Në kohën kur papunësia në Kosovë vazhdon të konsiderohet si një nga problemet më të mëdha, me të cilat ballafaqohet shoqëria e vendit, shpresat për të gjetur një vend pune kanë mbetur te përfundimi i fakultetit.
Diploma universitare figuron si parakusht në shumicën e konkurseve për punë në Kosovë, por të rinjtë shprehen skeptikë për rolin që ka diploma në punësim.
Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, sjellim mendimet e disa të rinjve të cilët flasin për vlefshmërinë e diplomave universitare në Kosovë.
Ajo që theksohet më së shumti nga këta të rinj është se pas diplomimit nuk arrihet të gjendet një punë, pavarësisht që ata tashmë janë të diplomuar.
Fisnik Haxhiu, 24-vjeçar mendon se diploma universitare në Kosovë ka mbetur një dokument i thjeshtë, që nuk ka ndonjë vlerë të madhe.
“Çdo kund ku shkon të kërkosh punë, apo shkon të aplikosh të paktën për punë, kërkohet të kesh lidhje familjare. Sot, pasuria më e madhe për mendimin tim nuk është diploma, por lidhjet familjare. Diploma ka mbetur një dokument i thjeshtë që sot mund ta marrësh me pak para dhe pa asnjë problem”, thotë Fisniku.
Në vendet me ekonomi të zhvilluar dhe me shkallë të ulët të papunësisë, studentët pas diplomimit nuk e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune, por kjo nuk ndodh në Kosovë.
Supozohet se çdo vit në tregun e punës në Kosovë janë aktivë për t’u punësuar 25 deri në 30 mijë persona, të gjithë të gjeneratës 18 e më lart, derisa po ky treg mund të absorbojë nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.
Petrit Kosumi, 18-vjeçar, shprehet i bindur se diploma universitare nuk të ndihmon në gjetjen e një vendi të punës. Ai thotë se mund t’i përfundosh edhe dy apo tre fakultete, por nuk do të arrish ta kesh një punë të sigurt menjëherë pas përfundimit të studimeve.
“Nuk ka rëndësi diploma universitare në Kosovë, e merr diplomën, por vend pune nuk arrin të gjesh”, thotë Petriti.
Numri më i madh i studentëve të diplomuar vjen nga Fakulteti Ekonomik dhe kjo sipas disa të rinjve e bën më të vështirë që të gjithë ata persona të diplomuar, të punojnë në profesionin e tyre si ekonomistë.
Fakulteti Ekonomik, i cili mbetet si njëri nga fakultetet më të preferuara nga të rinjtë, në vitin e parë të studimeve ka pranuar 2,200 studentë, prej të cilëve 1,700 të rregullt dhe 500 me korrespondencë.
Për Blendi Çoçaj diploma universitare ka rëndësi, por rëndësia, sipas tij, varet nga drejtimi ku je i diplomuar. Ai thotë se në Kosovë ka të diplomuar shumë në një fushë, derisa ka mungesë të personave të diplomuar në ndonjë fushë tjerë, e që janë të nevojshme.
“Ka rëndësi diploma, edhe pse ka kuadro mjaft që kanë dalë me diploma, por varet edhe çfarë drejtimi kanë zgjedhur, çfarë lloj diplome. Janë disa drejtime që kërkohen më së shumti si drejtimi i inxhinierisë që ka mjaft mungesë të këtij kuadri te ne”, thekson Blendi.
Arbër Bytyçi mendon se në shumë vende të punës punojnë njerëz të pakualifikuar vetëm se kanë lidhje familjare ndërsa ata të cilët janë të diplomuar, bredhin rrugëve:
“Nëse flasim për Fakultetin Ekonomik ku unë studioj, nuk ka rëndësi diploma universitare. Në shumë banka punëtorët janë me shkolla të mesme apo me fakultete të gjuhës angleze. Për shembull, vetëm pse ka ditur të flasë gjuhën angleze dhe ka pasur lidhje familjare, është punësuar. Ai vend në banka është për ekonomist. Nuk ka rëndësi diploma, vetëm lidhja familjare”.
Edhe raporti i fundit i UNDP-së tregon se shumica e kosovarëve besojnë që lidhjet familjare, ryshfeti, anëtarësimi në një parti politike dhe miqtë janë faktorët më të rëndësishëm në marrjen e një pune në sektorin publik.
Derisa, sipas këtij raporti, vetëm 13 për qind e kosovarëve besojnë që arsimimi, përvoja personale dhe trajnimet profesionale, janë të rëndësishme kur dikush kërkon punë në sektorin publik.
Flutura Balaj tregon se nuk ka mundur të punësohet pasi që nuk ka qenë e diplomuar, por ajo shpreson se pas diplomimit do të arrijë të punojë diku. Diploma universitare për Fluturën është shumë me vlerë:
“Normalisht që në bazë të njohurive mund të arrish që ta gjesh një punë, por vlen edhe diploma. Unë kam shikuar të punësohem si mësimdhënëse, por pa diplomë nuk më kanë pranuar”, tregon Flutura.
Edhe i riu Shkëlqim Shasivari mendon se diploma universitare ka vlerë, t’i hapë rrugët e së ardhmes dhe më e rëndësishmja, të krijon vend pune diku.
“Ka rëndësi diploma. Pa diplomë vështirë se mund të gjesh punë. Unë jam i sigurt se po të kem diplomë do të gjej punë. Unë e kam hallën ajo është profesoreshë e Fizikës dhe Kimisë, ka diplomë dhe ja që tani punon si mësimdhënëse”, shprehet Shkëlqimi.
Të jesh i diplomuar është mirë, ke njohuri për lëmin që e ke studiuar, por nuk ka edhe aq shumë rëndësi për Kosovë, mendon Shkumbin Hasanaj:
“Vlen deri diku, po jo edhe aq shumë. Ka shumë njerëz që kanë diploma, por nuk kanë vende pune”.
Por, të rinjtë bëjnë një dallim të vlerës së diplomave në Universitetin Publik të Prishtinë me ato private. Disa prej tyre mendojnë se diploma në Universitetin Publik është më e vlefshme se diploma në universitetet private.
Agnesa Maliqi, studente në njërin nga fakultetet e Universitetit të Prishtinës, thotë se pa diplomë nuk mund të arrish të punësohesh në ndonjë vend të mirë të punës, nëse e ke diplomën, sipas saj, gjasat janë më të mëdha për punësim.
“Diplomat e UP-së janë më të vlefshme se sa ato private. Me diplomë universitare të UP-së, punësimi është më i lehtë. Në Kosovë është vështirë të gjesh punë, por unë shpresoj se pas diplomimit ta gjej veten dikur të punësuar”, shprehet Agnesa.