3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Dhjetë vjet nëpër gjykata për kompensim të pagave

Më të lexuarat

Jakup Berishës, ish-menaxherit të kompanisë publike “Kosovatrans” në Gjilan, të larguar nga puna në vitin 1989 që dhjetë vjet nga gjykatat e vendit po i zvarritet ekzekutimi i vendimit për kompensimin e pagave.
 
Jakup Berisha nga Gjilani kishte punuar që nga viti 1981 deri në vitin 1989 si menaxher i kompanisë publike “Kosovatrans” në Gjilan.
 
Ai në vitin 1989 ishte larguar nga puna nga pushteti i atëhershëm, ndërsa të drejtën e tij për t’u kthyer në punë e kishte kërkuar me anë të gjyqit.
 
Berishës në vitin 1997 gjykata e atëhershme ia kishte njohur të drejtën për kthim në punë dhe realizim të drejtash, por një vendim i tillë nuk ishte zbatuar asnjëherë.
 
Pas çlirimit të Kosovës ai ishte rikthyer në pozitën e tij si drejtor i “Kosovatransit” në Gjilan, duke pushuar të kërkojë të drejtën e tij të njohur nga gjykata.
 
“Unë nuk kam kërkuar ekzekutimin e vendimit pasi që kam menduar se ishte konflikt interesi pasi që isha në pozitën e drejtorit”, thotë Berisha.
 
Por pas privatizimit të kompanisë, Berisha iu drejtua përsëri gjykatës duke kërkuar kompensim të dëmit për pagat që nuk iu dhanë në kohën kur u largua padrejtësisht nga puna.
 
“Në vitin 2005 pas dorëheqjes sime nga posti i drejtorit të “Kosovatransit” meqë kompania shkoi në privatizim, unë e ngrita një kërkesë për kompensimin e dëmit në lartësi prej 120 mijë eurosh në Gjilan,” shpjegon Berisha.
 
Ai tregon se si shkoi procesi gjyqësor.
 
“Gjykata Komunale në Gjilan caktoi një ekspert financiar për të përcaktuar pretendimet e mia për dëmin. Eksperti pas shumë vështirësive  nxori një konkluzion,  ku thotë që mua më takojnë pagat e parealizuara prej  50 mijë eurosh,  por gjykata nuk e përfilli këtë dhe caktoi shumën prej 27 mijë eurosh”, tha Berisha.
 
Por për ta marrë këtë vendim, Gjykatës Komunale në Gjilan i  janë dashur plot pesë vjet.
 
“Gjyqi i shkallës së parë është përfundimtar në seancën e datës  25 gusht 2010, d.m.th plot pesë vjet në Gjykatën Komunale qëndron kërkesa për ekzekutimin dhe kompensimin e dëmit prej meje nga kompania “Kosovatrans”, tregon Berisha.
 
Zyrtari për informim në Gjykatën Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra, vonesën prej pesë vjetësh e arsyeton me numrin e madh të lëndëve që ka pasur kjo gjykatë.
 
“Ndonëse kanë kaluar rreth pesë vjet deri në nxjerrjen e aktgjykimit për këtë rast në Gjykatën Komunale, mund të ju informojmë që kjo vonesë ka ardhur për shkak të numrit të madh të lëndëve me të cilat janë të ngarkuara gjykatat e vendit”, thuhet në një përgjigje të Shkodrës për KALLXO.com.
 
Por atëherë kur Berisha mund të mendonte se odiseja e tij kishte mbaruar, në fakt ajo veçse kishte filluar.
 
Pas ankesës së AKP-së, palës e cila në atë kohë e menaxhonte kompaninë, lënda dërgohet në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, ku qëndron rreth dy vjet.
 
“Pala e pakënaqur  AKP meqë e menaxhonte  ‘Kosovatransin’ bën  ankimimin e këtij vendimi në Gjykatën e Qarkut ne Gjilan me pretendimin se nuk  është  vendim i drejtë. Me 19 janar 2012 gjykata e drejton këtë ankesë në Dhomën e Veçantë te Gjykatës Supreme ne Prishtine, d.m.th plot dy vjet e mban në evidencën  e vet në zyrat e veta dhe pastaj e drejton në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme në Prishtinë”, thotë Jakup Berisha.
 
Vonesën në Gjykatën e Qarkut në Gjilan e konfirmon edhe Shkodra, por ai thotë se kjo vonesë ka qenë një vit e dy muaj.
 
“Periudha kohore rreth një vit e dy muaj nga data pranimit në Gjykatën e Qarkut dhe dorëzimi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, mund të ju informoj se ka ardhur për shkak se ka qenë duke punuar vetëm një gjyqtar në këtë rast. Për shkak të numrit të madh të lëndëve, nuk ka mundur të merret në shqyrtim nga gjyqtari. Në vitin 2012, gjyqtari pasi që konstaton që për të zgjidhur këtë kontest është kompetente Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, edhe lëndën e dërgon në këtë institucion”, thotë Shkodra.
 
Sikur në Gjykatën Komunale dhe atë të Qarkut, Berishën e përcolli fat i njëjtë edhe në Dhomën e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës.
 
“Prej vitit 2012 deri më 16 janar 2015 kjo gjykatë e mban këtë lëndë në kompetencë te veten dhe pastaj pas tre vjetësh që i nevojiten për të konstatuar se nuk është kompetente në këtë lëndë,  e hedh topin në Gjykatën e Apelit”, thotë Berisha.
 
Zvarritjen e lëndës së Berishës në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme nuk e fsheh as administratori i kësaj gjykate Isuf Behluli.
 
“Pas pranimit dhe regjistrimit në Dhomën e Posaçme me lëndën është ngarkuar një gjyqtar ndërkombëtar i cili gjyqtar në ndërkohë e ka përfunduar misionin, më vonë është emëruar një gjyqtar tjetër ndërkombëtar i cili më datën 1 gusht 2013 është ngarkuar me lëndën, por edhe gjyqtari i dytë ndërkombëtar e ka përfunduar misionin e vet dhe lënda ka mbetur e pa kryer. Me datën 13 qershor 2014 me lëndën është  ngarkuar një gjyqtar vendor i cili e ka kryer lëndën sipas aktvendimit të datës 16 janar 2015”, thotë Behluli.
 
Behluli tregon se mesatarja e zgjidhjes së lëndëve në Dhomën e Posaçme, është shumë më e shkurtër se 3 vjet.
 
“Periudha mesatare e kohës brenda së cilës shqyrtohet një lëndë në DhPGjS duke filluar nga dita e hapjes së DHPGJS e deri në këto ditë  përafërsisht  është 343 ditë”, sqaron Behluli.
 
E për Berishën që e tërë kjo i mori një pjesë të mirë të jetës së tij, është një situatë e papranueshme.
 
“Pesë vjet në Gjykatën Komunale, dy vjet në Gjykatën e Qarkut edhe tre vjet në Gjykatën Supreme, gjithsej 10 vjet të plota një vendim për ekzekutim, kjo është e papranueshme”, thotë i revoltuar Berisha.
 
Pas vendimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, lënda e Jakup Berishës është në Gjykatën e Apelit dhe Berisha shpreson që ky rast të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur.
Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit