0.9 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Dhunuesit serbë në pranga

Më të lexuarat

Një polic i Kosovës nga komuniteti serb, bashkë me një serb, tjetër janë arrestuar nga EULEX nën dyshimet se kanë kryer krime lufte gjatë prillit të vitit 1999 në Kosovë. Njëri është nga fshati Babimoc e tjetri nga fshati Prilluzhë. Në shtëpinë e policit është konfiskuar edhe një kallashnikov.

Trembëdhjetë vjet pas lufte, policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës kanë arrestuar dy serbë në dy fshatra të ndryshëm.

Të dy serbët e arrestuar janë mbi moshën 60 vjeçare, përderisa njëri është pjesëtar i Policisë së Kosovës. Të dy dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe dhunime në prill të vitit 1999

Gazeta Express ka arritur t’i sigurojë dy emrat e serbëve të arrestuar. Ai që është arrestuar në fshatin Babimoc quhet Gjorgje Bojkovic, i lindur më 1940.

E pjesëtari i Policisë së Kosovës gjithashtu i arrestuar nga EULEX është Jovica Dejanovic, rreth 60 vjeçar.

Sipas burimeve të gazetës, gjatë kohës së bastisjes në shtëpinë e këtij pjesëtari të policisë, njësitet speciale të EULEX e Policisë së Kosovës kanë konfiskuar një kallashnikov.

“Jovica Dejanovic në dy vitet e fundit ka shërbyer si pjesëtar i Policisë së Kosovës në stacionin policor në Vushtrri. Ndaj tij në këto dy vitet sa ka punuar këtu nuk ka pasur asnjë ankesë”, ka rrëfyer një burim i gazetës.

Sipas këtij burimi, Dejanovic ka disa vjet që është i punësuar në radhët e Policisë së Kosovës.

Zyrtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovës kanë konfirmuar rastin, duke thënë se në orët e hershme të mëngjesit të së enjten kanë arrestuar dy persona për krime lufte dhe dhunim.

“Gjatë një aksioni të përbashkët të Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës janë arrestuar dy persona lidhur me një rast të krimeve të luftës. Dy të dyshuarit janë duke u hetuar mbi supozimet se kanë kryer krime lufte të dhunimit në prill 1999 në Kosovë”, thonë zyrtarë të EULEX-it.

“Operacioni i përbashkët, i kryer nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës (NJHKL) e Policisë së EULEX-it dhe Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës e Policisë së Kosovës (NJHKLPK), është realizuar në Baimoc (Babin Most) dhe Vushtrri. Mbështetjen operative e kanë ofruar Njësia Speciale e Policisë së Kosovës dhe Njësia Forenzike e Policisë së Kosovës”, bën të ditur EULEX nëpërmjet një komunikate.

Të dyshuarit u arrestuan me urdhër të gjykatës, ndërsa është bërë edhe bastisja e shtëpive. Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).

Sipas avokatit të të arrestuarit Gjorgje Bojkovic, klienti i tij është një pensionist dhe se dyshimet me të cilat ai është arrestuar nuk qëndrojnë.

Avokati nga Veriu i Mitrovicës Miodrag Berklac ka thënë se rreth orës 5 të mëngjesit forca të mëdha të policisë kanë rrethuar shtëpinë e Bojkovicit.

“ Policia e ka arrestuar atë. Në shtëpi mund të shihet rrëmujë e krijuar gjatë bastisjes. Me sa di unë ata kanë konfiskuar një telefon dhe gjësende tjera për të cilat nuk di””, ka thënë Berklac, përderisa kishte shkuar në shtëpinë e të arrestuarit për konsultim me gruan e Bojkovicit.

“ Ai ka punuar në minierën e Kishnicës dhe nga mosha 55 vjeçare gjendet në pension. Ai kurrë nuk ka qenë pjesëmarrës i ndonjë lufte, madje posedon disa dokumente të Sllovenisë që ai nuk ka kryer edhe ushtrinë për shkak se ka qenë i paaftë”, thotë avokati, shkruan Express.
Ai ka thënë se gjatë kohës së luftës klienti i tij kishte jetuar në Prishtinë.

“ Prej përfundimit të luftës ai është kthyer për të jetuar në shtëpinë e tij këtu në Babi Moc. Këtë shtëpi e ka me dhjetëra vite”, rrëfen ai.

Berklac ka thënë se Gjorgje Bojkovic ka jetuar vetëm me gruan e tij, përderisa tri vajzat që ka nga martesa janë të martuara dhe nuk jetojnë në Kosovë.

“ Ai nuk ka asnjë djalë. Jeton pos me gruan e tij”, sqaron ai.

Përderisa ky serb po mbahet në policinë për 48 orë, avokati thotë se do të vizitojë atë dhe pret që gjykata ta liroj atë.

“Jam i bindur se ai do të lirohet për shkak se vepra me të cilën akuzohet nuk qëndron”, tha ai. /Tg/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit