DISA VEPRA QË I SHLYEJNË MËKATET
1- Besimi në Allahun, njësimi i Tij dhe vepra e mirë.
Allahu thotë: “Atyre, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, me siguri që do t’ua shlyejmë të këqijat dhe do t’u japim shpërblim më të mirë se puna që kanë bërë.” Ankebut 7.
Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Hapen dyert e Xhenetit ditën e hënë dhe ditën e enjte, dhe në këto ditë i falet çdo robi që s’i bën Allahut shirk”.
2- Largimi prej mëkateve të mëdha.
Allahu thotë: “Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha, që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gabimet tuaja të vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar” Nisa 31.
Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pesë kohërat e namazit, xhumaja deri në xhumanë tjetër, ramazani deri në ramazanin tjetër, i fshijnë mëkatet që janë ndërmjet tyre, për aq sa iu largohet mëkateve të mëdha”.
3- Pendimi i sinqertë.
Allahu thotë: “Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” Furkan 68-70.
Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai që pendohet prej mëkatit është i njëjtë me atë që nuk ka mëkat”.
4- Istigfari ( kërkimi i faljes ).
Allahu thotë: “Kërko ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës e Mëshirëplotë” Nisa 106.
Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush thotë: Estagfirullah el ledhi la ilahe il-la huve el hajju el kajjumu ue etubu ilejhi (Kërkoj faljen e Allahut, të Cilit i takon adhurimi me të vërtet vetëm se Atij, të Gjallit përgjithmonë dhe Mbikëqyrësit të Përjetshmit, dhe tek Ai pendohem), i falen atij mëkatet edhe në rast se ka ikur nga beteja”.
Në një hadith të shenjtë, Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem, transmeton prej Allahut se ka thënë: “O robërit e Mi, ju gaboni gjatë ditës dhe natës, ndërsa Unë jam falës i gjitha mëkateve. Kërkoni falje prej meje dhe unë do ua fali”.
5- Abdesi.
Humrani, shërbëtori i Othmanit, radijallahu anhu, thotë: I solla Othmanit ujë për abdes dhe pasi që mori abdes më tha: Njerëzit i thonë disa hadithe për Pejgamberin, salAllahu alejhi ue selem, që nuk e di se prej ku e kanë burimin, mirëpo unë e kam parë Pejgamberin, salAllahu alejhi ue selem, që mori abdes ashtu siç mora unë, e pastaj tha: “Ai i cili merr abdes në këtë formë, i falen atij mëkatet e kaluara”.
6- Namazi dhe hapat e bërë për në xhami.
I Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “A dëshironi t’u tregoj për veprat që i shlyejnë mëkatet dhe i lartësojnë gradat e juaja? Të pranishmit thanë: Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut. Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem, tha: “Marrja dhe plotësimi i abdesit edhe atëherë kur është vështirë, bërja e hapave të shumta për në xhami, pritja e namazit në xhami pas namazit që ke falur në xhami. Kjo është fortifikatë.”.
7- Lëmosha ( Sadakaja ).
Allahu, thotë: “T’i jepni lëmoshat haptazi, është gjë e mirë, por t’ua jepni ato të varfërve fshehurazi, është edhe më mirë dhe ju shlyen disa nga gjynahet tuaja. Allahu e njeh mirë çdo vepër që ju bëni” Bekare 271.
I Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, i ka thënë: “A dëshiron t’i tregoj dyert e mirësisë? – Agjërimi është mbrojtje, ndërsa lëmosha e shuan mëkatin sikurse uji e shuan zjarrin.”
8- Haxhi dhe Umreja.
I Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Bëre vazhdimisht Haxhin dhe Umren, se ato ua shlyejnë mëkatet siç e largon zjarri ndryshkun nga hekuri.”
9- Sprovat dhe belatë.
I Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk e godet muslimanin asnjë lodhje, asnjë sëmundje, asnjë shqetësim, asnjë trishtim, asnjë vuajtje, dhe asnjë mjerim bile asnjë therë që therët prej saj, përveç se t’i fal Allahu me të prej mëkateve të tij”.
10- Agjërimi i Ramazanit dhe namazi vullnetar në këtë muaj.
I Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim nga Allahu, i falen gjynahet që ka bërë”.
I Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai që fal namazin e natës gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë për shpërblim nga Allahu, i falen gjynahet që ka bërë”.
Nga arabishtja: Irfan JAHIU