-1.7 C
Pristina
Friday, January 17, 2025

Dhjetë vjet Ardhmëri – Fjala e kryetarit Ferid Piku

Më të lexuarat

Nga: Ferid Piku

Dhjetë vjet Ardhmëri – Fjala e kryetarit Ferid Piku

Me emrin e Zotit Mëshiruesit Mëshirëplotë
·        I nderuar kryetar i bashkisë së Tiranës z.Lulzim Basha
·        I nderuar ministër i Turizmit, kulturës, Rinisë dhe sporteve z Aldo Bumçi
·        I nderuar kryetar i komunitetit mysliman shqiptar h.Selim Muca
·        Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë
·        Të nderuar përfaqësues të shoqatave në Shqipëri, rajon, Turqi dhe më gjerë
·        Të nderuar intelektualë, pedagogë e studentë
Miq dhe të ftuar!
Ju përshëndes të gjithëve dhe ju falënderoj përzemërsisht për pjesëmarrjen tuaj në këto çaste të rëndësishme për ne, në 10 vjetorin e themelimit të shoqatës Ardhmëria.
Është e natyrshme se për Ardhmërinë ky moment është shumë i veçantë dhe mjaft nostalgjik…Është një moment ku përkujtohet puna dhe kontributi i dhjetë viteve, ku vlerësohen themeluesit, aktivistët, bashkëpunëtorët dhe dashamirësit e rrugëtimit tonë, ku na dalin para syve të gjithë ata ish-studentë e studente nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, dhe Presheva, që sot janë nëpunës, profesionistë, pedagogë etj, por mbi të gjitha janë qytetarë të denjë për shoqërinë…
Ky është një moment ku na rikthehen në memorie diskutimet e takimeve kulturore, mbresat e ekskursioneve rinore dhe mësimet e kampingjeve edukative, çaste që na sjellin ndër mend kënaqësitë dhe sfidat  që na kanë dhuruar ditët, javët, muajt dhe vitet e kësaj dekade…
Ardhmëria që në fillimet e saj ishte një nismë që përpiqej t’i jepte prioritet thelbit të çështjeve, punës, modelit të mirë, frymës optimiste dhe bashkëpunimit të ndërsjellët.
Ishte një ftesë e përbashkët  për të punuar aty ku është  më e vështirë për njeriun, te përpjekja për të ndryshuar veten, realitetin e brendshëm, me shpresën që dalëngadalë do të ndryshonte për mirë edhe realiteti i jashtëm, duke i besuar kështu pa hezitim sloganit që u ngrit qysh në fillimet tona: “Ardhmëria- një derë drejt së ardhmes”
 
 
Të nderuar miq e dashamirës!
Nuk ka dyshim se puna jonë përgjatë plot një dekade ka dëshmuar sukses, por nganjëherë dhe lëshim, ka dëgjuar vlerësime inkurajuese por ndoshta me të drejtë dhe kritika e qortime,  pasi jo gjithmonë dëshira jonë e mirë në zemër dhe ideja e qartë në mendje, kanë arritur të  përkthehen në realitet… E kjo, besojmë se është e natyrshme…
·        Por, përkrah kësaj, është kënaqësi brenda kufirit të modestisë, që gjatë këtyre viteve Ardhmëria ka pasur kontakte dhe ka kontribuar drejtpërdrejtë tek rinia,  një shtresë kjo mjaft e rëndësishme e shoqërisë shqiptare. Numri i këtyre të rinjve, studentë e studente nga të gjitha rrethet e vendit, por jo vetëm, me të cilët Ardhmëria ka pasur kontakt, që nga fillimet e punës së saj, e kalon shifrën  2000.
·        Tek këta të rinj, shoqata ka nxitur shpirtin e konkurrencës akademike, duke vlerësuar për çdo vit ata më të mirët, nëpërmjet aktivitetit “Në udhën e më të mirëve”. Ka qenë vërtet krenari për ne dhe sot e themi me mburrje, që në këto vite kemi arritur të promovojmë  mbi 50  studentë të tillë.
·        Me dëshirën për të lehtësuar sadopak kushtet financiare të studentëve shqiptarë, është akorduar për studentët me rezultate të mira një përkrahje financiare, duke arritur gjatë këtyre viteve vlerën totale të një shifre që i kalon 800 bursa…
·        Në bashkëpunim  me vetë studentët janë realizuar me sukses seminare, takime edukative, ekskursione e kampingje, dhe shifrat e këtyre aktiviteteve janë po me qindra…
·        Për të kontribuar në sferën e besimit dhe vlerave kombëtare, që populli ynë në fakt i ka pasur ndër shekuj, për të hedhur sadopak dritë mbi ato ngjarje dhe figura patriotike shqiptare të cilët i qëndruan pranë këtij vendi në momentet më të vështira, Ardhmëria ka prodhuar dhe përgatitur një sërë dokumentarësh historikë, ka sjellë në shqip mbi 100 dokumentarë televizivë mbi faktet shkencore të krijimit, ka përgatitur e shpërndarë një kalendar vjetor informues dhe edukativ mbi fusha të ndryshme,  tirazhi i të cilit që nga fillimi e deri më sot arrin mbi 50 mijë kopje, si dhe ka botuar por dhe ka kontribuar në botimin e disa veprave me vlerë, e kjo jo vetëm për në Shqipëri, por edhe për hapësirën shqipfolëse jashtë vendit.  
 
Për  të gjitha këto arritje e të tjera të ngjashme me to, pikë së pari  shpresojmë të jenë të pranuara tek Zoti, i Cili i njeh më mirë se askush tjetër qëllimet e njerëzve, e njëkohësisht do dëshironim gjithashtu që këto punë të ishin një gur më  shumë në ndërtimin e kalasë së vlerave, pasi besojmë që ëndrra e çdo qytetari të denjë të këtij vendi është:                         “Të kontribuojë  për një Shqipëri më të mirë dhe për një botë ku mbizotërojnë vlerat”
Prandaj, falënderimi për sa kemi bërë, parësisht i dedikohet  ndihmës së Zotit, i Cili kur e do një njeri, e frymëzon dhe e udhëzon atë të bëjë mirë.
Respekti dhe vlerësimi shkon natyrshëm për themeluesit dhe aktivistët e shoqatës, të cilët kanë ndarë së bashku suksesin dhe dështimin, kanë punuar vullnetarisht dhe shpesh herë pa qenë të kushtëzuar nga orari, fundjava apo shpërblimi, kanë punuar si një trup i vetëm, pa u ndikuar se kujt do t’i takojë merita në fund. Me pak fjalë, ata kanë zgjedhur t’i shërbejnë punës dhe jo anasjelltas.
E në fund, por jo për nga rëndësia, një vlerësim dhe respekt i veçantë  shkon për të gjithë ata dashamirës dhe donatorë, të cilët i besuan seriozitetit tonë, u bënë partnerë të projekteve tona, ofruan ç’kishin mundësi, qofshin këto aftësi profesionale, eksperienca nga puna e tyre, apo kontribut financiar, pa të cilat projektet tona do mbeteshin thjesht një dëshirë e mirë në letër…
Për këta njerëz, Ardhmëria shpreh vlerësimin dhe respektin maksimal, duke uruar që shpërblimin e vërtetë ta gjejnë te Zoti i Gjithësisë, i Cili në fakt është i Vetmi që kompenson në mënyrën më bujare.
Ne gjithmonë do të kemi nevojë për kontributin tuaj dhe të gjithë atyre që mund të kontribuojnë,  duke ju siguruar se ndërtesa e Ardhmërisë është e të gjithëve dhe aty ka vend për cilindo që zgjat dorën e bashkëpunimit për një të ardhme të përbashkët më të mirë.
Të nderuar miq e dashamirës!
E shoh të domosdoshme që edhe njëherë t’ju falënderoj të gjithëve pa përjashtim për pjesëmarrjen dhe mbështetjen tuaj, por do doja që një falënderim i veçantë t’i shkojë të gjithë atyre miqve e dashamirësve, me të cilët na ka bashkuar dëshira dhe bashkëpunimi në shumë projekte, e që sot na kanë respektuar me prezencën e tyre nga vende të largëta si Kuvajti e Katari, të atyre që vijnë nga Turqia, Gjermania, Zvicra dhe Italia e duke vazhduar me vëllezërit tjerë bashkëkombës nga Kosova, Presheva, Maqedonia dhe Mali i Zi, pa harruar dhe ata që kishin shumë dëshirë por e patën të pamundur prezencën në këtë tubim.
Edhe njëherë mirë se keni ardhur dhe ndjekje të këndshme të materialit prezantues në vazhdim…
Ju faleminderit…
Kliko këtu për të parë albumin e plotë të fotove të tubimit festiv

Rating: 3.7 of 5. 3 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit