18.4 C
Pristina
Wednesday, July 3, 2024

Disa dispozita rreth ushqimit dhe pijeve

Më të lexuarat

Një nga begatitë e Allahut ndaj robërve të Tij është se, kur i krijoi ata, u siguroi atyre lloje të ushqimeve dhe pijeve për të vazhduar jetën. U zbriti atyre shiun nga qielli, u nxori nga toka ushqimin, u krijoi atyre shtazë të ndryshëm dhe i bëri ato të nënshtruar ndaj tyre.

Si falënderim ndaj kësaj begatie, njeriu obligohet të mësojë ligjin e Allahut dhe  dispozitat e Tij në këtë fushë, që t`i pasojë ato dhe të fitojë kënaqësinë e Allahut të Lartësuar.

Në këtë kontekst, kemi përmbledhur disa norma dhe dispozita që kanë të bëjnë rreth ushqimit dhe pijes, në formë të shkurtër. Lusim Allahun e Lartësuar të kemi dobi nga to!

A janë të rëndësishme për muslimanin njohja e këtyre dispozitave

Për të kuptuar rëndësinë që i ka dhënë Islami këtyre dispozitave, mund të shohim në bazë të pikave që do t`i përmendim në vazhdim:

E para: Urdhri për punë në kërkim të rrizkut:

Një nga kërkesat themelore, me të cilat urdhërohet muslimani, është që të punojë në fitimin e rrizkut. Ky urdhër vërehet nga shumë citate kuranore dhe hadithe. Për të qartësuar këtë, do t`i përmendim disa nga këto citate:

  1. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj ecni nëpër pjesët e saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij. Vetëm tek Ai është e ardhmja.”(Tebarek, 15)
  2. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Pasha Atë që shpirti im është në Dorën e Tij, të marr ndonjëri nga ju litarin dhe të bartë  dru në shpinën e tij më mirë është për të se të zgjasë dorën dhe të kërkoj lëmoshë, pa marrë parasysh i dhanë njerëzit apo jo.” (Transmeton Buhariu)
  3. I Dërguari (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Nuk ka asnjë musliman i cili e mbjell ndonjë pemë apo bimë dhe ushqehet nga ajo ndonjë njeri, shpendë apo shtazë e të mos jetë ajo për të sadaka (lëmoshë).”(Buhariu dhe Muslimi)

E dyta: Urdhri për t`u ushqyer ushqim hallall (të mirë) dhe ndalesa për t`u ushqyer me ushqim haram (të keq).

 Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat! Hani nga të mirat që u kemi dhënë dhe falënderoni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.” (Bekare, 172)

Dispozita e cekur në këtë ajet ka urtësi të madhe, për shkak se ushqimi i mirë ka ndikim në njeriun, në sjelljen e tij dhe dëlirësinë e zemrës së tij, gjithashtu në natyrshmërinë e tij, moralin dhe në pranimin e lutjeve prej tij.

Dhe në të kundërtën, ushqimi i keq, gjithashtu ka ndikim të keq te njeriu. Ushqimi i keq e prish trupin, natyrshmërinë dhe moralin e ajo që është më e keqe, ushqimi haram është një nga shkaqet kryesore për refuzimin e lutjeve. Ashtu siç transmetohet nga  Ebu Hurejre (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), ka thënë:

“Vërtet Allahu i Madhëruar është i mirë dhe nuk pranon përveç mirë, dhe vërtet Allahu u ka urdhëruar besimtarëve atë që u ka urdhëruar të dërguarve. I Madhëruari ka thënë: ‘O ju të dërguar! Hani gjërat e mira dhe punoni mirë.’ I Madhëruari ka thënë: ‘O ju besimtarë! Hani gjërat e mira me të cilat u kemi furnizuar.’ Pastaj e përmendi njeriun, i cili ka udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura dhe të pluhurosura dhe i cili shtriu duart e tij nga qielli: ‘ O Krijues! O Krijues! Kurse ushqimi i tij është haram  dhe pija e tij haram  dhe veshmbathja e tij haram dhe është ushqyer me haram. E si do të pranohet lutja e tij!” (Transmeton Muslimi)

E treta: Ndalesa e ngrënies (marrjes) së pasurisë së njerëzve pa të drejtë.

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe mos e hani pasurinë e njeri tjetrit në mënyrë të palejuar…” (Bekare, 188)

Në ngrënien të pasurisë së tjetrit pa të drejtë, hyn forma të ndryshme si: ngrënia e tij me anë të mashtrimit, vjedhjes, rrëmbimit, bixhozit dhe forma të tjera.

E katërta: Urdhri për falënderimin e Allahut, për begatinë e të ushqyerit.

Ajetet që aludojnë në këtë çështje janë:

  1. 1. “O ju që besuat! Hani nga të mirat që u kemi dhënë dhe falënderoni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.”(Bekare, 172)
  2. 2. “Dhe kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: Nëse falënderoni, do t`ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s`ka dyshim, dënimi im është i vështirë.”(Ibrahim, 7)

Në esencë të gjitha ushqimet dhe pijet janë të lejuara

-Në kapitullin e ushqimit është një rregull i përgjithshëm se të gjitha ushqimet janë të lejuara (hallall) përveç asaj që e ka ndaluar (haram) Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij (salallahu alejhi ue selem).

Pra, ushqimet dhe pijet e ndaluara për muslimanët janë të sqaruara  në Kuran dhe Sunet dhe nuk ka të drejtë askush të thotë për ndonjë lloj të ushqimit: kjo është e ndaluar, vetëm nëse për këtë ka argument nga Kurani dhe hadithi i Resulullahut (salallahu alejhi ue selem). Allahu i Lartësuar thotë: “Ç’keni ju që të mos hani nga ajo për të cilën është përmendur emri i Allahut, e Ai (Allahu) ju sqaroi juve se çka është e ndaluar për ju…”( Enam, 119)

Gjithashtu thotë: “Ai (Allahu) është Ai i cili u krijoi juve gjithçka ka në tokë…”(Bekare, 29)

Me kuptimin e kësaj esence qartësohen shumë mospajtime që ndodhin në këtë kapitull. Kështu që, nëse thotë njeri për një çështje se është haram, kurse tjetri thotë se është hallall, atëherë  i pari është ai nga i cili kërkohet të sjellë argumentin.

Argumente për këtë rregull kemi edhe nga suneti.

  1. I Dërguari (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Vërtet, Allahu i Lartësuar ka caktuar dispozita për ju, andaj mos i lëni anash. Ka caktuar kufijtë e mos i tejkaloni, ka ndaluar gjëra e mos i bëni ato dhe ka heshtur për disa të tjera, jo nga harresa, por si mëshirë ndaj juve, prandaj mos hulumtoni për ato (të heshturat se janë të lejuara).”(Tranmeton Darekutni e Neveviu e ka bërë hadithin hasen)
  2. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi se ka thënë: “Para shpalljes njerëzit e injorancës i lejonin disa gjëra dhe i ndalonin disa të tjera, duke i konsideruar ato gjëra të ndyta, pastaj Allahu e shpalli të Dërguarin e Tij, ia zbriti Librin dhe ia lejoi hallallin e ia ndaloi haramin, atë që  e ka lejuar ai është hallall dhe atë që e ka ndaluar ai është haram, kurse për atë që ka heshtur është mëshirë për ju, pastaj lexoi ajetin e sures Enam: ‘Thuaj! Në atë që më është shpallur mua nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi, përveç në qoftë se ai (ushqimi) është cofëtinë, gjak që rrjedh ose mish derri, ai është i ndytë dhe asaj që është therur jo në emër te Allahut (por të ndonjë idhulli) e që është mëkat.”(Transmeton  Ebu Davudi)

Pra, nga ajetet e mëparshme dhe këto dy hadithe kuptojmë se ai ushqim që nuk është cekur në sheriat se është haram, mbetet i lejuar.

– Për të kuptuar më mirë këtë rregull mund të përmendim një shembull: Gomari shtëpiak a është i lejuar ta hamë, apo jo?

Sipas rregullit të sipërpërmendur “në esencë të gjitha ushqimet dhe pijet janë të lejuara”, lejohet, mirëpo pasi që kemi hadithin që ndalon këtë (të ngrënët) atëherë ai (gomari) kalon prej hallallit në haram me argumentin nga suneti. Pasi është e vërtetuar nga Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) se ka ndaluar ngrënien e mishit të gomarit shtëpiak, ashtu siç transmetohet në hadithet që i shënojnë Buhariu, imam Ahmedi dhe të tjerët.

Lojet e ushqimeve   

Ushqimet ndahen në dy lloje kryesore:

  1. a)Ushqimet bimore si: farërat dhe frutat e ndryshme, perimet, frutat, gjithashtu në këtë lloj hyjnë edhe prodhimet bimore si: buka, lëngjet e frutave, vajrat bimore etj.
  2. b)Ushqimet shtazore si: llojet e mishrave, të gjitha llojet e peshqve dhe prodhimet shtazore si: vajrat shtazore, qumështi etj.

Grupet e shtazëve

Sipas vendit ku jetojnë shtazët ndahen në tri grupe :

  1. Shtazët që jetojnë vetëm në tokë.
  2. Shtazët që jetojnë vetëm në ujë.
  3. Shtazët që jetojnë në tokë dhe ujë (ujëtokësorët).

Së pari, do të flasim për shtazët që jetojnë në ujë.

Shtazët që jetojnë në ujë

Janë ato shtazë që jetojnë vetëm në ujë si peshqit etj.

Ky lloj i shtazëve është i lejuar të ushqyerit me të dhe nuk është e nevojshme prerja ligjore, pra lejohet edhe nëse ngordh vetvetiu.

Argumenti për këtë është thënia e Allahut: “Gjahu dhe ushqimi në det u është lejuar, si kënaqësi për ju dhe udhëtarët…” (Maide, 96)

Kurse nga hadithi:

  1. Kur është pyetur Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) për detin, është përgjigjur: “Uji i tij është i pastër dhe gjithashtu është hallall ngordhësira në të.”(Transmeton Ahmedi, Maliku, Ebu Daudi dhe të tjerët).
  2. Ibën Umeri thotë:“Na janë lejuar dy ngordhësira dhe dy pjesë (organe) nga gjaku (për t`i ngrënë); ngordhësirat janë: peshku dhe karkaleci, kurse gjaku janë mëlçia dhe shpretka.”(Ahmedi , Ibën Maxhe hadithi është sahih)

–         Nga shtazët e ujit bëjnë përjashtim (është haram):

 

  1. Ajo shtazë që përmban me vete helm, si disa lloje të peshqve etj.
  2.  Ajo shtazë që ngordh dhe fillon të prishet dhe t`i vijë era, kështu që bëhet nga ushqimet e ndyta dhe të dëmshme që ka ndaluar Allahu.

Mënyrat e ruajtjes së ushqimeve të ujit:

Nëse ruhen ushqimet e ujit, që të sigurohen nga prishja, atëherë lejohet të ngrënurit e tij, ndërsa mënyrat e ruajtjes janë:

  1. Tharja e mishit duke e kriposur.
  2. Ruajtja e tij duke e vënë në konserva me metoda bashkëkohore të njohura.
  3. Ngrirja e mishit në frigoriferë të ndryshëm.

Shtazët që jetojnë në tokë dhe ujë (ujëtokësorët)

Janë ato shtazë që jetojnë në tokë dhe ujë si: bretkosat, krokodilët etj.

Nga ky lloj përjashtohen ato shtazë që janë dhëmbëshqyes si: krokodilët, shtazë që janë të helmuara si: gjarpërinjtë dhe akrepat. Gjithashtu, ndalohen edhe bretkosat, për arsye se ka ndaluar Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) që ti vrasim e  t’i hamë.

Në dallim nga shtazët e ujit, ky lloj i shtazëve, kushtëzohet prerja ligjore dhe nuk lejohet ngrënia e asaj që ngordh vetvetiu.

Shtazët që jetojnë në tokë

-Janë ato shtazë që jetojnë vetëm në tokë, në të hynë edhe shpezët.

 

Këto lloje të shtazëve janë të lejuara, përveç atyre që janë ndaluar në librin e Allahut dhe hadithe.

 

Pra të ndaluara janë ato shtazë që:

  1. Janë të ndyta
  2. Të dëmshme për trupin tonë.

 

  1. a) Shembuj të ushqimeve të ndaluara (ndyta) të përmendura në Kuran:
  2. Coftira; është ajo shtazë që ngordh vetvetiu apo në ndonjë formë tjetër (pra që nuk është prerë sipas normave të sheriatit).
  3. Gjaku që rrjedh.
  4. E furmja, ajo shtazë që mbytet duke iu zënë fryma qoftë me litar apo diçka tjetër.
  5. E mbytura.
  6. E rrëzuara, ajo shtazë që ngordh duke rënë nga lartë.
  7. E shpuara.
  8. Ajo shtazë që e shqyejnë egërsirat, përveç nëse arrijmë ta therim para se të ngordhë.
  9. Ajo shtazë që theret për idhuj.
  10. Mbytja e shtazës me plumb apo diçka tjetër duke pasur mundësi ta therim sipas sheriatit.
  11. Mishi i derrit.

 

Allahu i Lartësuar thotë: “Juve u është ndaluar (t`i hani) ngordhësira, gjaku, mishi i derrit, ajo që theret jo në emër të Allahut, e furmja, e mbytura, e rrëzuara, e shpuara (nga briri i tjetrës), ajo që e ka ngrënë egërsira, përveç asaj që arrini të therni (para se te ngordhë), ajo që është therur për idhuj.” Maide, 3.

 

Nëse nuk e përmend emrin e Allahut gjatë therjes ajo konsiderohet ngordhësirë.

 

  1. a)      Shembuj të ushqimeve të dëmshme të ndaluara

 

1-     Ushqimet e helmuara si: gjarpërinjtë e ndryshëm, hardhucat, akrepat.

2-     Në këtë lloj hyjnë edhe bimët e helmuara si: llojet e kërpudhave dhe luleve të ndryshme.

3-     Helmet artificiale si ato kimike, biologjike etj.

4-     Ushqimet dehëse alkoolike.

5-      Narkotiket me të gjitha llojet.

6-     Duhani me të gjitha llojet.

 

Argument për këtë kemi ajetin: “…Dhe mos mbytni veten tuaj…” Nisa, 29

I Dërguari (salallahu alejhi ue selem) thotë: ” Kush kërcen nga kodra dhe e mbytë vetveten, ai do të jetë në zjarrin e xhehenemit duke rënë nga lartë përgjithmonë. Kush merr helm dhe e mbytë veten, ai do të jetë në xhehenem përgjithmonë me helm ne dorë (duke e bërë të njëjtën punë).” (Buhariu dhe Muslimi)

-Sa i përket duhanit duhet të cekim se është haram, kurse shkaku se disa nga dijetarët e hershëm nuk i kanë thënë haram është se kur njerëzit kanë filluar përdorimin e tij nuk janë ditur dëmet e tij, prandaj disa nga dijetarët  e vjetër nuk i kanë thënë haram, mirëpo tani të gjithë janë të pajtimit se është shumë i dëmshëm  dhe shkakton sëmundje të shumta të rrezikshme dhe citatet e mësipërme janë argument për ndalimin e tij .

 

El xhelaleh

Xhelaleh është ajo shtazë që është e pastër në esencë si pula apo lopa, mirëpo pasi që  është ushqyer me ushqime të ndyra është haram të ushqehemi me të. Këtu merret parasysh nëse shumica e ushqimit të tij është ndyrësirë, nëse është më pak atëherë nuk merret parasysh.

Argumenti për këtë është hadithi i Ibën Omerit: “Ka ndaluar i Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) ngrënien e xhelales dhe qumështin e tij.” Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Kur lejohet ngrënia e xhelales?

Pasi që të mbyllet dhe të hajë nga ushqimet e pastra, nëse është nga shtazët e vogla si pula 3 ditë, nëse është nga të mëdhatë 40 ditë.

 

Shtazët që janë dhëmbëshqyes dhe shpezët që kanë kthetra shqyese

 

Ato shtazë dhëmbëshqyes janë të ndaluara të ushqyerit me të si: luani, tigri, ujku, dhelpra, majmuni, etj.

Argument për këtë është hadithi që e transmeton Buhariu dhe Muslimi: “Ka ndaluar i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) ngrënien e çdo shtaze që është dhëmbëshqyes.” Në këtë lloj hyn edhe qeni.

 

Gjithashtu edhe ato shpezë që kanë kthetra  me anë të të cilave e shqyejnë gjahun e tyre është e ndaluar të ushqyerit me të si: shqiponja, huti, korbi etj.

Argument për këtë është thënia e Ibën Abasit: “Ka ndaluar i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) nga të ushqyerit me shtazë dhëmbëshqyes dhe shpezë që kanë kthetra shqyese.” (Muslimi dhe Ebu Daudi)

Përgatiti: Alaudin Abazi

24.08.2006

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit