Bekim Maliqi, polici që ndodhej në karrigen e përparme të pasagjerit në makinën e drejtuar nga Enver Zymeri dëshmoi se si u qëllua i shpalluri hero nga presidentja Jahjaga më 27 korrik 2011.
“Enveri ka qenë duke vozitur, ndërsa unë isha i ulur në karrigen e parë karshi shoferit dhe vetura jonë ka qenë e para pas autoblindës që ka tentu ta heqë barrikadën. Kur kemi fillua t’i afrohemi autoblindës, ka ardhur një plumb që e ka qëlluar Enver Zymerin në fytyrë,” tregoi polici Maliqi.
Ai tha se pasi pa që Zymeri u qëllua, i bërtiti kolegut të tij që ishte mbrapa në të njëjtën veturë që të shtrihen përtokë ngase ishin objektiv i sulmit.
Maliqi tregoi se që nga momenti i plagosjes së policit Zymeri që më pas vdiq, e deri në kohën e tërheqjes nga ky vend, shkëmbyen zjarr me sulmuesit.
Para Maliqit dëshmuan edhe Nuredin Sahiti e Shemsedin Salihu, gjithashtu pjesëmarrës të aksionit të 25 korrikut 2011.
Seanca do të vazhdojë të enjten.
15:00
Policët Tregojnë se si u Plagos Enver Zymeri
Pas Isa Salihut në seancën kundër të akuzuarve për vrasjen e Enver Zymerit dëshmoi Isa Lajçi, polic i Njësisë Speciale të Pejës, pjesëmarrës në aksionin për kthimin e kontrollit të shtetit në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri.
“Kam qenë kolonë, në radhën e veturave, i pesti, apo i gjashti kur u jemi afruar veturave që kishin qenë të barrikaduara,” tha Lajçi.
Ai tregoi se pas ndalimit para kësaj barrikade, udhëheqësi i grupit Idriz Atashi kishte dalë për të biseduar me të barrikaduarit, por ata nuk kishin pranuar ta lirojnë rrugën.
“Më pas personat janë tërhequr prapa veturave. Njëri nga ta ka qenë duke folur me telefon dhe e ka çuar dorën lart. Ata kanë filluar të hyjnë malit, të fshihen dhe në ato momente kanë filluar edhe gjuajtjet,” përshkroi ditën e aksionit dëshmitari.
Ai tregoi se pasi nissën të shtënat shkoi në drejtim të veturave të barrikaduar. Prokurorja Lile Opreah e pyeti dëshmitarin nëse ai kishte shtënë me armë.
“Po, po,” u përgjigj dëshmitari.
Ai foli edhe për tërheqjen.
“Në momentin kur na lajmëruan se një polic është i plagosur, atëherë ne kemi shku në drejtim të veturës së tij dhe në ato momente ende ka qenë duke u shkëmbyer zjarri. Kemi marrë urdhër për tërheqje për shkak se policit duhej me ia dhënë ndihmën e parë,” tha dëshmitari.
Seanca është duke vazhduar.
14:07
Isa Salihu, pjesëtari i Njësisë së Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës që ishte në autoblindën policore që i printe kolonës gjatë aksionit të 25 korrikut 2011, në gjykimin kundër Radovan Radiqit dhe Millovan Vllashkoviqit tregoi për momentin kritik të plagosjes se Enver Zymerit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores Lili Opreah, Salihu bëri me dije gjithë atë që ndodhi nga momenti i daljes së forcave policore kosovare në veri, deri te koha kur u plagos kolegu i tij Zymeri.
“Jemi nisur në konvoj të policisë nga Mitrovica dhe kur e kemi kaluar fshatin Koshtovë, në afërsi të fshatit Zupç kemi hasur në disa persona që kanë bërë një barrikadë, duke bllokuar rrugën me katër-pesë vetura,” tha Salihu.
Ai më pas tregoi se policia u ka kërkuar këtyre personave ta lirojnë rrugën, por ata kanë ikur duke hyrë në një pyll në afërsi.
“Policia ka provuar ta hapë rrugën dhe ka provuar një rrugë alternative me të cilën kemi dalë përsëri në rrugën kryesore,” vazhdoi rrëfimin e tij salihu.
Ai bëri me dije se në një moment ka parë nga pasqyrat se makinat tjera të policisë nuk i vinin pas, ndërsa në këtë kohë ka dëgjuar edhe të shtëna dhe është kthyer, ndërsa ka mësuar se është plagosur Enver Zymeri.
“Kam kontaktu me bazën, e cila më ka thënë tërhiquni dhe sillne policin për t’i dhënë ndihmë mjekësore,” kujtoi Salihu çastet më të rënda të aksionit të Policisë së Kosovës për ta kthyer kontrollin në pikat kufitare 1 dhe 31.
Salihu tha se kanë kryer urdhrin e marrë, duke u tërhequr dhe dërguar Enver Zymerin në Shtëpinë e Shëndetit në Mitrovicë.
Prokurorja e pyeti dëshmitarin se sa ishte larg autoblinda ku ndodhej ai, nga vetura ku u qëllua Zymeri.
“Kemi qenë në lëvizje, nuk e di saktë distancën,” u përgjigj dëshmitari.
Pastaj prokurorja kërkoi të dijë se a ka pasur shumë të shtëna, në momentin kur u plagos polici.
“Po, deri në momentin kur është plagosur ka pasë shumë të shtëna,” sqaroi dëshmitari..
Prokurorja e pyeti atë nëse ka mundur t’i identifikojë sulmuesit.
“Jo, nuk i kam njohur dhe nuk kam mundur ta bëj identifikimin e tyre, për shkak se ka qenë çështje momenti, çështje shumë e shpejtë,” deklaroi dëshmitari.
Pyetje për këtë dëshmitar patën edhe Zhivojin Jokanoviq, avokati Radovan Radiqit dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Burhan Maxhuni.
Seanca është duke vazhduar.
11:29
Zyrtari i Forenzikës Dëshmon në Gjykimin për Vrasjen e Enver Zymerit
Oficeri policor i forenzikës nga Mitrovica, Flamur Fetahu dëshmoi në procesin gjyqësor kundër Radovan Radiqit dhe Millovan Vllashkoviqit që po akuzohen për vrasjen e policit Enver Zymeri më 26 korrik 2011.
Fetahu në fillim të seancës u mor në pyetje nga prokurorja e EULEX-it Lili Opreah.
Opreah e pyeti Fetahun për raportin që ky ka bërë nga vendi i ngjarjes ku u vra Enver Zymeri dhe rrethanat e vrasjes së ish-policit.
Oficeri i forenzikës tha se atëherë e kryen punën në rrethana shumë të pavolitshme.
“Duhet me marrë parasysh se raporti i forenzikës është bërë në rrethana të jashtëzakonshme për shkak të situatës, për arsye se KFOR-i na ka leju një kohë shumë të shkurtër,” tha Fetahu.
Ky dëshmitar kishte me vete edhe skicën e rrugës Mitrovicë-Zubin Potok, vendin ku ndodhi vrasja e policit të njësisë speciale dhe vendin ku u gjetën gëzhojat e plumbave dhe mjeteve tjera që i shkaktuan vdekjen Enver Zymerit.
Pastaj prokurorja përfundoi pyetjet, ndërsa dëshmitarin nisi ta marrë në pyetje Zhivojin Jokanoviq, mbrojtësi i Radovan Radiqit.
Jokanoviq kërkoi të dijë nga Fetahu, nëse ka hasur në ndonjë barrikadë gjatë shkuarjes në vendin ku u vra Enver Zymeri.
“Jo, në atë kohë nuk ka pasë barrikadë dhe unë nuk kam pa, rruga ka qenë e hapur,” u përgjigj dëshmitari.
Jokanoviq e pyeti Fetahun nëse e ka parë një depo të gjërave ushqimore atje në veri. Edhe kësaj pyetje Fehatu iu përgjigj me fjalët “Jo, nuk e kam pa”.
Xhelal Hashani që mbron Millovan Vllashkoviqin nuk kishte pyetje për Flamur Fetahun.
Në seancë tash është duke dëshmuar Isa Salihu pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës.
Në këtë proces gjyqësor EULEX-i po i ngarkon Radovan Radiqin e Millovan Vllashkoviqin për veprat penale vrasje e rëndë, tentim i vrasjes së rëndë, mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose përdorim të paautorizuar të armëve, pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare, rrezikim i trafikut me veprime ose mjete të rrezikshme, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe pjesëmarrje në një turmë që kryen vepër penale.
Të akuzuar për vrasjen e Enver Zymerit në një proces tjetër gjyqësor janë edhe Sllobodan Sovrliq dhe Radomir Kasalloviq.
Më 23 dhjetor të vitit të kaluar, kur u mbajt seanca fillestare kundër Sovrliqit e Kasalloviqit, prokurori i këtij rasti kërkoi bashkimin në një të të dy lëndëve për vrasjen e Enver Zymerit.
Bashkimi i këtyre lëndëve ende nuk ka ndodhur.kohaislame