1.4 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Dilemat e studenteve mes martesës dhe përfundimit të studimeve

Më të lexuarat

Vallë një vajzë duhet t’i japë përparësi studimeve shkencore apo martesës? A të zgjedhë të jetë grua dhe nënë apo ta mbarojë magjistraturën e doktoratën? … dhe vallë vajza e sotme dallon nga vajzat e së kaluarës në këndvështrimin e saj ndaj jetës, martesës, familjes dhe mëmësisë?

Opinionet:

Muna Salih, thotë: Gjersa isha duke studiuar në Fakultetin e inxhinierisë mu ofruan shumë djem për martesë dhe nuk ishin të përshtatshëm për mua apo thënë më mirë isha duke e pritur atë më të mirin. Kur mbarova studimet në degën e komunikacionit – Fakulteti i inxhinierisë, gjithashtu nuk mu ofrua djaloshi i përshtatshëm, kështu që fillova të punoj në një punë të mirë dhe me këtë u vështirësua edhe më shumë çështja ngase, specifikat e kërkuara për burrin e përshtatshëm u bënë edhe më të vështira. Unë tashmë i kam kaluar të 27-at dhe nuk jam martuar ende por, ende jam e vendosur në qëndrimin tim dhe nuk do të lëshoj pe.

Mi Ruzhdi, absolvent e Fakultetit të Farmacisë, thotë: Nëna ime është mjeke dhe ishte fejuar me babin tim gjatë studimeve ngase, gjyshja ime e ka edukuar asisoj dhe çështja më e rëndësishme në këtë familje është martesa e femrave e unë jam ndikuar pa e ndjerë me këtë mendim. Kur mu ofrua një djalë që ka mbaruar Fakultetin e gazetarisë, punon në administratën e përgjithshme të një firme dhe gjendja e tij financiare është e mirë, familja ime u pajtua dhe do ta kemi martesën menjëherë pas përfundimit të studimeve.

E refuzon detyrimin:

Emine Muhamed, e ka kryer Fakultetin e Arteve të Bukura – dega e Arkitekturës, është në përgatitje e sipër të temës së magjistraturës dhe punon në një firmë, thotë: Jam lodhur shumë derisa kam gjetur këtë punë dhe falënderoj Allahun që i vazhdoj studimet gjithashtu. Më është ofruar një djalë për martesë. Ai është mjek dhe ishte i lumtur që unë punoja por, kjo në fillim. Gjatë takimeve të para më fliste për aspiratat shkencore dhe për hollësitë e punës time por, kur filluam t’i bëjmë procedurat e fejesës kërkoi nga unë që ta lë shkollimin dhe punën dhe të përqendrohem në obligimet e mia si grua dhe të qëndroj pranë tij. Unë pasi mendova dhe u konsultova me familjen time e refuzova këtë gjë. E ardhmja ime është në punën dhe studimet e mia.

Të merret me studime është më mirë:

Fatime Tajjib, e diplomuar dhe amvise, thotë: Unë i kam tri vajza që janë në një shkallë të lartë të besimit dhe bukurisë. Dy nga ato kanë përfunduar studimet dhe ne jetojmë në një nga lagjet e pasura të Kajros. Atyre nuk u është ofruar një djalë i përshtatshëm kështu që e kam parë të udhës që ta zënë kohën e tyre me studime. Vajza ime e madhe pasi që përfundoi magjistraturën filloi punën në një universitet privat, ndërsa e dyta është duke përgatitur magjistraturën dhe sipas mendimit tim kjo është më mirë se sa të presin deri në një afat të panjohur.

Silva AbdulKader, studente në Fakultetin e Pedagogjisë, e sheh se është më mirë që vajza të martohet gjatë studimeve ngase, ajo mendon se studimet nuk e pengojnë gruan e martuar. Përkundrazi, martesa mund të jetë faktor suksesi dhe stabiliteti për të. Po ashtu, gjurmët e martesës janë pozitive ngase, ajo i ofron gruas shtytje për të arritur kulmin e suksesit. Disa studente nuk kanë mundësi t’i vazhdojnë studimet vetëm se pas martesës ngase, rrethanat martesore të aftësojnë për sukses dhe për lumturi të vërtetë.

Ndërsa, Fajize Atif e prezanton përvojën e saj personale ku thotë: Përvoja ime është shumë e suksesshme dhe e mirë me begatinë e Allahut. Unë jam martuar derisa kam qenë në shkollë të mesme e megjithatë kam arritur sukses dhe jam regjistruar në Fakultetin Filologjik. Tashmë jam në vitin e tretë dhe kam dy fëmijë dhe falënderoj Allahun ngase, ia arrij t`i bashkoj familjen dhe studimet e mija. Burri im më ndihmon dhe nuk më ka penguar që kur ka kuptuar vendosmërinë time.

Shkollimi është garancë sigurie:

Dr. Hanan Salim, profesoreshë e sociologjisë, vëren se shtresa e mesme është më tepër e interesuar për studimin e fëmijëve të tyre ashtu që ambiciet për studimin e fëmijëve të tyre janë më të mëdha sesa martesa. Kjo ndodh kështu ngase, studimet janë garancë sigurie për ta, ku synimi i vajzës drejt martesës zë vendin e tretë d.m.th. pas studimeve dhe punës.

Dr. Hanan, gjithashtu, pohon se statistikat në Egjipt tregojnë praninë e gjashtë milionë të rinjve dhe të rejave që i kanë kaluar të 35-at ndërsa janë të pamartuar. Kjo është një dukuri që e quajmë ‘Abstenim nga martesa’ dhe në mesin e këtij gjashtëmilionëshi, dy milionë prej tyre gjenden në poste të larta dhe kanë një shkallë të lartë të bukurisë. Megjithatë, ata i gjejmë duke anashkaluar martesën ngase, sipas këndvështrimit të tyre, kanë interesime të shumta, më të rëndësishme.

Dr. Ferexh Ilham, profesoreshë e sociologjisë, thotë se natyrshmëria e femrës është shpresa për një jetë martesore. Vajza që e vogël ëndërron të bëhet nuse dhe luan me kukullën sikur të jetë fëmijë i vogël. Të tilla janë edhe shumica e nënave, të cilat, sado që të arrijnë vajzat e tyre grada shkencore, ëndërrojnë ditën kur vajzat e tyre do ta veshin fustanin e nusërisë. Por, realiteti dikton shumë çështje ngase, çdo nënë dhe çdo vajzë shpresojnë për një burr sa më shembullor dhe gjithashtu e teprojnë në kërkesat e tyre materiale, e kur vajza të jetë e bukur dhe të ketë një gradë shkencore është vështirë ta gjejë djalin e përshtatshëm e ëndrrave të saj. Për këtë arsye shumica e vajzave që veçohen me kulturë dhe dije vonohen në martesë.

E kundërta ndodh me vajzat që kanë shkollim mesatar, e të cilat që nga fillimi kanë përcaktuar qëllimin e tyre në jetë, e ai është arritja e një burri dhe lehtësimi për këtë. Qoftë edhe nëse kjo dikton martesën e një vajze me shkollim mesatar, prej një familjeje mesatare, me dikë që është më pak i arsimuar, ose, për tu shprehur më mirë, që nuk është fare i arsimuar.

E nëse çdo rregull ka përjashtim ajo çka po ndodh tash i ka ndryshuar peshojat e shoqërisë, ku gjen p.sh. vajzën e cila e marton shefin e saj në punë, apo vajzën e cila martohet me dikë që është me dekada më i vjetër se ajo, vetëm për shkak të pasurisë së tij.

Ndërsa Dr. Ali Ridvan, profesor i psikologjisë, thotë: Ajo që po ndodh tani nuk është çështje që vajza ka mundësi të zgjedh ngase ofertat për martesë për shumë vajza janë të pakta ashtu që, është rritur niveli i beqarisë për këtë, këto vajza drejtohen drejt përfundimit të studimeve të tyre. Dhe është vërejtur se niveli i beqarllëkut mes profesoreshave në universitete, mjekeve dhe inxhiniereve është më i madh se sa atyre që kanë përfunduar fakultete tjera.

Martesa dhe Mëmësia është më mirë

Dr. Ahmed Mexhdub, specialist i qendrës kombëtare për çështje shoqërore dhe kriminale, preferon martesën e vajzës që studion nëse i ofrohet një rast i volitshëm dhe e arsyeton këtë se Islami që ka rregulluar jetën e njerëzve, burrit ia ka dhënë mbikëqyrjen e familjes dhe duke u bazuar në këtë atij i takojnë shpenzimet e ajo që duhet ta bëjë shoqëria është që t’i gjejë punë këtij të riu që shpenzon për familjen e tij.

Përderisa Dr. Rafet Uthman, profesor në Fakultetin e Sheriatit, pohon se hadithi i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Kur t’ju vij dikush që ia pëlqeni devotshmërinë dhe moralin e tij martojeni përndryshe, do të ndodhin mëkate dhe çrregullim në tokë”, është një udhëzim pejgamberik që duhet ta kuptojmë mirë dhe sado që të arrijë gruaja grada shkencore martesa dhe mëmësia për të janë çështje esenciale. Mirëpo, nëse nuk vjen burri i përshtatshëm atëherë, shkenca, studimi dhe të mësuarit e fesë gjithashtu, shtimi i diturisë në lëmi të ndryshme qofshin ato fetare apo lëmi tjera, janë më mirë sesa koha e lirë e cila zakonisht sjellë probleme dhe e rraskapitë vajzën dhe familjen e saj.

Dr. Ismail Safeti e shpjegon qëndrimin e disa familjeve për mos t’i martuar vajzat e tyre gjatë studimeve me frikën për të ardhmen e tyre dhe frika e tyre rrjedh nga droja se vajzat e tyre nuk do të jenë të afta të bartin shumë përgjegjësi e veçanërisht edukimin e fëmijëve.

Dhe ai nuk sheh pengesë në martesën e hershme nëse gjendet pjekuria mentale dhe trupore ngase, martesa e vonshme dhe lindja e fëmijëve vonë e shkakton një boshllëk mes prindërve dhe fëmijëve.

Opinionet rreth martesës ndryshojnë prej një vajze tek tjetra dhe lidhen ngushtë me edukimin që e ka përfituar vajza në rrethin familjar. Disa vajza e shohin martesën si ikje nga realiteti i shtëpisë, disa prej tyre nuk kanë liri të vendosin dhe të shprehin dëshirat e tyre dhe të tjera që baballarët e tyre i privojnë nga shansi për të studiuar.

Dr. Ismail Safeti pohon se përgatitja e vajzës gjatë kohës së studimeve për martesën dhe komponentët e saj është çështje e domosdoshme dhe nuk bën të anashkalohet. Gjithashtu, martesa ia shton vajzës pjekurinë dhe kulturën mirëpo, gjatë viteve të hershme dhe periudhës së studimeve është përplot me presione për shkak të moshës së re dhe përvojës së pakët jetësore.

Dr. Ismail Safeti kërkon që të ngutet me martesën e vajzës në disa raste si p.sh gjatë shthurjes së familjes ngase, i ekspozohet devijimit dhe në disa raste tjera ku vajza anon nga mëkati dhe familja i frikësohet devijimit të saj.

Autori: Dr. Lejla Jebumi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit