-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Disa dobi nga hadithi i transmetuar nga Ebi Dherri

Më të lexuarat

عن أبي ذَرٍّ عن النبي صلى الله عليه وسلم فِيمَا رَوَى عن اللَّهِ تَبَارَكَ وَتَعَالَى أَنَّهُ قال: يا عِبَادِي إني حَرَّمْتُ الظُّلْمَ على نَفْسِي وَجَعَلْتُهُ بَيْنَكُمْ مُحَرَّمًا فلا تَظَالَمُوا، يا عِبَادِي كُلُّكُمْ ضَالٌّ إلا من هَدَيْتُهُ فاستهدوني أَهْدِكُمْ، يا عِبَادِي كُلُّكُمْ جَائِعٌ إلا من أَطْعَمْتُهُ فاستطعموني أُطْعِمْكُمْ، يا عِبَادِي كُلُّكُمْ عَارٍ إلا من كَسَوْتُهُ فاستكسوني أَكْسُكُمْ، يا عِبَادِي إِنَّكُمْ تُخْطِئُونَ بِاللَّيْلِ وَالنَّهَارِ وأنا أَغْفِرُ الذُّنُوبَ جميعا فاستغفروني أَغْفِرْ لَكُمْ، يا عِبَادِي إِنَّكُمْ لَنْ تَبْلُغُوا ضَرِّي فَتَضُرُّونِي، وَلَنْ تَبْلُغُوا نَفْعِي فَتَنْفَعُونِي، يا عِبَادِي لو أَنَّ أَوَّلَكُمْ وَآخِرَكُمْ وَإِنْسَكُمْ وَجِنَّكُمْ كَانُوا على أَتْقَى قَلْبِ رَجُلٍ وَاحِدٍ مِنْكُمْ ما زَادَ ذلك في مُلْكِي شيئا، يا عِبَادِي لو أَنَّ أَوَّلَكُمْ وَآخِرَكُمْ وَإِنْسَكُمْ وَجِنَّكُمْ كَانُوا على أَفْجَرِ قَلْبِ رَجُلٍ وَاحِدٍ ما نَقَصَ ذلك من مُلْكِي شيئا، يا عِبَادِي لو أَنَّ أَوَّلَكُمْ وَآخِرَكُمْ وَإِنْسَكُمْ وَجِنَّكُمْ قَامُوا في صَعِيدٍ وَاحِدٍ فَسَأَلُونِي فَأَعْطَيْتُ كُلَّ إِنْسَانٍ مَسْأَلَتَهُ ما نَقَصَ ذلك مِمَّا عِنْدِي إلا كما يَنْقُصُ الْمِخْيَطُ إذا أُدْخِلَ الْبَحْرَ، يا عِبَادِي إنما هِيَ أَعْمَالُكُمْ أُحْصِيهَا لَكُمْ ثُمَّ أُوَفِّيكُمْ إِيَّاهَا فَمَنْ وَجَدَ خَيْرًا فَلْيَحْمَدْ اللَّهَ، وَمَنْ وَجَدَ غير ذلك فلا يَلُومَنَّ إلا نَفْسَهُ”.

Nga Ebi Dherri, e ky nga i Dërguari alejhi selam, se Allahu ka thënë:

O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar dhunën Vetes dhe e kam ndaluar atë në mesin tuaj. Pra, mos i bëni dhunë njëri-tjetrit!
O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të humbur, përveç atyre që Unë i kam udhëzuar. Pra, kërkoni udhëzimin nga Unë dhe Unë do t’ju udhëzoj!
O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të uritur, përveç atyre që i kam ushqyer Unë. Pra, kërkoni t’ju ushqej dhe Unë do t’ju ushqej!
O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të zhveshur, përveç atyre që Unë i kam veshur. Pra, kërkoni veshjen Time dhe Unë do t’ju vesh!
O robërit e Mi! Ju bëni mëkate natë e ditë e Unë i shlyej të gjitha mëkatet. Pra, kërkoni nga Unë falje dhe Unë do t’ju fal!
O robërit e Mi! Ju nuk jeni në gjendje të më dëmtoni edhe sikur të mundoheni (shumë) për ta bërë një gjë të tillë, por as nuk mundeni të më bëni mirë edhe nëse përpiqeni (shumë) për një gjë të tillë!
O robërit e Mi! Sikur të parët tuaj dhe të fundit tuaj, e gjithashtu edhe (të parët dhe të fundit) prej xhinëve të mundohen të jenë të devotshëm si ai që ka zemrën më të devotshme prej jush, kjo nuk do ta shtonte sundimin Tim!
O robërit e Mi! Sikur të parët tuaj dhe të fundit tuaj e gjithashtu edhe (të parët dhe të fundit) prej xhinëve të mundohen të jenë të prishur si ai që ka zemrën më të prishur, kjo nuk do ta mungonte (pakësonte) sundimin Tim!
O robërit e Mi! Sikur të parët tuaj dhe të fundit tuaj e gjithashtu edhe (të parët dhe të fundit) prej xhinëve të ngriheni në një vend dhe të më luteni, Unë do t’i përgjigjem lutjes të çdonjërit prej jush e kjo nuk do ta pakësojë atë që kam Unë, as aq (ujë) sa mund të marrë gjilpëra prej detit!
O robërit e Mi! Këto janë veprat tuaja, të cilat tek Unë janë të ruajtura dhe të llogaritura e për to Unë do t’ju shpërblej. Pra, ai që gjen mirë, le ta falënderojë Allahun, ndërsa ai që gjen keq, le të mos fajësojë askënd pos vetvetes!

Shkaqet që më shtynë të nxjerr dobitë nga ky hadith janë:
-hadithi është sahih i vërtetë, e transmeton Muslimi në koleksionin e tij nr: 2577;
-është hadith kudsij, d.m.th. e transmeton Pejgamberi alejhi selam nga Zoti i tij;
-përmban çështje të ndryshme;
-shpesh qarkullon në gjuhët e ligjëruesve dhe autorëve;
-shprehjet e tij janë të lehta për shpjegim dhe mësim përmendësh e të tjera.


Dobitë e hadithit

Fjala e Pejgamberit alejhi selam nga Allahu: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar dhunën Vetes dhe e kam ndaluar atë në mesin tuaj. Pra, mos i bëni dhunë njëri-tjetrit!”
Hadithi i cekur më lartë aludon se Allahu i Lartësuar flet si të dojë, flet ashtu siç i takon Atij, i Madhëruar dhe i Lartësuar është Ai. Ky është mendimi i Ehlu Sunetit në kapitullin e Emrave dhe Cilësive të Allahut. Në të njëjtën kohë, hadithi mohon dhe refuzon gjithë idetë e atyre të cilët bëjnë ndryshime në Cilësitë e të Folurit të Allahut, fjala e Pejgamberit alejhi selam tregon qartë se Allahu tha: “O robërit e Mi ”…!
Në këtë hadith ka thirrje nga Allahu për robërit e Vet dhe kjo është nga Mëshira e Tij ndaj tyre, është më e kapshme për ta dhe ringjall butësinë në zemrat e robërve të Tij besimtarë.
Hadithi aludon se të gjitha krijesat janë robër të Allahut me ligj dhe caktim. Sa i përket besimtarëve, janë robërit e Allahut të cilët i përgjigjen ftesës së Tij, kurse jobesimtarët thirren nga ky hadith që të hyjnë në adhurimin e Allahut detyrueshëm.
Hadithi aludon për butësinë e Allahut me robërit e Vet, ngase fillon t’i thërrasë para se të kërkojnë ata. E, me këtë gëzohen besimtarët.
Parashtrimi i thirrjes “O robërit e Mi” tregon rëndësinë e asaj që pason, prandaj besimtari dëgjon mirë se çfarë vjen pas thirrjes, sidomos kur është nga ana e Allahut të Madhëruar, sikurse ka ardhur në këtë hadith.
Hadithi aludon se vetëm Allahu ndalon dhe lejon, nuk pyetet për atë që vepron, se fjala e Tij: “Unë ia kam ndaluar dhunën Vetes…” lë të kuptohet se Allahu ndalon çka të dojë dhe lejon çfarë të dojë.
Kuptojmë nga ky hadith se ai i cili dëshiron të urdhërojë ose të ndalojë diçka, duhet të fillojë nga vetja e tij, së pari me fjalë pastaj me vepra, se kjo është më efikase.
Gjithashtu ky hadith aludon se nuk duhet të ketë korrelacion mes ndalesës që i bën Allahu Vetes së Tij dhe ndalesës që na përket neve; p.sh., ndalon një gjë ndaj Vetes së Tij, por në të njëjtën kohë edhe neve na e ndalon, për shembull dhunën; “Unë ia kam ndaluar dhunën Vetes dhe e kam ndaluar atë në mesin tuaj”;
a) i ndalon ndonjë gjë Vetes së Tij e nuk na e ndalon ne, sikurse janë mangësitë, për shembull dremitja, gjumi etj… Thotë Allahu: “Atë nuk e kaplon kotja e as gjumi.” (El-Bekare, 255)
b) lejon për Veten e Tij një gjë, por na ndalon ne nga ajo, për shembull madhështinë. Thotë Allahu: “Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër. Ai është Sunduesi, i Shenjti, Paqedhënësi, Dhënësi i sigurisë Mbikëqyrësi mbi gjithçka, i Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori. Qoftë i lartësuar Allahu mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” (El-Hashr, 23)

Fjalët “Pra, mos i bëni dhunë njëri-tjetrit!” nënkuptojnë dy gjëra:
a) të mos fillosh të bësh zullum, d.m.th. mos t’i bësh vëllait dhunë;
b) ndalohet të hakmerresh dhe t’i kundërvihesh dhunës.
Sido që të jetë, dhuna është e ndaluar si në fillim ashtu edhe në mbarim.

Hadithi aludon se dhuna nuk është avantazh asnjëherë, prandaj është ndaluar me një ndalesë të plotë. Në këtë hadith shohim se dhuna nuk ka për të ndodhur asnjëherë nga ana e Allahut Mëshirëplotë, prandaj nuk e ka përdorur në trajtën e ndalesës për Vete ashtu sikurse e ka përdorur në trajtën e njerëzve. Ka thënë për robërit: “…e kam ndaluar atë në mesin tuaj” pastaj e ka përsëritur prapë ndalesën duke thënë: “Pra, mos i bëni dhunë njëri-tjetrit!”
E sa i përket ndalesës që ia ka bërë Vetes, ka thënë: “Unë ia kam ndaluar dhunën Vetes” dhe nuk e ka përsëritur (Nuk bëj dhunë). Kjo do të thotë se Ai nuk bën dhunë asnjëherë. Kur e ndalon një gjë, Ai nuk e vepron kurrë, kurse njerëzit e kanë të ndaluar, mirëpo prapëseprapë e veprojnë.
Përsëritja e thirrjes “O robërit e Mi” ka një efekt të veçantë për sa i përket mbikëqyrjes, mëshirës, patosit, dhembshurisë ndaj robërve të Tij, e pikërisht për këtë janë përsëritur në këtë hadith dhjetë herë fjalët “O robërit e Mi”.

Vazhdon
Eroll Rexhepi

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit