4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Dhjetë teoritë më të çuditshme të konspiracionit për vrasjen e JFK-së

Më të lexuarat

Versioni zyrtar i vrasjes së John F. Kennedyt shumë herë është temë e diskutueshme, ndërsa gjatë dekadave ka pasur edhe shumë teori bizare të konspiracionit.

Të premten Shtetet e Bashkuara shënuan 50 vjetorit e vrasjes së presidentit John Fitzgerald Kennedy. Ai është i njohur si një nga presidentët më popullorë në mesin e amerikanëve. Por, gjatë 50 viteve të fundit është përmendur shpesh në kontekstin e teorive tejet konspirative në lidhje me mënyrën se si ai u vra.

Shumë herë flitet se vrasjen e tij e organizuan CIA apo Fidel Castro, prandaj në vazhdim do t’ju japim shpjegimin e dhjetë teorive tjera më të çuditshme se kush e ka vrarë presidentin e 35-të amerikan, ashtu siç shkruan ditorja britanike The Independent.

10. Shoferi i limuzinës presidenciale

Në librin e tij të botuar më 1991, teoricienti i konspiracioneve William Cooper, thotë se vrasjen e ka kryer shoferi i limuzinës së Kennedyt, agjenti i shërbimit sekret, William Greer. Cooper ka shkruar se kishte në posedim xhirimet sekrete ku shihet se si Greer e vret Kennedyn me një pajisje që e kanë ndërtuar jashtëtokësorët e Trilaterales.

Arsyeja për vrasjen, sipas tij, është qëllimi i Kennedyt që opinionit botëror t’i bëhet publik tentimi i alienëve për ta marrë kontrollin e planetit .

Cooper xhirimin “sekret” e ka publikuar dhe aty njëmend shihet Greer se si dy herë kthehet në drejtim të ndenjëses së pasme, por analizat e shumta kanë treguar se fjala është për një “gënjeshtar”, që u bazua në xhirimet e përpunuara të Abraham Zapruderit, i cili me kamerën e tij private rastësisht ka filmuar atentatin.

9. Shërbimi sekret

Në librin “Gabimi vdekjeprurës: E shtëna që vrau JFK-në”, autori Bonar Menninger shpalos teorinë sipas të cilës përgjegjës për vrasjen e Kennedyt është agjenti George Hickey, i cili vozitej në një nga makinat e që kanë shoqëruar limuzinën presidenciale. Sipas kësaj teorie të përpunuar në detaje, Hickey rastësisht kishte shtënë në njeriun e parë të SHBA-ve, pasi makina papritmas u ndalë.

8, Njeriu me Ombrellë

Louie Steven Witt , i njohur gjithashtu si një Njeriu me Ombrellë, rastësisht kishte hasur në një kuadër të Zapruderit, ndërsa “ka kapur” edhe disa kamera që qëndrojnë pranë autostradës ku u krye atentati.

Edhe pse 22 nëntori 1963 ishte i thatë dhe me diell, Witt në duar mbante një ombrellë. Kështu, u shfaq interpretimi se iu dha shenja vrasësve, ndërsa thuhej se ombrella ishte arma e fshehur dhe se Witt ishte atentatori.

Më vonë doli se ai në fakt e mori ombrellën në shenjë proteste ndaj babait të Kennedyt, i cili i dha përkrahje të kryeministrit britanik, Neville Chamberlain, në lëshimet ndaj nazistëve gjermanë (marrëveshja që lejon aneksimin e Çekosllovakisë – v.j.). Chamberlain në publik shpesh mbante një ombrellë të zezë .

7. Masonët

Nënkryetari i Kennedyt, Lyndon B. Johnson, thuhet se ishte një mason, ashtu si Gerald Ford, presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara dhe një anëtar i Komisionit Warren që hetoi këtë vrasje.

Menjëherë ka pasur spekulime se përgjegjës për vrasjen janë muratorët e lirë (masonët). Megjithatë, prova për këtë teori nuk ka.

6. Lyndon Johnson

Avokati nga Arizona, Craig Zirbel, ka shkruar dy libra ku thuhet se vrasja është planifikuar nga zëvendësi i Kennedyt. Ai pretendon se ky është i vetmi që kishte motiv dhe burime për hartimin e vrasjes.
Në një nga librat ai shkruan se Johnson kishte mospajtime të shumta personale dhe politike me Kennedyn, dhe se vendimin i tij për zbatimin e krimit e përshpejtoi dëshira e tij për të jetuar në Shtëpinë e Bardhë para se të plakej!

5. Joe DiMaggio

Historia sipas së cilës pas vrasjes së Kennedyt ishte lojtar i famshëm i bejsbollit Joe DiMaggio, për herë të parë u paraqit në një strip, por aty pastaj u lidhën shumë teori të konspiracionit .

DiMaggio thuhej se donte ta vriste presidentin sepse ai ka urdhëruar vrasjen e ish gruas dhe dashnores së presidentit, Marilyn Monroe.

4. Rezervat Federale

Gazetari dhe autori i teorive të shumta konspirative, Jim Marrs, në librin e tij pohon se vrasja e JFK-së është urdhëruar nga institucionet qendrore monetare të SHBA-ve. Motivi supozohet të ishte Dekreti i Kennedyt, nr. 11110, me të cilën kufizohej fuqia e rezervave federale

Edhe pse thuhet shpesh se dekreti përmbyset nga zëvendësi i Kennedyt dhe trashëgimtari i tij, Lyndon Johnson, ajo në të vërtetë mbeti në fuqi deri në vitin 1987.

Kjo teori ka shërbyer si inspirim për filmin e regjisorit të madh, Oliver Stone – “JFK”.

3. Coca-Cola

Një nga teorisë më të çuditshme është se Lee Harvey Oswald (i cili sipas versionit zyrtar është vrasësi – v.j.), e ka vrarë presidentin për shkak të çrregullimit mendor që rezulton nga varësia në sheqerin e rafinuar. Sipas teorisë, thuhet se vrasësi pas aktit të kryer ka pirë disa Coca-Cola.

2. Jackie Kennedy

Teoricientët e konspiracionit kanë përmendur xhirimin e Zapruderit i cili shfaq duhmë duhani në anën e majtë të kokës së Kennedyt. Duke pasur parasysh se as presidenti dhe as Zonja e Parë nuk kanë pirë cigare, thuhet se duhani ka dalë nga një pajisje e panjohur .

Kjo teori thotë se prapa kësaj qëndronte Jackie, e cila dyshohet se vrau burrin në bashkëpunim me John Connallin, atëherë Guvernatori i Teksasit, i cili në shkëmbimin e zjarrit në Dallas (ku u vra Kennedy – v.j.) ishte vet i plagosur.

1. U vra sepse interesohej për jashtëtokësorët

Hetuesi i paranormales, William Lester, para disa vitesh botoi librin ku thuhet se dokumentet e CIA-s, të cilat i mori bazuar në ligjin amerikan për qasje në informacione, tregojnë se Kennedy dhjetë ditë para vrasjes kërkonte dokumentet për UFO-t.

Përkrahje për këtë teori kanë dhënë shumë “ufologjistë”, por vërtetësia e dokumenteve të Lesterit nuk është vërtetuar kështu që teoria e tij qëndron në këmbë të qelqta.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit