5.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Dhjetë vjet Vetëvendosje

Më të lexuarat

Lëvizja Vetëvendosje së shpejti feston një dekadë ekzistence. Kjo ishte edhe arsyeja që në Zonën e Debatit, në Klan Kosova, të debatohej për këtë subjekt politik me Shpend Ahmetin, kryetar i Prishtinës dhe Dardan Molliqaj, sekretar organizativ, kurse në taborin e analistëve politikë – Armand Shkullaku, Astrit Gashi dhe Petrit Zogaj.

Shpend Ahmeti tha se 10 vjet pas themelimit të partisë, ky subjekt ka vendosur një format të ndryshëm sa i përket qasjes ndaj nacionalizmit në Kosovë dhe në Shqipëri, transmeton Klan Kosova.
“Vetëvendosje ka vendosur një standard të ri sa i përket nacionalizmit.

Edhe në Shqipëri është shpërndarë kjo frymë nacionaliste. Deklaratat e Edi Ramës në Beograd kishin diskursin e njëjtë sikur të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.

Ahmeti mendon se komandantët duhet të futen në burg për korrupsion, por jo për luftën.
“Komandantët e luftës të cilët kanë vjedhur pas luftës duhet të futen në burg për korrupsion, sepse me Gjykatën Speciale po i hidhet një njollë gjithë luftës çlirimtare të Kosovës. Ata nuk duhet të gjykohen për luftën që kanë bërë në mbrojtje të vendit”, tha Ahmeti.

Kurse Dardan Molliqaj, sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, konsideron se subjekti i tij ka një rol të rëndësishëm politik opozitar dhe se janë në rrugë të drejtë.
“Vetëvendosje ka arritur të jetë subjekti i parë opozitar, ndonëse ka lindur e fundit në skenën politike. Rruga e Lëvizjes Vetëvendosje është rrugë e drejtë”, tha ai.

Molliqaj ka reaguar edhe ndaj themelimit të Gjykatës Speciale, duke konsideruar se themelimi i saj ka vetëm një funksion.

“Gjykata Speciale e ka vetëm një funksion – plotësimi i kërkesave të Serbisë dhe shantazhimi i politikanëve tanë”, tha Molliqaj.
Kurse analisti Armand Shkullaku e ka vlerësuar ideologjinë e Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo e ka kritikuar për përfshirjen në sistemin institucional.

“Është një lëvizje tepër e nevojshme për një shoqëri të mbyllur. Ka vlera, përfshirë këtu edhe protestat inteligjente që ata bëjnë. Mirëpo në momentin që Lëvizja Vetëvendosje është futur në konkurrencë me partitë e tjera për pushtetin, ajo ka mbetur peng i ideologjisë së saj”.

Një përplasje mendimesh kishte në mes Shpend Ahmetit dhe Petrit Zogajt, pasi Zogaj konstatoi se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë një veprim paradoksal si parti.
“Lëvizja Vetëvendosje thoshte se në një shtet ku nuk ka sovranitet të plotë pjesëmarrja në zgjedhje e demobilizon popullin. Në vitin 2010 ata vendosën që të hyjnë në politikë si parti, ndonëse ne ende i kishim dy misione ndërkombëtare që e mbikëqyrnin pavarësinë e Kosovës”, tha Zogaj.

“Paradoksi më i madh ishte koalicioni me partitë politike për të cilat më herët ka pasur vazhdimisht kritika dhe ka thënë se nuk ka mundësi bashkëpunimi qeverisës. Vetëvendosja ka bërë lëshime të rrezikshme në politikë”.

Shpend Ahmeti ka replikuar me Zogajn duke ia sqaruar se lidhja e koalicionit VLAN në qershor duhet të shikohet nga një këndvështrim tjetër.

“Nuk duhet të shtrohet pyetja pse kemi hyrë në koalicion, por çfarë është biseduar në ato takime. Ne si parti nuk kemi bërë pazar për vende në pushtet, por theks të veçantë i kemi kushtuar situatës më të rëndësishme politike për Kosovën, dialogut me Serbinë. Lëvizja Vetëvendosje do të kritikohej njëjtë, edhe po lëshoi pe edhe po nuk lëshoi ”, tha Ahmeti. /Klan Kosova/.kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit