8.5 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

DIELLI I ALLAHUT SHKËLQEN MBI PERËNDEMIN – nga autorja gjermane Sigrid Hunke

Më të lexuarat

Bota e sotme nuk përbëhet më vetëm nga Evropa. Dhe historia e Evropës nuk përbën më në vetvete historinë e botës. Popuj të tjerë, që jetojnë në kontinente të tjera, janë shfaqur në skenën e aktualitetit botëror. Megjithatë, ndërkohë që në ditët tona tëra anët e botës luajnë një rol në skenarin e historisë universale, ne vazhdojmë të evokojmë të kaluarën në formën e një “harte bote” mesjetare, të përbërë ekskluzivisht nga një Evropë që rrethon Oqeanin, një Evropë, vatrat shpirtërore të së cilës – Roma dhe Greqia e lashtë – zënë në njëfarë mënyre vendin e Parajsës. Fakti që ekzistojnë edhe popuj e kontinente të tjerë, që kërkojnë vendin e merituar në historinë tonë perëndimore është diçka që s’e mohojmë dot në një epokë kur jemi nisur në pushtim të hapësirave.

Gjithashtu, duket se ka ardhur koha të flasim për një popull, që ka lënë gjurmë të thella në rrjedhën e ngjarjeve botërore, një popull, të cilit Perëndimi – dhe bashkë me të i gjithë njerëzimi – i detyrohet shumë. Përveç kësaj, në njëqind libra historie që do shfletonit, nuk do të gjenit më shumë se dy vende ku përmendet emri i tij. Sot, për nxënësin perëndimor, studimi i historisë së botës – asaj të letërsisë, artit dhe shkencave – fillon me një përshkrim sipërfaqësor të Egjiptit të lashtë dhe Babilonisë, për t’u ndalur më pas gjerësisht te Greqia dhe Roma e pas një kalimi të shkurtër mbi Bizantin, kapërcen te Mesjeta e krishterë, për të përfunduar më pas me historinë moderne. Evropa paramesjetare nuk përmendet thuajse fare, të paktën jo më shumë se ngjarjet jashtë-evropiane të kohës së Mesjetës. E kujt i intereson të dijë që në portat e vetë Evropës arabët kanë sjellë gjatë tre çerekë mijëvjeçari pishtarin e qytetërimit, që ata kanë njohur një periudhë shkëlqimi dy herë më të gjatë se ajo e grekëve dhe që, në të vërtetë, e kanë ndikuar Perëndimin në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe më të ndryshme se këta të fundit? Këtij populli i jepet njëfarë rëndësie vetëm duke e krahasuar me grekët: janë pikërisht këta, që i kanë “përcjellë” Perëndimit thesaret e Lashtësisë. Kjo frazë e thjeshtë, që pretendon t’u bëjë homazh shërbesave që arabët i kanë ofruar Perëndimit, në fakt veçse i zvogëlon, duke ua reduktuar rolin, duke i bërë të duken ndërmjetës të thjeshtë dhe duke lënë plotësisht në errësirë thelbin e rolit të tyre të vërtetë.

Nuk bëhet fjalë thjesht për të zgjeruar horizontin tonë historik, por, në një kohë kur kërkojmë tek armiku i djeshëm mikun e nesërm, të kapërcejmë pengesat e vjetra të ngritura nga feja, të shfaqim një tolerancë më të madhe dhe veçanërisht në çështjet e besimit, ta drejtojmë vëmendjen te qeniet njerëzore.

Do ishte vallë tepër herët të korrigjonim padrejtësinë që i kemi bërë një populli, të cilit, nga fanatizmi fetar, i kemi mohuar të drejtën për një vlerësim objektiv e të barabartë, të cilit ia kemi hedhur sistematikisht poshtë arritjet e mëdha, të cilit ia kemi maskuar apo fshehur kontributin thelbësor që ka dhënë në qytetërimin tonë? Natyra e marrëdhënieve mes Perëndimit dhe botës arabe, që prej shpalljes së Islamit deri në ditët tona, tregon në një mënyrë tipike se deri në ç’shkallë mund të ndikojnë ndjenjat e pasionet në mënyrën e shkrimit të historisë. Kjo ishte diçka e kuptueshme në kohën kur të gjitha ndikimet e tjera heterodokse konsideroheshin të padëshiruara sepse mbaheshin të rrezikshme. Por kjo pikëpamje, që padyshim vlente për Mesjetën, s’duhet të ketë më vend në ditët tona.

Mirëpo, është e sigurt që një lloj mospëlqimi me prejardhje fetare, shpesh i pandërgjegjshëm por i rrënjosur thellësisht brenda nesh, na kufizon horizontin e na armiqëson me disa njerëz, të cilëve propaganda u ka dhënë imazhin e personave të dhunshëm, idhujtarëve e magjistarëve. Kohët e fundit kundërshtitë e shkaktuara nga çështja e thjeshtë e origjinës së minnesang (Poemë gjermane e Mesjetës) ka mundur të na japë një ide rreth neverisë që ndjejmë gjithmonë ndaj pranimit të ekzistencës së trashëgimisë arabe, si dhe rreth pasioneve që kjo neveri është në gjendje të shkaktojë edhe sot, në shekullin XX.

Të pranojmë të paktën që një kontradiktë e tillë ka ndodhur sepse horizonti ynë fillon të zgjerohet ngadalë, ndërkohë që ideja e një gjykimi të drejtë i hap pak nga pak rrugën vetes.

Ndoshta, së shpejti, fati ynë do të varet ngushtë nga fati i botës arabe, e cila ia ka ndryshuar njëherë fytyrën botës. A nuk do të ishte pra koha që të pyesim veten, përtej atyre gjërave që na ndajnë, për gjërat që na bashkojnë dhe që i kemi të përbashkëta?

Në këtë libër do të flitet për “arabët” dhe qytetërimin “arab”, jo për qytetërimin “İslam”, sepse dihet që jo vetëm të krishterët, çifutët, persianët dhe sabejtë kanë kontribuar në këtë qytetërim, por një numër shumë i madh arritjesh të shkëlqyera të këtij të fundit janë kryer përkundrejt Islamit ortodoks. Në fakt, një numër shumë i madh elementesh që përbëjnë këtë gjeni të veçantë të këtij universi shpirtëror ekzistonin edhe më parë në karakterin e arabit të periudhës paraislamike.

Në librin që keni në dorë flitet për “arabin” dhe qytetërimin “arab”, pavarësisht nga fakti se anëtarët e këtij të fundit nuk kanë qenë të gjithë qytetarë të këtij kombi që Herodoti e ka përshkruar me emrin “Arabiua”, por kanë qenë edhe persë, indianë, sirianë, egjiptianë, berberë dhe vizigotë. Kjo për faktin se të gjithë popujt e pushtuar nga arabët ishin të bashkuar si nga një gjuhë e një fe – gjuha dhe feja arabe, ashtu edhe nga gjurma e thellë me të cilën i kishte vulosur gjeniu arab, nga vjen edhe uniteti i tyre kulturor, që shquhej për një harmoni të shkëlqyer.

Ky libër do të flasë, pra për qytetërimin arab në të njëjtën mënyrë siç flasim për qytetërimin amerikan. Prandaj, Raziun apo Ibn Sinën nuk do t’i quajmë “persianë” (të dy kanë lindur në familje persiane të ngulura prej brezash në vende arabe), ashtu siç nuk do të ishte me vend ta quanim “gjerman” ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Dwight Eisenhower.

Ky libër ka për qëllim t’i shlyejë botës arabe një borxh të vjetër, atë të njohjes. Dhe, në këtë aspekt, ai trajton një numër shumë të madh ndikimesh të drejtpërdrejta ose jo të qytetërimit arab – megjithëse është e pamundur të citohen të gjitha, çka nuk do të thotë se i detyrohemi gjithçka! Dhe as nuk do të thotë që kemi ndër mend të shpërfillim ose minimizojmë rëndësinë e madhe të ndikimeve greke e romake, kineze, indiane apo çifute. E nuk e kemi ndër mend as të mohojmë evolucionin dhe shkëlqimin e gjenisë së popujve gjermanikë e romanë, të cilët ditën të mbështeten në dijet e sjella nga të huajt për realizimin e vetvetes. Qilimi i qytetërimit është thurur nga shumë duar. Secila prej tyre ka kontribuar në punën e përbashkët dhe për këtë meriton mirënjohjen tonë.

 

 

DIELLI I ALLAHUT SHKËLQEN MBI PERËNDEMIN – Sigrid Hunke,

Trashëgimia jonë arabe. Shqipëroi nga frëngjishtja: Ornela Ademovi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit