Një ditë, u ula t’i kërkoj falje Zotit për gjithë ato çaste dhe kohë nga jeta ime, të cilat i kam kaluar në gjëra të padobishme. I penduar nga kohët e humbura, ftova një nga ato çaste të kaluara kot.
Unë: ”Dua të kthehesh sërish tek unë, me qëllim që të të shfrytëzoj për vepra të mira”!
Çasti: ”Koha nuk qëndron kurrë neutrale”!
Unë: ”O çast, të lutem të kthehesh, me qëllim që të përfitoj diçka të mirë ose të kompensoj ndonjë të metë”.
Çasti: ”E si mund të kthehem, ndërkohë që jam i mbuluar nga kushedi sa faqe të mbushura me veprat e tua”?!
Unë: ”Bëj të pamundurën dhe kthehu! Ah sa çaste kam humbur kot nga jeta ime”!
Çasti: ”Nëse do të ishte në dorën time, do të isha kthyer. Ai, të cilit po i thërret, është i vdekur. Fletët e mbushura me veprat e tua janë palosur tashmë dhe janë dërguar tek i madhi Zot”.
Unë: ”A e ke të pamundur të kthehesh tek unë edhe pse po flet me mua”?!
Çasti: ”Të gjithë çastet e jetës, ose janë mike të ngushta të njeriut dhe do të dëshmojnë në favor të tij, ose janë armike të pamëshirshme, që do të dëshmojnë kundër njeriut Ditën e Kijametit. Në një rast të tillë, armiqtë e kanë të pamundur të bashkohen”.
Unë: ”Ah i mjeri unë për gjithë ato çaste të çuara dëm gjatë jetës! Të lutem kthehu, me qëllim që të veproj diçka të mirë dhe dobiprurëse! Por çasti heshti dhe nuk foli”.
Unë i thashë sërish:”O çast, a nuk më dëgjon?! Mu përgjigj të lutem”!
Çasti: ”O gafil ndaj vetes dhe vrasës i kohës tënde! Si nuk e kupton se në përpjekje për të kthyer një çast të humbur më parë, po humbet kushedi sa çaste të tjerë nga jeta jote?! A do të përpiqesh që t’i kthesh dhe këto çaste që po i humbet tani?! Ajo me të cilën të këshilloj të veprosh, është vetë thënia e Zotit të Madhëruar, që thotë: ”Veprat e mira i fshijnë ato të këqiat..”
Nxito o filan.. përpiqu, vepro vepra të mira, kije frikë Zotin kudo që të ndodhesh, pasoje të keqen me të mirë, që e mira t’a fshijë të keqen dhe trajtoji njerëzit me edukatë dhe moral të lartë”!
Marrë nga libri me titull “Dialogje besimi” i autorit “Xhasim El-Mutava”.