2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Dieta në mjekësinë e Profetit Muhamed (alejhi selam)

Më të lexuarat

“Gjëja së cilës i frikësohem më shumë për umetin tim është ngrënia e tepërt, gjumi i tepërt, dembelizmi dhe mungesa e besimit të thellë.” Hadith

“Ha pak, fli pak, fol pak. Kjo është rruga drejt jetës shpirtërore” – proverb

Kërkesa për një mjekësi ndryshe

Një herë pyeta një mikun tim amerikan i cili sapo ishte diplomuar si mjek se ku shkonte për t’u vizituar kur ishte sëmurë. Përgjigja ishte e habitshme, ai dhe disa kolegë të tij shkonin tek një mjek popullor. Kjo më kujtoi mjekun tim të familjes i cili nuk besonte tek mjekësia moderne dhe ilaçet industriale. Ai gjithmonë më thoshte: “Merre djalin në shtëpi dhe sigurohu që të ushqehet mirë”.

Preferenca për një mjek popullor mbi mjekun profesionist vinte si pasojë e pakënaqësisë së tij ndaj literaturës mjekësore që kishte mësuar gjatë viteve të studimit, siç mësova më vonë. Ai ndjehej sikur i kishin mësuar vetëm parime të cilat sipas mendimit të tij “bënin më shumë dëm se dobi”. Ai besonte se ishte trajnuar të “mjekonte simptomat duke përdorur kimikate” dhe që profesioni i tij nuk kishte të bënte fare me kujdesin ndaj personit. Ai më tha se sa herë që përfundonte turnin ndjehej sikur kishte mashtruar vetveten duke mos bërë atë që donte në të vërtetë.

Mendimi i këtij mjeku mund të duket jo normal dhe të shikohet si i prapambetur nga mjekët e tjerë, por pikëpamjet e tij ngrenë çështje interesante të rëndësishme për profesionistët dhe pacientët e interesuar.

Në vendet perëndimore ka një interes në rritje të mjekësisë alternative dhe lindore që përkon në shumë aspekte me mjekësinë islame, të quajtur ndryshe edhe El Tibb el Nebevi, mjekësia e Profetit (as.). Kjo mjekësi është e bazuar kryesisht mbi Hadithet Profetike por përfshin edhe traditat arabe, greke dhe indiane të mjekësisë që nuk janë në kundërshtim me parimet islame.

Himya, parandalimi me anë të dietës

Mjekësia moderne e praktikuar ka arritur në përfundimin se dieta luan një rol kyç për të pasur një trup të shëndetshëm dhe vëmendja e duhur kushtuar saj do të zvogëlojë mundësinë për sëmundje dhe trajtime mjekësore në të ardhmen. Rëndësia e dietës është një parim universal pothuajse në të gjitha kulturat dhe fetë botërore. Në çdo kohë dhe vend nga Evropa deri në Kinë mund të gjesh këshilla të shkruara ose jo mbi dietën. Profeti i Islamit, Muhamedi, paqja qoftë mbi të, vendosi themelet e një diete të shëndetshme të cilat çuan në zhvillime të mëdha në mjekësinë arabe dhe islame. Ai porosit: “Stomaku është depozita e organizmit dhe venat marrin ushqim nga ai. Nëse ai është i shëndetshëm, venat i dërgojnë organizmit ushqim të pastër, nëse ai është i sëmurë, venat i dërgojnë organizmit helme.”
Termi himya përdoret për të shprehur dietën dhe parandalimin me anë të saj. Harithi, “Doktori i Arabëve”, ka thënë: “Himya është burimi i çdo shërimi dhe stomaku është shtëpia e çdo sëmundjeje.” Për të bërë më të qartë se çfarë të kuptojmë me Himya do të kujtojmë ngjarjen kur Profeti dhe kushëriri i tij Aliu ishin të ftuar për të ngrënë në shtëpinë e Ummu el Mandari. Muhamedi, paqja qoftë mbi Të, filloi të hante dhe ndaloi duke i thënë Aliut: “Ti sapo e ke marrë veten nga një sëmundje.” Ai i dha atij pak elb dhe chard dhe i tha: “Kjo është më e mirë për ty.”

Himya ka tre funksione: 1) përdoret si kurë; 2) përdoret për të mbajtur shëndet të mirë; 3) përdoret së bashku me kura të tjera mjekësore për të ndihmuar shërimin

Dieta dhe ekuilibri

Kurat dietetike jepen në përputhje me llojin e disekuilibrit ushqimor. Disa ushqime janë konsideruar si “të  njoma” dhe disa të tjerë si “të thata”. Ata janë e kundërta e njëri tjetrit. Shembulli më i bukur dhe më i thjeshtë gjendet në këshillën e Profetit Muhamed: “Temperatura e lartë vjen nga zjarri, shuajeni atë me ujë.” Një shembull tjetër është fërkimi i lëkurës së thatë me vaj ulliri. Dikush mund të thotë se këto ide janë logjikë e zakonshme dhe jo parime të vërteta mjekësore. Sidoqoftë, duke nisur nga këto shembuj “të thjeshtë” u vunë bazat e mjekësisë Islame e cila u zhvillua më tej në mjekësinë moderne. Al-tibb el-Nabawi pati ndikim të madh mbi kirurgë dhe mjekë të tillë si Ibn Sina dhe al-Hazen. Duket se me përparimin e shpejtë të shkencës, u harruan këto baza të thjeshta të mjekësisë. Ndërsa sot gjendemi përsëri përballë me idenë “e vjetër” të një diete të ekuilibruar.

Dieta normalisht përshkruhet si përzierje e tre ushqimeve, proteina, yndyrna dhe sheqerna. Pjesët strukturore të qelizave njerëzore janë proteinat. Janë ato që i mbajnë qelizat në formën që kanë. Ato janë gjithashtu jetike për funksionimin e tyre. Çdo proteinë është e ndërtuar nga një zinxhir hallkash më të vogla që quhen aminoacide. Organizmi i njeriut ka nevojë për 20 aminoacide për të ndërtuar proteinat që i nevojiten. 14 nga këto mund të prodhohen vetë nga organizmi. Pjesa që mbetet duhet të merret me ushqimet. Akademia Amerikane e Shkencës rekomandon 0.8 gr proteina për kilogram peshë trupore. Koncepti i ekuilibrit është shumë i rëndësishëm. Deri kohët e fundit është pranuar nga të gjithë se mishi i kuq është një burim ideal për proteinat. Një studim britanik është interpretuar sikur dieta vegjetariane e përmirëson shëndetin e njeriut. Arsyeja për këtë është se me marrjen e sasive të mëdha të mishit, merret gjithashtu edhe një sasi e madhe yndyrë e dëmshme shtazore. Kjo ishte kuptuar mirë që nga koha e Sahabëve te Profetit. Ai u tha atyre: “Mbreti i ushqimeve për të gjithë njerëzit në këtë botë dhe në tjetrën është mishi.” (transmetuar nga Ibn Maxhe). Omeri gjithashtu i paralajmëroi: “Bëni kujdes me mishin sepse në të ka dëm ashtu siç ka dëm tek vera”. Një tjetër Sahab ka thënë: “Mos e bëni stomakun tuaj një varrezë për kafshët që hani.” Dieta e ekuilibruar është jetike. Proteinat e “gradës së dytë” të gjetura tek drithërat dhe legumet janë po aq efektive kur kombinohen me ato të gradës së parë të gjetura tek mishi. Sipas idesë së Ibn al Qayum, al – Tibb al-Nabawi edhe tashmë është gjerësisht e pranuar se mishi i kuq është jetik por bëhet më pak i dëmshëm nëse konsumohet i shoqëruar me perime.

Lloji i dytë i ushqimit janë yndyrnat. Ato përbëhen nga acide yndyrore që janë molekula të gjata karboni, hidrogjeni dhe oksigjeni. Nga djegia e tyre prodhohet dyfishi i energjisë së prodhuar nga proteinat apo sheqernat dhe gjithashtu janë mbartëse të vitaminave A, D, E dhe K. Yndyrnat janë jetike për rritjen dhe rigjenerimin dhe po ashtu për izolimin dhe ruajtjen e temperatureës trupore. Ato shërbejnë si mbështetje për organet e brendshme. Gjenden disa lloje yndyrnash. Ato ndryshojnë nga shkalla e ngopjes së tyre. Yndyrnat e ngopura prodhojnë sasi të larta kolesteroli në gjak. Kolesteroli është një molekulë komplekse e cila është thelbësore në ndërtimin e murit qelizor, vitaminës D, hormoneve, acideve të tëmthit dhe qelizave nervore. Mëlçia jonë e prodhon kolesterolin vetë dhe nuk ka nevojë ta marrë nga dieta. Prandaj, çdo sasi e marrë nga jasht me dietën është e tepërt dhe çon në prishje të ekuilibrit. Nivele të larta të kolesterolit janë shoqëruar me rrezik të lartë për sëmundje të zemrës. Një mënyrë e  thjeshtë për uljen e nivelit të kolesterolit është konsumimi i kufizuar i vezës, mishit dhe mëlçisë.

Sheqernat janë lloji i tretë i ushqimeve. Ato janë burim i rëndësishëm energjie, ndihmojnë në kontrollin e shpërbërjes së proteinave dhe mbrojnë nga toksinat. Sheqernat janë dy llojesh. Monosaharidet janë molekula të thjeshta sheqerore, për shembull glukoza. Polisaharidet janë molekula më komplekse dhe shpërbëhen në dy ose më shumë molekula të thjeshta, për shembull niseshteja. Ato gjenden tek frutat, perimet dhe drithërat. Polisaharidet kërkojnë më shumë kohë për tu tretur dhe janë të rëndësishme në rastet e urisë së zgjatur. Për shembull, elbi ka qenë një ingredient jetik në mjekësinë Arabe në kohën e Profetit Muhamed edhe si pjesë e rëndësishme e dietës së tij dhe të Sahabëve.

Tretja

Një shtyllë e al-Tibia al-Nabawi thotë që sëmundja ka lidhje me dietën dhe tretjen. I Dërguari ëi Allahut ka vënë theksin mbi pozicionin si duhet të ushqehemi. Ai vuri rëndësi mbi higjenën orale dhe aktivitetin fizik gjithashtu. Thënia e mësipërme e Profetit për stomakun ka kuptimin e të gjithë sistemit tretës. Ne jemi urdhëruar ta ruajmë trupin tonë. Të tregosh kujdes për dietën dhe tretjen ushqimore do të thotë të kujdesesh për trupin dhe mendjen.
Tretja fillon me gojën dhe dhëmbët. Ushqimi copëtohet në pjesë të vogla nga dhëmbët dhe lëngështohet nëpërmjet pështymës e cila ndihmon gëlltitjen. Ky proces kërkon disa minuta. Ky proces përmban rrezikun e kariesit të dhëmbëve nga ndërveprimi i baktereve të gojës me sheqernat e ushqimit. Për këtë nga tradita Profetike jemi të urdhëruar të përdorim miswakun pas ngrënies ose para marrjes së abdesit.  Përdorimi i miswakut pastron gojën, kënaq Allahun dhe mërzit shejtanin. Në al-Tibia al-Nabawi, higjena orale nuk ka vetëm rëndësi shëndetësore por është edhe një pjesë e adhurimit. Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi Të, ka thënë: “Namazi me miswak është më i mirë se 70 namaze pa të.”
Ushqimi më pas kalon në stomak përmes ezofagut. Kthimi i acidit të stomakut në ezofag gjatë këtij procesi mund të shkaktojë djegie. Sipas al-Tibb al-Nabawi, kjo mund të parandalohet duke u ulur në një pozicion të rehatshëm gjatë ngrënies. Profeti ka thënë: “Unë nuk ha kur jam shtrirë”, dhe “Unë ulem ashtu siç ulet një rob dhe ha ashtu siç ha një rob.” Ai ulej për të ngrënë në tokë ose në sofër mbështetur mbi këmbët e tij të mbledhura në shenjë respekti ndaj Allahut dhe atyre me të cilët hante.

Pasi ushqimi kalon stomakun shkon në duoden ku çlirohet tëmthi i prodhuar në mëlçi. Një nga problemet më të shpeshta këtu janë gurët e tëmthit. Kjo mund të parandalohet me një dietë me pak yndyrë shtazore.

Një mënyrë për të pastruar stomakun është agjërimi. Ai e lejon atë të “pushojë” duke i lënë kohë të rigjenerohet. Roli i agjërimit në Islam është i njohur tashmë. Detyra e çdo muslimani për të agjëruar një muaj në vit i jep atij përfitime trupore, mendore dhe shpirtërore. Gjithashtu, këshillohet që një musliman të agjërojë tre ditët e mesit të çdo muaji tjetër të vitit ose ditën e Hënë dhe të Enjte sipas traditës së Profetit Muhamed.
Ushqimi kalon rreth 4 orë në stomak, 4 orë e gjysmë në zorrën e hollë dhe duoden dhe në fund 12 orë në zorrën e  trashë. Në zorrën e trashë bëhet kryesisht përthithja e ujit dhe ajo që mbetet del jashtë me feçet.

Procesi përfundimtar që është eliminimi i mbeturinave është po aq i rëndësishëm. Profeti ka këshilluar të ulemi galiç për të shmangur kapsllëkun. Ai ka dhënë shumë porosi për të mbajtur pastër pjesët intime duke përdorur ujin për tu pastruar dhe për të mbajtur larg infeksionet. Kjo konsiderohet si pjesë e adhurimit dhe nëse nuk bëhet me kujdesin e duhur adhurimi nuk konsiderohet i plotësuar.

 Erion Sukaj (Drita Islame)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit