-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Diabeti te fëmijët, Hoxha:225 % raste më shumë se në ‘03

Më të lexuarat

Fëmijët të prekur nga diabeti gjatë këtyre viteve të fundit kanë pasur një rritje të ndjeshme për shkak të një sërë faktorëve të cilët vijnë nga ata gjenetikë deri tek mjedisorë, ushqimit apo edhe mungesës së aktivitetit fizik. Mjekët endokrinologë shpjegojnë se gjatë këtyre 10 viteve të fundit numri i fëmijëve të prekur nga diabeti tip 1 është 225 % më i lartë, ndërsa kërkojnë nga prindërit të jenë më të vëmendshëm ndaj “sinjaleve” të para të sëmundjes.

Për Dr. Petrit Hoxha ndjekja e një fëmije i cili shkon në spital me vlera të larta të diabetit është shumë e vështirë në krahasim me një fëmijë ku sëmundja i kapet në stadet e para. Po kështu e rëndësishme për të është edhe faza e mjekimit ku për këta të vegjël duhen të rimbursohen materialet matëse të glicemisë.
Doktor, nga viti në vit vihet re një shtim i rasteve të fëmijëve të cilët kanë probleme me diabetin, si renditemi ne në krahasim me vendet e tjera? Sa raste kemi?
Diabeti i tipit I është një sëmundje e cila karakterizohet nga mungesa e prodhimit të insulinës, për arsye të dëmtimit që i behet qelizave të pankreasit të cilat janë prodhuese të insulinës. Në këtë rast tek fëmijët, insulina pakësohet deri në nivelin zero. Sa i takon rasteve mund të themi se në botë sëmuren me diabet rreth 200 fëmijë në ditë, ose rreth 65 mijë fëmijë nën 15 vjeç rezultojnë të prekur çdo vit. Ajo që vlen për tu theksuar është se sëmundja sa vjen edhe po shtohet në grupmoshën 0 deri 5 vjeç, ndërsa për grupet e tjera të fëmijëve rezulton një rritje me 3 për qind në vit.

Në tërësi në Evropë fëmijët deri në 5 vjeç e dyfishojnë numrin e të prekurve, kurse fëmijët më të mëdhenj deri në 15 vjeç e shtojnë numrin e tyre me një përqindje deri ën 70 %. Ne themi se deri në vitin 2020 fëmijët deri në 5 vjeç do ta dyfishojnë numrin, kurse në total për të gjithë fëmijët parashikohet një rritje vjetore me 8 për qind. Në QSUT për dhjetë vitet e fundit, që përkojnë nga 2003 deri në fund të vitit 2013, shtimi i rasteve të reja me diabet tip 1 në fëmijë është me 225 %. Për fëmijët 0 deri në 5 vjeç shtimi është me 9 raste, kurse për fëmijët deri në 14 vjeç shtimi është deri në 280 %.

Cilat janë arsyet që kanë sjellë këtë shtim të pacientëve të rinj?

Rol kryesor që ndikon në shtimin e rasteve të diabetit tip 1 tek fëmijët janë një sërë faktorësh duke nisur nga ata të mjedisit, ushqyerja, ambienti ku jetojmë, nga ndikime herë të njohura dhe herë ta panjohura, por sikurse dihet në mënyrë autoimune një mekanizëm që njihet është edhe organizmi. Pra nis krijimi i antitrupave kundër pankreasit, kundër insulinës të cilat dëmtojnë ishujt e pankreasit të cilat janë edhe prodhuesit kryesore të insulinës duke sjellë mos prodhim të saj. Trupi duke mos pasur insulinë nuk kryhen një sërë funksionesh metabolike siç duhet. Kështu, nëse në qelizë nuk hyn “karburanti”, atëherë qeliza nuk funksionon duke çuar deri në rastet e komës diabetike. Po kështu probleme të tjera anësore që jep diabeti sjell edhe probleme të veshkave, shikimit apo me një sërë problemesh madhore.

Kur mund të dyshojë prindi se fëmija i tij ka probleme përpara se situata të shkojë në gjendje alarmante?

Prindit por edhe mjekut sëmundja i jep disa javë kohë, pasi fëmija fillon të humbasë peshë, fillon të urinojë më shpesh aq sa urinimi vihet në dukje gjatë natës gjë që nuk e ka pasur më parë. Gjendja avancon edhe më shumë kur fëmijët nuk e ndiejnë që po urinojnë gjatë natës, gradualisht për të kompensuar gjithë këtë humbje të ujit ata fillojnë të pinë më shumë ujë gjatë ditës por edhe natës. Nëpërmjet humbjes së lëndëve nga veshkat, nëpërmjet urinës, fillon të humbasë edhe lëndë të tjera duke shkaktuar edhe komprometim të oreksit dhe një katastrofë që i ndodh organizmit të fëmijës janë të vjellat.

Kjo është pika më kritike e jetës së një fëmije, dhe ne në këtë situatë mundohemi të eliminojmë të gjitha këto probleme për ta sjellë fëmijën në normalitet. Pra, koha për të vendosur diagnozën është e mjaftueshme. Çdo mjek që shikon këto simptoma ekzaminim e parë që duhet të bëjë është përcaktimin e sheqerit në gjak edhe në urinë. Mjafton kjo që të na japë një shifër të sheqerit të lartë në mënyrë që të veprohet menjëherë me mjekim, me insulinë.

Po për diabetin tip II çfarë mund të themi, cilat janë shkaqet e tij?

Diabeti tip II ka një tjetër rrethanë, aty nuk kemi mungesë të prodhimit të insulinës. Nëse tek një fëmijë me një dietë te ekuilibruar, me një shëndet të mirë, me një aktivitet fizik normal, për metabolizmin e lëndëve ushqimore të përditshme kërkohet një prodhim insuline në sasinë X, me kalimin e kohës shtimi i kalorive ditore, marrja e tyre në sasi më të larta në tërësi kërkon një prodhim insuline më të shtuar.

Sa më tepër ka filluar të shfaqet mbipesha, dhjamosja apo obeziteti aq më shumëfish shfaqet prodhimi i insulinës. Shtimi i saj për ne është një shenjë shumë e keqe pasi kemi të bëjmë me një rezistencë të organizmit ndaj insulinës. Në qoftë se deri dje organizmi e pranonte insulinën 1 njësi, me shtimin e peshës krijohet rezistenca ndaj insulinës e cila është baza e krijimit të diabetit tip II te fëmijët. Ky lloj diabeti po shtohet nga dita në ditë, nga muaji në muaj dhe ajo që shohim është se mbipesha në moshat fëmijnore ka shkuar mbi 20 %. Kjo tregon se kjo është kategoria më e rriskuar.

Cilat do të jenë këshillat për prindërit?

Unë mbetem skeptik, pasi konceptet për ushqyerjen nuk më duken të sakta. Tendenca e familjarëve është të ushqejnë fëmijët e tyre sa më shumë pasi vendosin një shenjë barazimi midis shëndetit që është një mirëqenie organike, me shëndoshjen apo dhjamosjen e cila është një dhjamosje që prodhon sëmundje të tjera. Ne pretendojmë që fëmijëët të marrin një dietë të caktuar ku fëmijët të marrin një dietë të caktuar sipas moshës, ndërsa nuk duhet të harrojmë aktivitetin fizik. Një fëmijë që shkon në kopsht me makinë, një fëmijë që shkon në kopsht me makinë, që mbyllet brenda të bëjë të detyrat dhe të shohë TV, që një herë në javë nxirret në një qendër tregtare domosdo do të sjellë shëndoshje të tij, por edhe ndryshime psikologjike.

Sa i përket mjekimit dhe ndjekjes së këtyre fëmijëve me probleme të diabet çfarë duhet bërë? A ka nevojë për ndërhyrje të reja?
Këta fëmijë e kanë shumë të domosdoshme matjen e sheqerit deri në katër apo pesë herë në ditë, si dhe të kryejnë insulinën katër herë në ditë. Por për të verifikuar efektin e mjekimit nuk është thjesht çështje e sakrificës së blerjes së mjeteve nga familja, por i rëndësishëm është impakti që jep ky mjekim ky kontroll mbi shëndetin e fëmijës. Nëse kemi arritur që të krijojmë një nivel normal sheqeri tek një fëmijë, ne kemi arritur çdo gjë. Nëse nuk i kemi këto mjete atëherë nisin çekuilibrimet e sheqerit dhe ndërlikimet nuk harrojnë të vijnë tek ky fëmijë. Ndaj ajo që propozojmë ne është sigurimi i rimbursimt të mjeteve të cilat masin sheqerin. Nëse realizohet kjo atëherë, ndjekja dhe kurimi i sëmundjes tek fëmijët do të behet më i lehtë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit