15.2 C
Pristina
Saturday, October 5, 2024

Disa rregulla të agjërimit

Më të lexuarat

Lavdërimi i takon Allahut të Lartësuar, i Cili e di të dukshmen dhe të fshehtën. Ai ka krijuar gjithçka dhe e ka përpjesëtuar drejt, ka caktuar fatin e çdo gjëje dhe ia ka rrëfyer rrugën. Paqja dhe bekimet qofshin për të Dërguarin e Allahut, për familjen, shokët dhe për të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre.

Më lart jemi ndalur me një synim madhor të agjërimit, objektivin e lartë të tij që është devotshmëria ndaj Allahut të Madhërishëm. Sot, do të ndalemi disa ndalesa, ku do të përmendim madhështinë e këtij agjërimi dhe edukatën e tij, e veçanërisht në këtë muaj të bekuar. Gjërat madhështohen me madhështinë e asaj që i rrethojnë dhe përfshijnë. S’ka dyshim se kjo shtyllë madhore nuk është një çështje e thjeshtë tek muslimani i vërtetë, i cili e zbaton urdhrin e Zotit të tij duke qenë agjërueshëm. Agjërimi nuk është thjesht, një moto që e ngre ose një gjendje e caktuar në të cilën kundërshtohet marrja e ushqimeve materiale e më pas iu kthehet atyre në orët e natës.

Agjërimi, me tërë këtë, është një adhurim fisnik, shpërblimi i të cilit është jashtëzakonisht i madh: “Agjërimi është i Imi dhe Unë shpërblej për të!”[1]

Dhe ky shpërblim vjen nëse realizohen në të, edukata dhe kushtet e tij, të cilat do t’i përmbledhim në ndalesat vijuese:

Ndalesa e parë:

Në hyrje të kushteve dhe edukatës së agjërimit, bile ky është koka e tij, pa realizimin e të cilit nuk pranohet agjërimi: Nijeti i sinqertë gjatë agjërimit. Çështja e agjërimit, është si çështja e çdo adhurimi tjetër ndaj Allahut të Madhërishëm. Të ngarkuarit, nuk i pranohet asnjë adhurim vetëm se me këtë nijet, duke u bazuar mbi fjalën e Allahut të Lartësuar, i Cili thotë:

“E megjithatë, ata qenë të urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë.”(Bejjine, 5)

Dijetarët kanë cekur se nijeti i agjërimit obligues (farz) patjetër duhet të bëhet natën, për faktin se është transmetuar nga Ibën Umeri, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të, nga Hafsa se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush nuk e bën nijetin e agjërimit përpara lindjes së agimit nuk ka agjërim për të”[2], nuk është i domosdoshëm shqiptimi me fjalë i këtij nijeti, mirëpo këtë e zëvendëson ngritja e tij për të ngrënë syfyr, sa për ilustrim, ose çdo veprim e fjalë që dëshmon për këtë.

Agjëruesi duhet të ndjejë nijetin e agjërimit të tij dhe se agjërimi konsiderohet një adhurim, përmes të cilit i afrohet Allahut të Lartësuar. Ndaj, agjëruesi nuk e lë ushqimin e tij, pijen, kënaqësinë seksuale vetëm se duke zbatuar urdhrin e Allahut të Lartësuar. E tërë kjo, na sinjalizon me gabime, në të cilat bien shumë prej agjëruesve, me qëllim apo pa qëllim. Njëri, nuk kujdeset për ardhjen e muajit dhe fillimin e hënës së tij, tjetri, udhëtar, hamendet ndërmjet prishjes së agjërimit dhe vazhdimit të tij, i treti, nuk di nga agjërimi i tij vetëm se lënien e ushqimit, pijes dhe marrëdhënieve intime, pa prezencën e zemrës lidhur me shpërblimin e madh. Të tillët dhe të ngjashëm me ta, e ekspozojnë agjërimin e tyre, mangësive dhe defekteve.

Prandaj, është e udhës për ne – vëlla musliman dhe motër muslimane – ta ripërtërijmë nijetin e agjërimit për çdo natë, me qëllim që të shtohet dhe rritet shpërblimi. Gjëja që e plotëson pranimin e veprës bashkë me nijetin është: Që agjërimi të jetë sipas metodologjisë së Pejgamberit, paqja e Zotit qoftë mbi të, nuk e pakëson me asnjë prej gjërave materiale dhe morale që e prishin atë.

Ndalesa e dytë:

Fakti që vërehet tek shumica e njerëzve me rastin e agjërimit: Mospërjetimi i synimit të agjërimit, dispozitave si dhe urtësive të tij, me ç’rast bien në shumicën e gjërave që prishin dhe pakësojnë shpërblimin, nga agjërimi i tij nuk mbetet vetëm se etja dhe uria. Medito vëlla agjërues e ti i ke lënë kënaqësitë e llojllojshme: Përse e bëre këtë dhe nuk pate mundësi kundërshtimin e saj? Sigurisht, që përgjigjja jote në këso pyetje të bën që të ndjekësh rrugën e arritjes së realizimit të synimeve të agjërimit, ndër më të rëndësishmet e të cilave janë devotshmëria ndaj Allahut të Lartësuar.

Meditimi yt – vëlla musliman- mbi urtësitë e mëdha të tjera të agjërimit, të bën që të realizosh agjërimin tënd, të ngrihesh në shkallën e shlyerjes së mëkateve, shumëfishimin e shpërblimeve si dhe hyrjen në xhenet nga dera Rejan.  Sigurisht, që njeriu duke qenë në vështirësitë e jetës, ndërmjet shqetësimeve të saj, kënaqësive dhe mërzive të saj, zemra e tij mund të harrojë ndjenjën e këtyre urtësive. Ndaj, medito vëllai im, mbi atë me të cilën të ka begatuar Allahu, je i lirë në vendin tënd, i ngopur dhe i ngishëm, fle në shtratin tënd të butë, mbulohesh me mbulesë të butë, ha nga ushqimet më të shijshme, agjërimi i vërtetë a nuk të bën të ndjehesh se ekzistojnë grupe muslimanësh që vuajnë nga uria, etja, frika, shtrojë kanë tokën dhe mbulohen nga qielli?

Agjëruesi i vërtetë, është ai që ndjen në zemrën e tij këto ndjenja dhe koncepte dhe e nxisin që të kontribuojë me mundësitë dhe fuqitë e tij dhe me atë që e ka begatuar Allahu, me qëllim të përdorimit të të gjitha gjymtyrëve të tij me agjërim, hidhet në dyert  e llojllojshme të së mirës, duke kontribuar në to me aq mundësi sa ia ka dhënë Allahu. Ndërsa tjetri – na udhëzoftë Allahu ne dhe atë –, i cili e ka humbur, ose i është dobësuar, ndjenja e këtij synimi dhe urtësive të këtij adhurimi madhor, ai nuk ka regjistruar në regjistrat e tij vetëm se lënien e ushqimit dhe pijes. Ai është kënaqur me veten që të jetojë pa ambicie që e ngrenë drejt shkallëve të atyre që bëjnë gara në mirësi.

Ndalesa e tretë:

Prej edukatës më të rëndësishme të agjërimit është: Shfrytëzimi i asaj që arrin agjëruesi, qetësinë shpirtërore, boshllëkun nga shqetësimet e zemrës si dhe kthjelltësinë e të menduarit – këto, në shumicën e rasteve i arrin agjëruesi gjatë muajit të Ramazanit – prandaj, do të duhet për muslimanin agjërues të shfrytëzojë këtë kthjelltësi që të regjistrojë në regjistrin e veprave të tija atë që kënaq Zotin e tij, t’i shtojë të mirat dhe devotshmërinë, duke filluar me llogaritjen e vetvetes, përmirësimin e sistemit të jetës së tij të mëparshme, me qëllim që të rifillojë një jetë të re të mbushur me dëgjueshmëri dhe nënshtrim ndaj Allahut.

Ajo që duhet të sinjalizohet këtu është: Leximin e Librit të Allahut të Lartësuar, të cilit, i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, i jepte hise të madhe në muajin e Ramazanit, gjithashtu përkushtimin ndaj Allahut me përmendjen dhe lutjen e Tij, me këto e mbush zemrën e tij, me to flet gjuha e tij, ndaj gjuha e tij vazhdon të jetë e lagur nga përmendja e Allahut. Ai e kupton se nuk mund të jetojë pa Krijuesin e Tij, andaj e mban lidhjen me Të me këtë përmendje, shtoja kësaj edhe namazet vullnetare, në krye të të cilave namazi i teravive, të cilin kush e falë me iman dhe shpresë në shpërblimin e Allahut, atij i falen mëkatet e mëparshme, gjithashtu edhe veprat e tjera të mira, lëmoshat, mirësia, virtyti e të ngjashme me këto.

Ndalesa e katërt:

Ndër edukatat më të rëndësishme të agjërimit, pa të cilën nuk realizohet synimi i tij është ajo që na ka udhëzuar drejt saj i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të. Ebu Hurejreja, kënaqësia e Allahut qoftë me të, transmeton se Pejgamberi, ka thënë:

“Agjërimi është mburojë. Nëse dikush nga ju është agjërueshëm, të mos flasë pahijshëm dhe të mos e ngrejë zërin. Nëse atë e ofendon dikush apo e lufton, ai le të thotë: “Unë jam agjërueshëm.”[3]

Nëse mediton –vëlla i nderuar musliman- mbi këtë udhëzim të lartë, do të gjesh një gjë të madhe, duhet për ty –e ti agjëron gjatë këtij muaji të bekuar- që ta demonstrosh atë si metodologji etike në jetën tënde. Kjo, pamëdyshje, që është vlerë e madhe, shpërblim i madh, synim drejt të cilit duhet të përpiqet çdo kush që beson Allahun si Zot, Islamin si fe dhe Muhamedin, paqja e Allahut qoftë mbi të, si të Dërguar.

Këtë synim nuk mund t’a arrijë askush përveç atë që e ka dëlirë agjërimi i tij, ia ka rregulluar moralin e tij dhe edukuar gjymtyrët e tij. Agjërimi i tij e pengon atë nga gjërat e turpshme dhe fjalët vulgare, ashtu siç e pengon nga motivet e marrëdhënieve intime gjatë ditës së Ramazanit, me qëllim që të mos bjerë në të ndaluarën. Kjo nënkupton se ai përdor vetëm fjalë të mira, vepra të hijshme, duke u larguar nga çdo gjë e ndaluar dhe e urryer që e cenon agjërimin e tij. Ai duhet të arrijë në shkallën më të lartë. Kjo është vetëpërmbajtje e vetes, kontroll i emocioneve në rast se e sulmon dikush me ndonjë fjalë të pahijshme, me sharje ose mallkim dhe ai nuk mjaftohet vetëm me moskundërpërgjigje, por e paralajmëron tjetrin se shkaku i pengimit të ruajtjes dhe kujdesit të tij nga morali i keq është agjërimi.

Sa bukur është kur agjëruesi stoliset me këto edukata, të cilat manifestohen në gjymtyrët. Imagjino –vëlla musliman– shoqërinë muslimane duke kryer këtë adhurim fisnik, individët e saj të pajisen me këtë mirësjellje të lartë. S’do mend se individi, i cili aplikon këtë edukatë, shoqëria në të cilën përhapen këto edukata, shndërrohet në një shkollë thirrëse, e cila nxjerr e diplomon të sinqertit me veprat, moralet dhe sjelljet e tyre para fjalëve.

T’a kuptojmë këtë, agjërues të nderuar, në mënyrë që të realizojmë të mirën dhe të dobishmen në këtë botë dhe botën tjetër. Le të na afrojnë këto edukata me Krijuesin e Lartësuar, le të na shtojnë shpirtrave tanë virtytin dhe devotshmërinë. Vërtet, Allahu pranon prej të devotshmëve. Allahu na udhëzoftë, na përmirësoftë qëllimin dhe na furnizoftë vepra të dobishme. Ai është Dëgjuesi dhe Pranuesi i lutjeve, Atij i kërkohet ndihma!

Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi

/krenaria.com/


[1] Shënon Buhariu, me Fet’hul Bari, 4/118 nr. 1904. Muslimi 2/806, nr. 1151.

[2] Shënon Ebu Davudi, 1/745 nr. 2425. Ibën Huzejme 1933, dhe Ahmedi në Musned 6/287.

[3] Shih: Buhariu me Fet’hul Bari, nr. 1894. Muslimi nr. 163.

 

Kategoritë: Tema

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit