1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Dija është pushtet

Më të lexuarat

Jemi në fillimin e muajit shtator. Shtatori simbolizon fillimin e vitit shkollor. Fillimi i vitit shkollor na kujton përsëri rëndësinë që duhet të ketë dija në jetën tonë, fatkeqësisht dhe neglizhimin të cilin e shohim anë e mbanë shoqërisë tonë ndaj dijes dhe procesit të nxënies së dijes.

Feja islame ka një qëndrim shumë të qartë dhe të prerë në lidhje me këtë temë. Dija është boshti i fesë Islame për dallim prej feve tjera. Feja islame fillon me ajetin e parë të shpallur: “lexo në emër të Zotit tënd që të ka krijuar”. (El-Alek: 1), dhe pa dyshim se kjo na flet shumë për rëndësinë që ka dije në njohjen e Allahut, Krijuesit tonë dhe njohjen e rrugës e cila na shpie te Allahu.

Andaj Allahu, Fuqiplotë na mëson që të fillojmë ta njohim madhërinë e Allahut e pastaj të fillojmë me veprimet konkrete, duke na thënë:

“Atëherë, dije se nuk ka zot tjetër pos All-llahut, kërko falje për mëkatin tënd, …”. (Muhamed: 19).

Allahu, i Lartmadhërishëm, e ka mësuar të Dërguarin e Tij, Muhammedin, sal-lall-llahu aljehi ve sel-lem, që të kërkojë nga Allahu dije, sepse kjo është begatia më e madhe që mund ta ketë një njeri në jetën e tij e ka thënë:

“…thuaj: “Zoti im, më shto dituri!”. (Taha: 114).

Fillon feja me dije, njihet Allahu me dije, i lutemi Allahut të na e shton dijen, dhe dija është rruga e vetme e cila na mundëson të arrijmë te Allahu, i Plotfuqishëm, andaj dija edhe i jep pushtet njeriut në dynja dhe grada të larta në jetën e amshueshme të ahiretit.

Për këtë shkak i themi rinisë tonë shqiptare le të mësojnë, le të studiojnë, le të stolisen me vlera morale dhe le të punojnë për të përhapur shkollimin, arsimimin dhe edukimin, sepse pozita më e lartë tek Allahu dhe në shoqëri fitohet me dije dhe mësim.

Shpesh u ndodh të rinjve të mashtrohen, e të ëndërrojnë të bëhen politikan, sepse do të kenë pushtet, famë madje edhe pasuri, mirëpo këshilla dhe porosia jonë është që ata të bëhen shkencëtarë dhe akademik, se pushteti i vërtetë është pushteti i dijes, është pushtet i realët, faktik dhe afatgjatë për dallim nga pushteti politik i cili është afatshkurta dhe përplot me turpe dhe degjenerime morale e kombëtare. Jeta jonë e përditshme është argumenti më i madh për atë që e themi.

U themi edhe veteranëve të arsimit, arsimdashësve, dashamirëve të librit dhe leximit, është e vërtetë se shoqëria nuk ia ka vlerësuar mundin, u kanë harruar, politika nuk merret me ju, sepse ka punë më të “mëdha”, mirëpo ju duhet të jeni të kënaqur sepse keni lozur rolin e të Dërguarve të Allahut, të cilët kanë qenë mësuesit e popujve të tyre dhe vazhdojnë të jenë me mësimet dhe sqarimet e tyre edhe këto ditë. I lumtë atij mësuesi i cili në mësimet e veta e ndihmon shoqërinë të pajiset me informata dhe dije akademike, por njëkohësisht edhe e pajis me moral dhe edukatë, e cila vjen si rezultat i besimit në Allahun, Fuqiplotë. Dija pa moral shndërrohet në bombë për shkatërrim masiv, kurse morali pa dije e shndërron shoqërinë në një shoqëri pasive. Andaj ne e thërrasim popullin tonë, të rinjtë dhe të rejat, pleqtë dhe plakat, burrat dhe gratë, të gjitha shtresat që të jepen pas dijes, të mësojnë, lexojnë dhe studiojnë, sepse kjo u jep kënaqësi të vërtetë në dynja e ahiret. Mos u mërzitni pse u afrua fillimi i vitit shkollor por gëzohuni dhe jini të kënaqur sepse dija është pushteti i vërtetë!

Bekir Halimi/islammk/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit