8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Dhuna në familja si shkak i kujt ndodh?

Më të lexuarat

Pyetja:

Cilët shkaktarë po ndikojnë në shtimin e rasteve të dhunës në familje?

***

Përgjigja:

Dhuna në familje një fenomen negativ i dukshëm i shoqërisë së sotme dhe familjes moderne.

Fakti që në shoqërinë tonë ndodh dhe është shtuar së tepërmi një fenomen i tillë është tregues, se shoqëria shqiptare lëngon dhe vuan nga shumë drejtime, të cilat nganjëherë njerëzit më të dobët  i çon drejt dhunës në përgjithësi, drejt vrasjes apo edhe vetëvrasjes.

Nëse do të shikojmë më në thelb do të vërejmë se motivet e dhunës janë xhelozia, tradhtia, vjedhja, imoraliteti, stresi, varfëria e tejskajshme etj. Në studiot televizive diskutohet gjerë e gjatë rreth këtyre fenomeneve me pasion nganjëherë flitet edhe me keqardhje, por e gjithë vëmendja përqendrohet tek politika dhe forca politike në pushtet, se nuk ka bërë sa duhet për të ndalur këtë fenomen. Shpeshherë i vihet faji edhe policisë së shtetit, që në fakt nuk janë  edhe pa faj. Mirëpo ne si shoqëri kemi nevojë për një pakt social, dhe modelet e duhura ku duhet të mbështetemi.

Modelet të cilat po na serviren për të zgjidhur këtë problem janë ligjet e Perëndimit, ku  garantohen të drejtat dhe të sigurojnë jetën. Në fakt nuk janë simptomat e sëmundjes  ato  që duhet të na bëjnë neve përcaktimin e diagnozës, por shkaqet që i shkaktojnë këto simptoma, pra  duhet ta thellojmë analizën tonë, se pse ndodhin këto fenomene në shoqërinë tonë, e cila më parë, edhe  pse jo në këtë stad zhvillimi arsimor e teknologjik, nuk i ka pasur këto fenomene, e jo më me këto shifra të frikshme të krimit brenda familjes, apo edhe dhunës ndaj femrës. Ndërkaq ne nga Perëndimi kemi huazuar vetëm modelet e hidhura dhe jo ato të punës me korrektësi, e për një jetë të qetë familjare.

Ne si popull në origjine kemi një kulturë lindore islame dhe si të tillë në vitet para-komuniste, dhe si pasojë edukata fetare ka qenë ajo mbizotëruesja në masen e popullit çka e bënte më të lehtë jetën me rregullat fetare, të cilat kishin në thelb të drejtën, dhe mbrojtjen e njeriut, mbase jo me garantuesin shtet, por nëpërmjet zakoneve dhe  parimeve fetare dominuese.

Është  e vërtetë se nuk ka pasur krime të shumta, e as dhunë brenda familjes sa sot, ku ne mendojmë  se jemi më mirë se sa para 60 vjetësh. Në fakt është feja Islame ajo e cila  garanton me forcën e parimeve të saj dhe ligjeve të saj mbrojtjen dhe  sigurimin e jetës, pasurisë, dhe nderit të njerëzve, sepse këto janë prej pesë qëllimeve të shenjta për të cilat  ka ardhur feja Islame.

Largimi nga besimi dhe parimet e tij hyjnore bën që njeriu ta humbë rrugën e drejtë, atë  rrugë të ndriçuar nga Krijuesi i Tij thotë Allahu në Kuran:

Atë që e udhëzon Allahu, ai vërtet është udhëzuar, e atë që e humb, ti nuk do të gjesh për të ndihmës që do ta udhëzonte.” Kehf: 17

Në një vend të panjohur dhe mbushur plot rreziqe çdokush nga ne ka nevojë për udhëzues, që të gjejë rrugën e duhur, e cila nuk ka rreziqe dhe vështirësi.

Kjo botë në të cilën jetojmë i ngjan pak a shumë shembullit  të lartpërmendur, nëse nuk do të kemi besim tek Allahu i Madhëruar dhe në Kuranin Famëlartë ligjet e të cilit  rregullojnë dhe garantojnë një jetë më të qetë dhe të lumtur në këtë botë, si dhe shpëtim në atë  tjetrën.

Për të gjitha fenomenet dhe shkaqet që na çojnë deri në këtë pikë ka folur dhe i ka trajtuar  Allahu i Madheruar në Kuran, dhe nëse nuk do t’i bindemi Atij, dhe nuk do t’i zbatojmë  këto parime, atëherë nuk do të jemi të mbrojtur dhe të garantuar, sepse  kemi marrë  një  rrugë,  e cila nuk e dimë  se ku do të na shpjerë në fund. Fundi është stres, sëmundje, dhunë, vrasje, vetëvrasje, grabitje, përdhunime etj., Allahu i Madhëruar  thotë: “E kush largohet nga përkujtimi ai do të jetojë një jetë të vështirë e në Diten e Gjykimit  do ta ringjallim të verbër, do të thotë: Zoti im përse më ringjalle të verbër, kur unë kam qenë  me shikim? I thotë: Ashtu siç ti i harrove argumentet tona, po ashtu sot ne do të harrojmë ty”. Ta Ha: 124

Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit