-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Dëshmitarja: Nga gjaku i djalit m’u nxeh dora

Më të lexuarat

Në gjykimin ku babë e bir, Senad e Qëndrim Begu akuzohen për vrasjen e Sevdaim Sinanit dhe tri tentim-vrasje, dëshmuan dy nga viktimat e natës kritike.

Më 1 mars të vitit 2012, në shtëpinë e Sinanëve humbi jetë Sevdaim Sinani, djali i Adiles, e vëllai i Gëzimit që dëshmuan sot në gjykatore.Adile a Gëzim Sinani janë edhe vetë viktima të këtij rasti, pasi që të dy morën lëndime të lehta trupore nga predhat e revoles në natën kritike, pikërisht në shtëpinë e tyre.

Adile Sinani tha në gjykatë se djali i është vrarë pa ndonjë arsye.

“Ma ka mbytë një djalë të shkolluar e të mençëm… E kanë mytë ni njeri pa kurgjo. Unë e kam pas të lidhur Gëzimin në krah kur ka nisë krisma. Djali i tij Qëndrimi e ka gjujtë Sevdaimin në vend edhe Kajtazin. Tani e ka marrë baba i vet Senadi alltinë e ka gjujtë Gëzimin edhe mu. Unë se kom ndi veten që jam plagu, veq e kom pa dorën tem që ka rrjedh gjak nga Gëzimi dhe mua më është nxeh dora”, rrëfen ajo.

Rastin për ardhjen e të akuzuarve në shtëpinë e tyre me revole e shpjegoi më në detaje vëllai i të ndjerit, Gëzim Sinani.

Ai tha se gjithmonë i kanë ndihmuar familjes Begu, por një ditë Kajtaz Begu e kishte ofenduar në telefon, madje e kishte sharë.

Gëzim Sinani tha se i kishte një borxh të akuzuarit Kajtazi në shumë prej 700-800 eurove, të cilin nuk e ka kontestuar asnjëherë, “por pasi më shajti, nuk ishte puna më te paret”.

“Pa i pasë borxh asgjë më shajti në telefon. Unë i kam pas borxh pare, atë nuk ia kam mohu as nuk ia mohoj borxhin, por jo me më thënë të vraj e me ma shajtë nënën”, tha ai.

Ai filloi të fliste në gjykatore për raportet e tij me tani të akuzuarit deri te dita kritike.

“Në ditën kritike kam komunikuar me Senadin, rrugës për në Podujevë, se disha problemin se çfarë kam pasur unë me të, pasi që unë nuk kam pasur asgjë me të. Unë e kam thirrë me pyet se çka është problemi. Gjatë bisedës në telefon ai më ka shajtë, më ka thënë ‘kështu, kështu ko me ta bo’. I ka thënë hajde takohemi te “Sillosi” dhe flasim tani. S’ kom pas pse me u sha me të, unë veç mirë i kam bërë. Le të thotë që nuk është qashtu, që unë nuk iu kam përgjigj për çka do që ka pasë nevojë”, përshkruante Gëzimi momentet e fundit të kontaktimit përmes telefonit me të akuzuarin Kajtazi në ditën kritike.

Sipas Gëzim Sinanit, ai kishte shkëmbyer edhe dy telefonata të tjera me Senad Begun.

“Telefonata e dytë ka qenë para shtëpisë sime, i kam thënë ‘nuk po du me ardhë se jam lodhë’. Më ka thënë ‘kështu, kështu ko me ta bo ko me të ardhë tek shtëpia’. Unë e kam thirrë dhe kam folë edhe njëherë se i lamë fjalët keq, i thashë shihemi nesër dhe bisedojmë. Kam hyrë në shtëpi dhe sa isha duke hongër bukë më thirri. Nuk e kam ngritë telefonin dhe menjëherë kam dalë se e kam ditë që ka ardhë para shpisë. Ky kish pas mllef, kish pasë xhelozi, le të bohët burrë të thotë e kam nxjerrë alltinë”, deklaroi Gëzimi para gjykatores.

Në cilësinë e dëshmitarit ishte edhe punëtori i punëtorisë së familjes Sinani, Lulzim Rexha.

Rexha ishte nisur për te familjarët e tij të cilët banonin afër shtëpisë së familjes Sinani në natën kritike.

Pasi kishte dëgjuar disa krisma ai ishte afruar tek ta, ku edhe kishte parë anëtarët e familjes së Sinanëve të plagosur, me ç‘ rast edhe e kishte ndihmuar Kajtaz e Adile Sinanin për t’i dërguar në spital.

Seanca e radhës u caktua për në muajin mars.

Prokuroria akuzon Qëndrim dhe Senad Begun për vrasje të rëndë, tri tentim-vrasje si dhe armëmbajtje pa leje. I akuzuar në këtë rast kishte qenë edhe një person tjetër që ka vdekur dhe për të është pushuar procedura penale.

Qëndrim e Senad Begu sipas aktakuzës më 1 mars 2012 me dashje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Sevdaim Sinani pas një mosmarrëveshjeje që kishin për shkak të një borxhi.

Lëndime të lehta nga predhat e revoles sipas aktakuzës në këtë rast kishin marrë edhe Kajtaz Sinani, Gëzim Sinani dhe Adile Sinani. /kallxo/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit