15.2 C
Pristina
Saturday, October 5, 2024

Disa gjëra që e prishin agjërimin

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut, i Cili u ka dhuruar robërve të Vet besimtarë agjërimin e muajit të Ramazanit, u ka dhënë mirësinë e faljes dhe mëshirës. Paqja dhe bekimet e Tij qofshin për të Dërguarin Muhamed, më i miri i cili ka falur dhe agjëruar. Bekimet qofshin edhe për familjen e tij, shokët e tij si dhe për të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Kijametit.

Më lart jemi ndalur me atë që duhet të ketë kujdes çdo musliman agjërues, duke filluar me pastrimin e nijetit për hir të Allahut të Lartësuar në agjërimin e tij dhe në të gjitha adhurimet e tij, duke ndier urtësinë e madhe nga agjërimi i tij, duke përfshirë edhe agjërimin e tij me çdo gjë që e stolis atë nga llojet e ndryshme të nënshtrimeve dhe veprave që afrojnë drejt Allahut duke përfituar nga ky rit madhor, në mënyrë që ta nxisë drejt çdo gjëje që e afron tek Allahu i Lartësuar.

Prej gjërave që ndihmojnë në këtë drejtim: Ta largojë agjërimin e tij nga çdo gjë që e shëmton atë, ose e cenon pastërtinë e tij, ose ia pakëson shpërblimin e tij, e lëre më prej atyre gjërave që e shkatërrojnë, ose ia humbin mundin dhe e shndërrojnë në pluhur e hi. Do të ndalemi në disa ndalesa, të cilat na kujtojnë se prej çka duhet të largohet muslimani duke e praktikuar këtë adhurim kaq fisnik:

Ndalesa e parë:

Allahu i Lartësuar thotë:

“Prandaj, ju lejohet bashkimi me bashkëshortet tuaja dhe tani kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja.” (Bekare, 187)

Në këtë ajet fisnik, Allahu i Lartësuar ka përmendur bazat e gjërave materiale që prishin agjërimin, të cilat kurdo që i kryen i ngarkuari qëllimisht vetëm se ia prishin agjërimin e tij si dhe e ekspozon veten e tij një rreziku të madh.

Në krye të këtyre gjërave që prishin agjërimin janë: Ngrënia dhe pirja, dhe kjo prej shfaqjes së agimit të dytë e deri në perëndimin e diellit, të cilin e ka përmendur Allahu me fjalët e Tij:

“Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja.” (Bekare, 187)

Ndaj, kush ha ose pi pas ezanit të agimit e deri në perëndimin e diellit pa arsye, ai ka kryer një krim të madh dhe ka bërë një mëkat të qartë. Transmetohet nga Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Kush nuk e agjëron (ose e prish agjërimin) një ditë të Ramazanit pa arsye justifikuese e pa sëmundje, nuk mund ta arrijë atë ditë edhe nëse agjëron gjatë gjithë jetës.”[1]

Me këtë argumentohet për mëkatin e rëndë që ka prishja e agjërimit, por nuk mohon detyrimin e kompensimit dhe shpagimit, që janë të vërtetuara në hadithe të tjera, më të sakta se ky hadith.

Ngrënien dhe pirjen e pason: Çdo gjë që arrin në brendësinë e fytit përmes gojës, hundës ose rrugëve tjera përmes të cilave ushqehet trupi.

Prej gjërave materiale që e prishin agjërimin: Marrëdhëniet intime gjatë ditës së Ramazanit. Ky akt konsiderohet prej gjërave më të mëdha dhe prej mëkateve më të mëdha që prishin agjërimin. Krahas anulimit dhe prishjes së agjërimit, është e detyrueshme kompensimi dhe shpagimi i madh, e që është lirimi i një robi besimtar, e nëse nuk gjen atëherë agjërimi i dy muajve pandërprerë, e nëse nuk mundet atëherë ushqimi i gjashtëdhjetë të varfërve bashkë me pendimin dhe kërkimin e faljes dhe të kthyerit drejt Allahut të Lartësuar.

Nga këtu mësojmë se këto gjëra të ndaluara gjatë ditës së Ramazanit, agjëruesit i japin sinjal të qartë se ai duhet ta ruajë agjërimin e tij, të largohet nga çdo dyshim që çon drejt prishjes së agjërimit të tij, ngase kush bie në gjërat e dyshimta, ka rënë në të ndaluarën, ngjashëm sikurse bariu i cili e ruan kopenë rreth vendit (kullotës) të ndaluar, në çast kopeja mund t’i ikë dhe të kullosë në të.

Fakti që duhet të paralajmërohet këtu është se: Ekzistojnë mesele dhe problematika sa i përket gjërave që e prishin agjërimin; si dalja e gjakut, paraloja e marrëdhënieve intime, marrja e disa ilaçeve si aparati i frymëmarrjes ose ai i hundës, llojet e gjilpërave ushqyese dhe shëruese, nxjerrja e dhëmbëve dhe çështje të tjera që paraqesin problem për shumicën e agjëruesve dhe agjërueseve.

Ndaj, në këtë rast duhet të tregohen të kujdesshëm dhe syçelë dhe ta ruajnë agjërimin duke i pyetur të dijshmit rreth këtyre çështjeve dhe problematikave në mënyrë që muslimani të mos bie në të ndaluarën duke mos ditur. Falë Allahut, të dijshmit dhe ulematë janë të shumtë, janë lehtësuar format e komunikimit me ta, prandaj nuk mbetet arsyeja e neglizhencës në ngritjen e injorancës nga vetja e tyre.

Ndalesa e dytë:

Nëse agjërimi ka këtë pozitë të lartë dhe madhore, i poshtëruar qoftë robi i cili nuk përfiton nga agjërimi i tij, nuk e afron te Zoti i tij i Lartësuar, nuk i kultivon konceptet e burrërisë dhe përafrimin e përsosurisë njerëzore, nga aspekti i diturisë dhe veprës, i moralit dhe sjelljes.

Vërtet, përfituesi nga ky agjërim – veçanërisht në këtë muaj të bekuar – është ai, të cilit i punojnë të gjitha gjymtyrët e tij me agjërim. Ashtu siç agjëron gjatë ditës nga ushqimi, pija dhe kënaqësitë seksuale, gjymtyrët e tij agjërojnë nga çdo gjë që e dëmton agjërimin. Baza e këtyre gjymtyrëve dhe mbreti i tyre është zemra. Ndaj, ai e pastron zemrën e tij nga çdo gjë që e turbullon pastërtinë dhe kthjelltësinë e saj nga urrejtja, zemërimi, shpirtligësia, zilia, paragjykimi dhe neveria.

Kësisoj edhe gjuha, folëse e gjymtyrëve, mjet i transmetimit, shprehëse e fshehtësive të ndërgjegjes dhe atë që bart zemra, ky mekanizëm i rrezikshëm, mjet efektiv, i cili nëse vihet në shërbim të fushave të së mirës dhe thirrjes, jep rezultate dhe fryte të pjekura, ndërsa nëse vihet në shërbim të së keqes – Allahu na ruajttë – pronarin e saj e dërgon në rrezik dhe shkatërrim. Për këtë shkak, në porositë e të Dërguarit të Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, është shpeshtuar paralajmërimi rreth rrezikut të gjuhës. Sa fjalë e kanë ngritur të zotin e saj në pozita të larta, e kanë bërë prej urdhëruesve të së mirës, thirrësve drejt së dobishmes dhe sa fjalë e kanë hedhur të zotin e saj në gjendjet më të ulëta.

Të meditojmë mbi thënien e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, kur thotë:

“Çdo punë e birit të Ademit shumëfishohet; puna e mirë i shumëfishohet prej dhjetë deri në shtatëqind të mira, derisa të do Allahu. Allahu thotë: Përveç agjërimit, ai është i Imi, dhe vetëm Unë shpërblej për të. E lë kënaqësinë dhe ushqimin për Mua, prandaj për agjëruesin ka dy kënaqësi: kënaqësia e parë është kur ai bën iftar, kurse kënaqësia e dytë është kur e takon Zotin e tij, dhe era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa aroma e miskut. Agjërimi është mburojë. Nëse dikush nga ju është agjërueshëm, të mos flasë pahijshëm dhe të mos e ngrejë zërin. Nëse atë e ofendon dikush apo e lufton, ai le të thotë: “Unë jam agjërueshëm.”[2]

Sikur t’i referoheshe hadithit dhe ta përsëritësh shprehjen: “E lë kënaqësinë dhe ushqimin e tij për Mua.” Kënaqësitë dhe epshet lihen për hir të Allahut të Lartësuar. A nuk i bëjmë veprimet tona obligative dhe ato të preferuara për hir të Allahut të Lartësuar dhe nuk i lëmë të gjitha të ndaluarat dhe ato veprime të urryera për hir të Allahut? Gjithsesi ky është një synim madhor i zemrave tona të pastra. Në zemra të tilla djalli orvatet të futet dhe ta prishë sinqeritetin dhe së bashku me të (sinqeritetin) të bashkojë synimet e prishura, si syefaqësinë e të ngjashme me të, apo dëshirën e tij për interesa materiale të kësaj bote e të ngjashme më këto që e prishin sinqeritetin, kështu që njeriu del nga shpërblimi në mëkat, Allahu na ruajttë!

Pastaj le të meditojmë mbi fjalën e Pejgamberit, paqja e Zotit qoftë mbi të, nëse dikush nga ju është agjërueshëm, të mos flasë pahijshëm dhe të mos e ngrejë zërin. Nëse atë e ofendon dikush apo e lufton, ai le të thotë: “Unë jam agjërueshëm” edukim për zemrat dhe gjymtyrët, ia kontrollon mendjen dhe ndjenjat saqë drejtues i tyre është feja e manifestuar në këtë agjërim. Agjërimi është ai që e pengon agjëruesin nga të punuarit e veprave të këqija, fjalëve të pahijshme. Këtë e vërteton edhe transmetimi i Pejgamberit, paqja e Allahut qoftë mbi të, i cili thotë:

“Kush nuk i lë fjalët e kota dhe të punuarit sipas tyre, Allahu nuk ka nevojë që ai ta lë ushqimin dhe pijen e tij.”[3]

Në këtë kontekst Xhabiri, kënaqësia e Allahut qoftë me të, thotë: “Kur të agjërosh, le “të agjërojë” veshi dhe syri yt (dëgjimi dhe shikimi nga gjërat e ndaluara), gjuha jote nga gënjeshtra, përgojimi dhe shpifja lëre shqetësimin e komshiut tënd, bëhu i qetë dhe i përmbajtur. Të mos jetë i njëjtë agjërimi me mosagjërimin tënd.”

Vërtet, zemra e besimtarit agjërues është e bardhë e pastër, atë e nxit imani për të vepruar në degët e ndryshme të së mirës. Vjen Ramazani dhe agjërimi që ta pastrojnë atë që i kanë mbuluar ndyrësirat dhe papastëritë. Ndaj, mos lejo që veprat e urryera dhe sjelljet e këqija të përzihen me këtë zemër të pastër. Ruaji gjymtyrët dhe të gjitha organet e shqisave tua nga çdo gjë e zemëron Allahun e Madhëruar.

Urrejtja e muslimanëve, zilia dhe zemërligësia, gënjeshtra, tradhtia, mashtrimi, dyfaqësia, përgojimi, bartja e fjalëve, dëshmia e rrejshme, fjalët e kota, mallkimet dhe sharjet, të gjitha këto konsiderohen sëmundje të rënda e shkatërruese, e njollosin pastërtinë e agjërimit e prishin atë dhe pronarin e tyre e çojnë drejt shkatërrimit.

E lus Allahun e Madhërishëm të na falë gabimet, lëshimet, të këqijat dhe mëkatet tona, të na ndihmojë. Ai është Dëgjuesi, Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma!

Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi

/krenaria.com/


[1] Shënon Buhariu mualek në Sahihun e tij, 4/160. Ebu Davudi 1/729 nr. 2396. Tirmidhiu 3/101 nr. 723.

[2] Buhariu me Fet’h, 4/118 nr. 1904. Muslimi, 2/806 nr. 1151.

[3] Buhariu me Fet’h, 4/116. Ebu Davudi, 1/720 nr. 2362.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit