Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, mori pjesë në panel-diskutimin me temën: “Roli i diasporës kosovare në zhvillimin ekonomik të Kosovës”,i organizuar nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës, në partneritet me Institutin për Hulumtime Zhvillimore-RIINVEST.
Në këtë diskutim u paraqit një punim i RIINVEST-it, ku thuhej se diaspora luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, me dërgimin e remitencave, por edhe me investime direkte të kapitalit.
Raporti i RIINVEST-it, po ashtu, tregoi se 70% e emigrantëve dërgojnë mjete financiare te familjet e tyre në Kosovë.
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, theksoi se efektet e mërgimtarëve nuk janë vetëm sjellja e kapitalit në Kosovë, por, sipas tij, e rëndësishme është edhe përvoja, standardet dhe metodologjia e punës në vendet ku jetojnë dhe veprojnë. Ai, gjithashtu, ka potencuar se investitorët e huaj njësi matëse e konsiderojnë investimin e mërgimtarëve në vendin e origjinës.
“Sipas disa përllogaritjeve, edhe pse nuk dua të keqinterpretohem, sepse nuk kemi statistika apo të dhëna zyrtare, por përafërsisht llogaritet se një e treta e popullit vazhdon të jetojë jashtë vendit. Ky numër përfshin kryesisht pjesën e re të të larguarve nga Kosova nga vitet e 60-ta e këndej. Shqyrtimi i raporteve dhe i analizave të ndryshme ndihmon që të gjenden modalitete për ta ndërtuar infrastrukturën më të përshtatshme ligjore për realizimin e objektivave në raport me diasporën”, tha ministri Makolli.
Ai, gjithashtu, informoi se tashmë ka filluar edhe krijimi i zyrave të veçanta në komunat e Kosovës, të cilat do të vihen në shërbim të mërgimtarëve. Njëkohësisht, ministri i MeD-së, Ibrahim Makolli, të pranishmit i informoi edhe për krijimin e një baze të të dhënave jo vetëm të bizneseve, por të të gjitha profileve të mërgatës, që do ta pasqyronte edhe potencialin e saj profesional. Ndërkaq,- siç u shpreh ai,- tashmë janë duke u shqyrtuar edhe modalitetet ligjore, në mënyrë që të mos ketë probleme në rekrutimin e nëpunësve civilë nga diaspora.
Brenda vitit, emigrantët tanë dërgojnë të holla në vlerë rreth 600 milionë euro, u tha në raportin e paraqitur nga Instituti RIINVEST. Këto dërgesa përbëjnë rreth 14% të GDP-së në Kosovë.
Drejtoresha e Institutit RIINVEST, Diellza Gashi, ka thënë se dërgesat nga jashtë përdoren kryesisht për konsum dhe vetëm 3% e vlerës së përgjithshme kanalizohet për investime.
“Gjysma e remitencave në para të gatshme janë përdorur për konsum, 18% janë përdorur për ndërtimin e shtëpive dhe për riparime, 17% për qëllime shëndetësore, 15% për arsim dhe vetëm një pjesë modeste prej 3% përdoret për investime. Do të thotë është një shumë, shumë e vogël, që është përdorur për investime, kryesisht për konsum”, tha Gashi.
Arsye kryesore pse emigrantët nuk planifikojnë të investojnë në vendin tonë, sipas punimit, u tha se janë mungesa e informacioneve nga institucionet rreth mundësive të investimit, korrupsioni, si dhe politikat e pafavorshme fiskale.
Ndërkohë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, pohoi se emigrantët tanë duhet të orientohen më shumë drejt investimeve.
Punimi njoftues është përpiluar me qëllim të nxitë debat ndërmjet institucioneve qeveritare dhe shoqërisë publike lidhur me rolin e diasporës dhe ndikimin në ekonominë e vendit tonë.
Sipas këtij punimi të RIINVEST-it, Kosova zë vendin e 15-të në listën e shteteve që marrin më së shumti remitenca (si përqindje e GDP-së).kohaislame