerësin nga dëmtimi i të tjerëve. Në anën tjetër, rregullat e sheriatit nuk ndalojnë marrjen e masave në ruajtjen e të drejtës së njeriut në këtë çështje. Kushtëzimi i shitësit për veten e vet- veçanërisht sot kur ndërgjegjja e njeriut është prishur dhe janë shtuar lloje të ndryshme mashtrimesh- është një gjë që sheriati islam nuk e refuzon.

7- Në shumicën e rasteve çmimi i mallit ulet disa ditë pas shitblerjes. Me këtë rast tregtari obligohet të bëjë pazar nga fillimi dhe ta prishë kontratën e parë ose ta lërë ashtu dhe të humbë, ndërsa shitblerja me kapar i ndalon dhe i pengon tregtarët prej këtyre mashtrimeve.

8- Dr. Maxhid Ebu Rehje në veprën e tij “Dispozita e shitblerjes me kapar në islam”, fq. 23-24, thotë se kjo lloj shitblerjeje dhe ajo e qirasë është e lejuar dhe se mendimi i hanbelive është më i qëndrueshëm, edhe pse e shoh se më parësore për marrësin e kaparit është ta kthejë nëse zmbrapset pala tjetër, ngase në këtë ka shpërblim dhe Islami na nxit për këtë, ashtu siç thotë i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Allahu ia faltë gjynahet atij që pranon nga muslimani kthimin mbrapsht të mallit të shitur.”17
Allahu e di më së miri!

Almedin Ejupi
20.6.2008

1 Munteka Sherh Muveta 4/ 158.
Sunen ibn Maxhe 2/ 739.
3 Tefsir Kurtubi 5/140. Munteka 4/158, Avnul Ma’bud 9/400.
Revdatul Talibin 3/397, Mugni 4/ 257, Nejlul Evtar 5/183.
Tefsir Kurtubi 2/150.
Mirkatul Mefatih Sherh Mishkatul Mesabih, Mula Ali Elkari, vëll VI, fq 86. Darul Fikri.
Shënon Maliku në Muveta, gjithashtu e shënojnë Ibn Maxhe në sunenin e tij 2/ 736, Bejhekiu në sunenin e tij 5/343. Mirëpo dijetarët e hadithit thonë se hadithi është i dobët.
Nejlul Evtar 5/137, Subul Selam 3/17.
Mugni 4/257, Tefsir Kurtubi 5/150, Avnul Ma’bud 9/400.
10 Hadithi është Mursel. Shih Nejlul Evtar 5/137, Tefsir Kurtubi 5/150.
11 Mugni 4/257.
12 I’ laul Muvekiin 3/389.
13 Nejlul Evtar 5/183.
14 Shënon Muslimi.
15 Hadith mursel është hadithi të cilin e ngre tek i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem një sahabi ose tabiin, i cili nuk e ka dëgjuar atë hadith nga i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem.
16 Shënon Hakimi në Mustedrek (2309), Bejhekiu (6/79), Darekutni 100, nga Enes bin Maliku.
17 Ebu Davudi 3460, Ibn Maxhe 2199, Bejhekiu dhe të tjerë.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit