8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Disa këshilla për ujitjen e luleve

Më të lexuarat

Shumë shpesh arsyeja e vyshkjes së luleve është ujitja e tepruar, me qëllimin më të mirë, ose ngase nuk ujitet mjaft që është rast më i rrallë.

Nevojat e luleve për ujë ndryshojnë varësisht nga lulet, kushtet në të cilat rriten ato, stina, madhësia e vazos dhe materiali nga i cili është bërë vazoja, (qeramika, plastika). Duhet ditur të gjitha këto për tu kujdesur për lulet në mënyrën e duhur.

Problemet me ujitjen shkaktohen për shkak të kualitetit jo të duhur të ujit, ngase sasia e dheut në saksi është e vogël kurse uji nga ujësjellësi është i mbushur me klor dhe gëlqere. Për këtë shkak ujitja e shpeshtë sjell deri te koncentrimi i kripërave që shkaktojnë zverdhjen e gjetheve / klorozën. Për këtë arsye për ujitje është më së miri të përdoret uji i shiut, uji i destiluar apo i vluar.

Shpeshherë niveli i sipërm i dheut në vazo thahet dhe bëhet kore e cila mbulon vazon, por kjo nuk do te thotë se edhe dheu brenda është i tharë. Prashitja e dheut përsipër ndihmon që dheu të ketë më shumë oksigjen si dhe lagështia e grumbulluar mund të thahet me lehtë. Gjatë ujitjes duhet të kujdesemi që uji të mos jetë shumë i ftohët sepse ai shkakton stres në rrënjën e lules.

Uji ideal për ujitje është ai që e ka temperaturën e dhomës. Nga uji i ftohët p.sh mund të bien gjethet e geraniumit. Shumë bimëve u pëlqen dushi me ujë të vakët, por asesi mos u bëni dush luleve që kanë gjethet me qime – vjollcat, ose gjethet e tejdukshme (kaladiumi), e as luleve në gjethet e të cilave bëhen lehtë shenja (alazeja, gardenija), e as kaktuseve. Nga ana tjetër, luleve me gjethe të mëdha (fikusi, monsteri, shefleri, krotoni), u pëlqen dushi. Ka shumë faktorë që ndikojnë në mënyrën e drejtë të ujitjes së luleve, prandaj edhe nuk ka formulë standarde.

Në princip lulet ujiten më shumë kur janë në vlug të rritjes, (lulëzimi, qitja e gjetheve), kur temperatura e ambientit është e lartë, kur lulet janë në vazo të ngushta dhe kur dheu është poroz. Gjëja më e rëndësishme është se ujitjen duhet t’ia përshtatim kërkesave të lules. Ekzistojnë lulet e etura, që kërkojnë ujë vazhdimisht, sepse pa ujë vyshken dhe thahen.

Te ato duhet pasur shumë kujdes që toka të mos thahet ndërmjet dy ujitjeve. Të tilla janë: adianumi, kalatea, kalceolarija, ciklama, ciperusi, dioneja, fikusi pumila, fitonija, nefrolepsisi, nertera, selaginela, spatifilumi, streptokarpusi… Lulet që mund të tolerojnë edhe të „harrohen“ të ujiten janë: kaktuset, sukulenta, juka, nolina, zamiokulkasi, dracena, aspidistre, palma cikas, hoja, jatrofa, pahipodijumi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit