Mbipunësimi i punëtorëve arsimorë nëpër shkollat e nivelit parauniversitar të Kosovës, i bërë nëpërmjet nepotizmit, interesave partiake e klanore, si edhe interesave të tjera, ka bërë që në disa nga komunat e Kosovës të paraqiten probleme buxhetore.
Kjo sepse komunat nuk kanë arritur ta menaxhojnë buxhetin e ndarë nga Qeveria, përkatësisht nga MASHT-i për t’i rehatuar me paga të gjithë të punësuarit në fushën e arsimit. Këtë konstatim e ka nxjerrë këshilltari i ministrit Buja në Ministrinë e Arsimit, Ragip Gjoshi, pas njoftimit se në disa komuna të vendit, drejtoritë e arsimit kanë raportuar për pamundësinë e pagesave për arsimtarët e shkollave të tyre, si pasojë e mungesës së buxhetit, shkaruan sot Koha Ditore.
Gjoshi ka theksuar se ndarja e buxhetit për të gjitha shkollat e nivelit parauniversitar ka qenë i përllogaritur mirë, madje edhe duke i marrë parasysh disa nga specifikat e komunave të Kosovës, në fshatrat e të cilave klasat nuk mund të plotësohen sipas përpjestimit arsimtar-nxënës. Ai ka thënë se granti i përgjithshëm i MASHT-it për vitin 2012 është mbi 140 milionë euro, derisa 107 milionë euro paraqesin grandin për pagat bazë dhe 31 milionë euro për rritjen e pagave të arsimtarëve./Indeksonline/kohaislame