Kohëve të fundit dukuria e dhunës familjare është përhapur me të madhe. Me dhunë familjare nënkuptohet dhuna që përfshin raportet e ndërsjella të bashkëshortëve, sjelljen e prindërve me fëmijët dhe anasjelltas; sjellja e vëllezërve në mes tyre, pastaj sjellja e anëtarëve të familjes me fqinjët, me të afërmit dhe në jetën e përditshme në përgjithësi. Këto janë format në të cilat ushtrohet dhuna. Shumica e njerëzve pyesin rreth dispozitës së Islamit kundrejt kësaj dhune nga një aspekt, rreth shkaqeve të kësaj dukurie, mënyrën se si të trajtohet si dhe gjurmët shkatërruese të kësaj nga aspekti tjetër.
I. Qëndrimi islam ndaj dhunës familjare
Sa i përket qëndrimit të Islamit ndaj këtij fenomeni, ai e konsideron mëkat me të gjitha vlerësimet, qoftë në nivel individual ose kolektiv. Në nivel individual, Islami urdhëron dhe nxit për butësi. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë: “Vërtet Allahu e do butësinë në çdo gjë.”1
Gjithashtu thotë: “Nuk ka vend ku futet butësia vetëm se e zbukuron atë dhe nuk ka vend që largohet vetëm se e shëmton atë.” 2
I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, na ka urdhëruar t’i ruajmë lidhjet familjare. Pejgamberi alejhi selam i drejtohet bashkëshortit duke i thënë: “Më i miri ndër jush është ai që është më i mirë për gratë dhe vajzat e tij.”3
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, e përshkruan të Dërguarin e Allahut me këto fjalë: “I shërbente familjes së tij.” 4
Pra, e ndihmonte bashkëshorten në punët e saj, në mënyrë që t’i mësonte pjesëtarët e umetit të tij se si të sillen brenda familjes. Enes bin Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, rrëfen: “I kam shërbyer të Dërguarit dhjetë vjet. Pasha Allahun, asnjëherë nuk më ka thënë uf, e as nuk më ka thënë për ndonjë punë përse e bëre kështu ose pse bëre kështu?” 5
Ndërsa bashkëshorten e urdhëroi që raportin me bashkëshortin ta ndërtojë në baza të shëndosha fetare. Shpërblimin ta llogaritë tek Allahu Fuqiplotë dhe vetëm Ai ta shpërblejë në këtë dhe botën tjetër për durimin që tregon. Thotë Allahu Fuqiplotë: “Gra të mira janë ato të dëgjueshmet, që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu.”6
Prindërit i udhëzon duke u thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk i mëshiron të vegjlit tanë.”7
Ndërsa fëmijët i udhëzon duke i porositur se bamirësia dhe respekti ndaj prindërve vjen menjëherë pas respektit dhe bindjes ndaj Allahut të Madhërishëm: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit…”8
Të gjithë i urdhëron që të sillen mirë me fqinjët: “Pasha Allahun nuk ka besuar, pasha Allahun nuk ka besuar, pasha Allahun nuk ka besuar.” I thanë: “Kush o i Dërguar i Allahut?” Ai tha: “Ai që fqinji i tij nuk është i qetë nga pengesat e tij.” 9
I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, urdhëron që t’i ruajmë lidhjet familjare, të bëjmë vepra të mira. Ai thotë: “O njerëz, përhapeni selamin, ushqeni të varfrit, mbani lidhjet farefisnore, faluni natën kur njerëzit flenë, do të hyni në xhenet me selam (paqe).” 10
Allahu i Lartësuar thotë: “…bëni vepra të mira për të arritur shpëtimin!”11
Nëse dëshirojmë t’i praktikojmë këto citate të sipërpërmendura, patjetër duhet që në ndjenjat tona të rrënjoset vlera e faljes, e ndjesës dhe e zemërgjerësisë. S’ka dyshim se falja është prej formave të suksesshme në realizimin e butësisë, dashurisë dhe ndihmës reciproke, cilësi këto përmes së cilave e anulojmë dhunën në familje dhe në jetën tonë në përgjithësi. Janë të shumta citatet kuranore dhe hadithet profetike të cilat i obligojnë besimtarët që të stolisen me këto cilësi. Ndër to, Allahu e urdhëron të Dërguarin e Tij të jetë zemërgjerë,: “Ti (o Muhamed) sillu me zemërgjerësi.”12
Allahu porosit për falje në rast vrasjeje: “Ai (vrasës) që falet nga farefisi i të vrarit, duhet të sillet njerëzishëm dhe le të zbatojë dëmshpërblimin me të mirë. Kjo (falje) është një lehtësi dhe mëshirë nga ana e Zotit.”13
Njëkohësisht urdhëron faljen e jomuslimanëve: “Shumë nga ithtarët e Librit, prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t’ju kthejnë nga besimi në mosbesim, tani që e vërteta është e qartë për ata. Por ju falini ata dhe lërini, derisa të arrijë urdhri i Allahut. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.”14
Allahu e urdhëron të Dërguarin e Tij që t’i falë besimtarët: “Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoi falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme.” 15
Gjithashtu e urdhëroi të Dërguarin e Tij që t’i falë çifutët, me gjithë poshtërsinë e tyre: “Për shkak se ata e thyen besëlidhjen e tyre, Ne i mallkuam ata dhe ua bëmë zemrat të ashpra. Ata i kanë shtrembëruar fjalët e Shkrimeve të shenjta dhe kanë harruar një pjesë të mirë nga ato këshilla. Ti (Muhamed) përherë do ta vëresh tradhtinë e tyre, përveç një pakice të tyre; pra, falua fajet dhe mos i qorto! Se, Allahu i do bamirësit.”16
Allahu na mëson se falja e të tjerëve është shkak për arritjen e faljes nga ana e Allahut të Lartësuar: “Le t’i falin ata dhe të mos ua marrin për keq! Vallë, a nuk doni ju që t’ju falë Allahu? Allahu është Falës e Mëshirëplotë.”17
Allahu i lavdëron ata që falin dhe ata të cilët stolisen me këtë cilësi: “…e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Ali Imran, 134) Gjithashtu thotë: “Kushdo që duron dhe fal, ta dijë se, në të vërtetë, këto janë nga veprimet më të virtytshme.”18
II. Shkaqet që çojnë deri te dhuna familjare
Ky ishte sistemi islam që mbron nga dhuna familjare në nivel individual dhe atë kolektiv. Moskujdesi në edukimin e brezave mbi këto koncepte, shenjtërimi i egoizmit, duke shtuar edhe tensionin e jetës, trazirat, çrregullimet, dinamika e shpejtë e programit ditor të njeriut, një sërë problemesh ekonomike, shoqërore dhe politike, të gjitha këto konsiderohen prej shkaqeve të cilat çojnë në shkatërrimin e familjes, në moralin e keq dhe në dhunën familjare.
III. Largimi dhe shërimi nga kjo dukuri
Nga këtu mësojmë dhe na bëhet i qartë ilaçi shërues, d.m.th., duhet të fillojmë me procesin e edukimit. Edukimi konsiderohet një proces i organizuar ku ekzistojnë përmasa dhe kushte. Edukimi nuk është i kufizuar vetëm në mësim dhe ushtrim e as vetëm në shkollë, por për këtë duhet të ndihmojnë edhe mjetet e informimit, krijimi i një kulture në shoqëri, e cila do të mbronte nga kjo dukuri negative. E lusim Allahun e Lartësuar që këtë dukuri ta largojë nga shoqëria jonë, nga të gjitha shoqëritë islame dhe nga e gjithë sipërfaqja e tokës. Ai është i Gjithëmëshirshëm ndaj robërve të Vet! /Almedin Ejupi/klubikulturor/kohaislame