0.9 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Diabetikët në Ramazan

Më të lexuarat

Çdo vit agjërojnë rreth 8 milion të goditur me diabet. Tek ata ekziston gatishmëria për të stabilizuar nivelin e sheqerit në gjak, gjithashtu për të rregulluar dozat e ilaçeve para fillimit të muajit të Ramazanit nën mbikëqyrjen e mjekut.

Studimet kanë treguar se niveli i gjakut tek të sëmurët me diabet ka një ulje të lehtë në ditët e para të Ramazanit, pastaj kthehet në nivelin e tij në ditën e njëzet ndërsa ka një ngritje të lehtë në fund të muajit.

Ndërsa niveli i tij mund të lëkundet varësisht nga ushqimi i të sëmurit dhe mekanizmi i fizikut të tij.

Ekzistojnë shkallë, lloje dhe tipa të ndryshme të diabetit. Disa të sëmurë mund të kontrollojnë sëmundjen dhe sheqerin përmes dietës dhe ndjekjes së sistemit ushqyes të shëndoshë dhe të përshtatshëm. Disa kanë nevojë për ilaçe përmes tabletave dhe pilulave ndërsa të tjerëve nuk u rregullohet gjaku vetëm se me marrjen e insulinës. Gjithashtu në kuadër të kësaj ndarje ekzistojnë shkallë dhe gjendje të ndryshme dhe në të gjitha gjendjet duhet të merret insulinë në formë të rregullt dhe të përpiktë dhe me mbikëqyrjen e mjekut.

Në përgjithësi mund të themi se atyre që u shfaqet sëmundja e sheqerit në fëmijëri, atyre nuk mund t’u tolerohet agjërimi në asnjë situatë, për faktin se niveli i sheqerit në gjakun e tyre është i paqëndrueshëm, kësisoj befasisht mund të ngrihet apo edhe të pësojë rënie dhe këto çështje mund të rrezikojnë jetën e të sëmurit.

Ndërsa atyre që u shfaqet sëmundja në dekadën e tretë  të jetës dhe më pas, ata janë disa kategori varësisht nga niveli i sheqerit tek ata.

1.   Kategoria e parë: Përfshin të sëmurët të cilët gjendja e tyre mund të kontrollojë sëmundjen e sheqerit vetëm përmes rregullimit të ushqimit, pa pasur nevojë për marrjen e asnjë lloj medikamenti.

2.    Kategoria e dytë: Përfshin të sëmurët të cilët krahas rregullimit të ushqimit të tyre kanë nevojë edhe për marrjen e tabletave që merren përmes gojës një herë çdo ditë në mëngjes për uljen e nivelit të sheqerit në gjak.

3.      Kategoria e tretë: Përfshin të sëmurët, të cilët krahas rregullimit të ushqimit të tyre, kanë nevojë për marrjen e tabletave dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje.

Kategoria e katërt: Përfshin të sëmurët, të cilët krahas rregullimit të ushqimit të tyre kanë nevojë për injektimin e insulinës një herë në ditë, në mëngjes.

Kategoria e pestë: Përfshin të sëmurët, të cilët krahas rregullimit të ushqimit të tyre kanë nevojë për injektimin e insulinës dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje.

Varësisht kategorisë së cilës i përket i sëmuri, pozicioni ndryshon në Ramazan. Kategoria e parë agjëron me një lehtësi, madje më tepër se kaq, agjërimi mund t’u bëjë dobi me lejen e Allahut, nëse ndjekin në vijim:

1.      Kujdesi për llojin dhe sasinë e ushqimit të përshkruar nga mjeku në mënyrë të përpiktë.

2.      Ndarja e ushqimit proporcionalisht ndërmjet dy racioneve, iftarit dhe syfyrit.

3.      Vonimi i syfyrit aq sa është e mundur.

4.      Vazhdimi i ushtrimit të aktivitetit ditor të zakonshëm me një pushim pas dite.

Kategoria e dytë mund të agjërojnë nëse niveli i sheqerit të tyre është stabil dhe nuk lëkundet, me kusht ndjekjen e këshillave që i përmendëm për të sëmurët e kategorisë së parë, duke shtuar edhe domosdoshmërinë e marrjes së dozës së ilaçit para namazit (të akshamit) bashkë me disa hurma, pastaj fal namazin e më pas han iftar. Të tillët, zakonisht, marrin tableta që ulin sheqerin me ndikim afatgjatë, ndërsa vendimi për ndryshimin e ilaçit apo dozës mbetet në dorën e mjekut.

Sa i përket kategorisë së tretë të sëmurëve mund të agjërojnë nëse niveli i sheqerit të tyre është stabil dhe nuk lëkundet, me kusht ndjekjen e këshillave që i përmendëm për të sëmurët e kategorisë së parë dhe të dytë, duke shtuar edhe domosdoshmërinë e marrjes së dozës së pilulës së mëngjesit një çerek ore para ushqimit ndërsa gjysmë dozën e mbrëmjes e merr një çerek ore para syfyrit.

Rregulli i përgjithshëm gjithmonë është domosdoshmëria e prishjes së agjërimit në rast se ndihet ulja e sheqerit për dy kategori të mëparshme.

Ndërsa sa i përket kategorisë së katërt dhe të pestë, nuk këshillohet agjërimi i tyre në përgjithësi dhe ata kanë justifikim fetar, me lejen e Allahut.

Ushqimi i të sëmurëve me diabet në Ramazan;

Është e vështirë vënia e një sistemi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës të ushqimit që i përshtatet të gjithëve. Mjeku është ai që vendos dietën ideale, mirëpo në përgjithësi mund të përmendim ndarjen e ushqimeve për dobi të përgjithshme:

1-      Lloje që duhet shmangur plotësisht: mjalti, sheqeri, lëngjet dhe pijet e sheqerosura, pemët e konservuara, ëmbëlsirat, akulloret, karamelja, çokollata, biskota të ëmbla e të ngjashme me këto.

2-      Lloje që mund të konsumohen por me sasi të caktuar:

a). Pemët: një mollë, portokall, pjeshkë apo një banane e vogël, kajsia, 10-15 kokrra rrush, një copë bostan apo pjepër …

b). Perimet: 8 copa patate të pjekura, 4 copë patate të skuqura, një copë patate e zier dhe e gatuar, dy lugë bizele, dy lugë spinaq, një lugë fasule…

c). Drithërat: Një lug oriz apo makarona, një copë prej bukës të vogël apo gjysmë cope nga një bukë e madhe…

Agjëruesi mund të zgjedhë 12 lloje çdo ditë nga ajo që u përmend, në mënyrë që 6 lloje të konsumojë në iftar dhe 6 në syfyr, ndërsa nëse dyfishon sasinë nga ndonjë lloj, atëherë zvogëlon numrin dhe sasinë e llojeve varësisht nga përqindja e shtimit.

3. Lloje ushqime që mund t’i konsumojë lirshëm, por me një kontroll sipas gjendjes së trupit, peshës së tij, shijes dhe dietës së përshkruar nga ana e mjekut; mishi pa dhjam, peshqit, vezë, djathë, çorbë e supë të lehtë, tranguj, karota, lulelakër, qep, marule, patëllxhan e të ngjashme me këto. Pastaj lëng limoni, piper, salcë për sallat, çaj, kafe etj.

Diabetiku dhe sporti;

Studiuesit thonë se nuk ka pengesë në ushtrimin e ndonjë sporti fizik të lehtë dhe të përshtatshëm gjatë muajit të Ramazanit, për ata diabetikë që agjërojnë dhe që nuk marrin insulinë.

Simptomat dhe shenjat e uljes së nivelit të sheqerit; djersitja, dridhja, rrahje të shpejta të zemrës, plogështi e përgjithshme në trup, frika, ndjenja e urisë së madhe, marramendja, dhimbje koke, mos përqendrim. Këto simptoma paralajmëruese mund edhe të mos shfaqen  tek disa të sëmurë me diabet, e veçanërisht tek të shtyrët në moshë.

Ndërsa simptomat dhe shenjat e ngritjes së nivelit të sheqerit në gjak janë: ndjenja e etjes së madhe, urinimi i shpeshtë, të vjellët, vështirësi gjatë frymëmarrjes…

Këshilla tjera:

Një shujtë e lehtë ndërmjet iftarit dhe syfyrit është shumë e rëndësishme në gjetjen e ekuilibrit ushqimor dhe kontrollit të nivelit të sheqerit në gjak gjatë periudhës së iftarit dhe pas marrjes së ilaçeve. Gjithashtu duhet të vëmë theksin në ditët e bajramit në domosdoshmërinë e mos ndodhjes së ndryshimit të befasishëm në sistemin e ushqimit gjatë bajramit, marrë parasysh se ushqimet e bajramit janë të yndyrshme dhe të pasura me sheqerna në masë të madhe, prandaj patjetër duhet të kihet në konsideratë kjo me qëllim parandalimi të ndonjë problemi, me lejen e Allahut.

Të sëmurët me diabet të cilët vuajnë edhe nga sëmundjet tjera;

Dihet fakti se një numër i konsiderueshëm i të sëmurëve me diabet lëngojnë edhe nga sëmundje tjera si: ngritja e shtypjes së gjakut, arterioskleroza, çrregullimet në tretjen e ushqimit dhe të gjitha këto duhen marrë parasysh gjatë miratimit dietës ushqimore. Të sëmurët me shtypje të lartë të gjakut i dëmton kripa, të sëmurët nga arterioskleroza nuk u këshillohen yndyrat, të sëmurëve që vuajnë nga cerma (ngërçi) u mungojnë proteinat, të sëmurëve që vuajnë nga yndyrat e larta të gjakut kanë dietë ushqimore të veçantë, gjithashtu të sëmurët nga veshkat. Vendimi i mbetet mjekut që e trajton të sëmurin, i cili vendos gjithashtu edhe për ilaçet e duhura, dozat dhe mënyrës së përdorimit të tyre gjatë muajit të Ramazanit.

Dr. Abdulmutalib bin Ahmed es Sih

Dr. Izzudin Mahmud

Përktheu: Almedin Ejupi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit