Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie dhe ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, thanë të enjten se është e trishtueshme që sportistët pengohen të marrin pjesë në garat ndërkombëtare për arsye politike.
Komentet e tyre pasuan vendimin e autoriteteve serbe për të mos lejuar pjesëmarrjen e karateistëve të Kosovës në Kampionatin Evropian të Karates që mbahet në Novi Sad nga sot deri më 13 maj.
Të dy ambasadorët thanë në një postim në rrjetin twitter se “normalizimi i marrëdhënieve, më e pakta duhet të nënkuptojë që sportistët e rinj, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, të marrin pjesë lirshëm në garat ndërkombëtare. E trishtueshme të shohësh që ëndrrat e tyre po rrënohen nga politikat ndërkombëtare mbi të cilat ata nuk kanë kontroll”.
Dy herë të mërkurën autoritetet serbe penguan në kufi hyrjen e karateistëve nga Kosova.
Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë në një njoftim tha se “sportistë nga Kosova nuk do të jenë pjesë e kampionatit, pasi që sporti edhe kësaj radhe ishte në rend të dytë”, duke kundërshtuar shpalosjen e simboleve të Kosovës nga konkurrentët nga Kosova. Sipas autoriteteve serbe, sportistët nga Kosova nuk u janë përmbajtur rregullave të lajmërimit për të hyrë në territorin e Serbisë 48 orë më parë.
Por, kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se janë respektuar të gjitha procedurat për të marrë pjesë në kampionatin Evropian të karatesë.
“Arsyeja ka qenë banale sepse letrën që e kanë dërguar federata dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë kanë kërkuar t’i dërgojmë të gjitha emrat. Kërkesa ka qenë për 48 orë më herët, por ne i kemi dërguar tre ditë më herët”, tha zoti Krasniqi.
Ai tha se kërkesa e Kosovës ka qenë që të jetë e barabartë me të gjitha ekipet tjera pjesëmarrëse në kampionat.
Vendimi i autoriteteve serbe nxiti reagime të ashpra të autoriteteve në Kosovë sipas të cilëve ndalimi ishte i papranueshëm dhe i pashembullt për një vend që aspiron integrimet evropiane.
Edhe misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë bëri thirrje për “depolitizim të sportit” dhe që të bëhen të gjitha përpjekjet që ngjarjet sportive të mbahen pa ngarkesa politike.
Nuk është hera e parë që tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndikojnë në veprimtaritë sportive. Në muajin mars Beogradi anuloi një ndeshje ndërmjet ekipeve të Kosovës dhe Serbisë në hendboll për vajza deri në 20 vjeç, që pritej të luhej afër Beogradit. Autoritetet serbe thanë se anulimi kishte për qëllim shmangien e përplasjeve ndërmjet policisë dhe grupeve që kundërshtonin atë ndeshje.
Autoritetet serbe shpesh i këshillojnë sportistët e tyre që të bojkotojnë ceremonitë ku janë të përfshirë sportistët e Kosovës.
Në fillim të javës autoritetet në Kosovë nuk dhanë leje për një ndeshje futbolli ndërmjet një ekipi të futbollit nga Beogradi dhe një ekipi lokal serb në Graçanicë, afër Prishtinës, që ishte planifikuar për 9 maj.
Federata e Futbollit në Kosovë tha se në të kaluarën ndeshjet e tilla ishin keqpërdorur për të nxitur urrejtje ndaj komunitetit shqiptar.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, ajo është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës në shkëmbim të integrimit në Bashkimin Evropian./voa